Brickos

RKL: Kosova po feston pa veteranët, pa më meritorët e lirisë së saj

Gjashtë-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e gjen vendin në një krizë të thellë politike dhe ekonomike,  si pasojë e presionit sistematik të Brukselit zyrtar, të Beogradit dhe Kremlinit kundër pavarësisë, edhe pse gjatë këtyre gjashtë viteve të ekzistencës vendi ynë është  njohur nga 106 shtete të botës.

Degradimi faktik i pavarësisë ka filluar katër vjet më parë, kur pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi Serbia mori goditjen, të cilën nuk e kishte besuar, kreu politik dhe institucional i Kosovës pranoi rifillimin e  bisedimeve me Beogradin zyrtar pa asnjë kushtëzim paraprak, pa asnjë vijë të kuqe.

Fillimisht u tha se bisedimet do të jenë të karakterit teknik, ndërsa u nënvizua veçanërisht fakti se me Serbinë kurrë nuk do të bisedohet lidhur me  tërësinë territoriale të vendit, nuk do të bisedohet për veriun, as për ndarjen e vendit dhe për asnjë segment të sigurisë dhe punëve të brendshme të Shtetit të Kosovës. Këtë zotim, me rastin e fillimit të bisedimeve  nuk e ka bërë vetëm kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe kryetari i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi, të gjithë krerët e partive politike, përveç Vetëvendosjes, të gjithë ministrat, pjesa dërrmuese e deputetëve dhe të gjithë krerët e institucioneve. Ky është një realitet që duhet ta ketë parasysh gjithsecili, pavarësisht se kush dhe në çfarë mënyre pretendon të kamuflohet për interesa të caktuara.

 

Kosova gjatë procesit të bisedimeve të gjata dhe pa fund me Serbinë ka humbur dhe po humb kredibilitetin e shpalljes së Pavarësisë, ka humbur perspektiven e zhvillimit ekonomik, ka humbur përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Anglisë, meqë Qeveria e Kosovës është orientuar verbërisht  vetëm drejt BE-së, edhe pse ky union globalist nuk e ka pranuar as e njeh pavarësinë e vendit tonë. Kjo gjendje e palakmueshme e cila ka shkaktuar një konfuzion të përgjithshëm në vend ka rezultuar me përkeqësimin e situatës, e cila dita ditës po degradon drejt kaosit dhe shpërfytyrimit të institucioneve.

 

Gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më të pakënaqurit kanë qenë dhe kanë mbetur  më meritorët e pavarësisë. Është hera e parë që veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve nuk po marrin pjesë në aktivitetet e organizuara nga Qeveria me këtë rast.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli ka bërë  të ditur se veteranët do t’i bojkotojnë të gjitha aktivitetet shtetërore për shënimin e 6-vjetorit të Pavarësisë. Ai ka thënë se nuk ka arsye që të festohet 6-vjetori i Pavarësisë, përderisa bashkëluftëtarët e tyre po mbahen padrejtësisht në burgje. “Ky veprim i yni është solidarizim me bashkëluftëtarët, të cilët janë duke u mbajtur padrejtësisht nëpër qendra të paraburgimit. Çlirimtarët po arrestohen pa asnjë fakt dhe kështu në një farë mënyre po njolloset lufta e UÇK-së”, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se përmes këtij veprimi po i tërhiqet vërejtja institucioneve që t’i mbrojnë vlerat e luftës së UÇK-së. “Ne kemi luftuar për këtë shtet që po e gëzojmë sot, por jo që të arrestohen padrejtësisht bashkëluftëtarët tanë, pa fakte dhe me dëshmi të rrejshme, duke u bazuar në deklarata të njerëzve që deri dje kanë punuar për regjimin, për sistemin e Serbisë, ka thënë Xhemajli.

 

Mungesa e veteranëve në aktivitetet festive në ditën e sotme është një goditje e drejtpërdrejtë drejtuar institucioneve, të cilat as për këto gjashtë vjet të pavarësisë, as për 15 vitet e lirisë nuk kanë arritur ta zgjedhin çështjen e veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta, sepse bisedimet për sikur thuhet “normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” kanë disa parakushte në këtë drejtim edhe pse këtë e kanë fshehur dhe nuk e thonë publikisht bashkëbiseduesit shqiptarë me Serbinë nga radhët e Qeverisë së  Kosovës.

 

Serbia luftën e UÇK-së vazhdon ta trajtojë si luftë terroristësh, andaj kushti për “normalizim” është fillimisht margjinalizimi i veteranëve dhe vlerave të luftës, pastaj në fazën tjetër, injorimi i plotë i luftës sonë çlirimtare. Edhe me këto lëshime që dikush do të pretendojë t ia bëjë Serbisë, ajo nuk do të mjaftohet. Dëshmi për këtë zezonë është ngritja në kreun e institucioneve  të ish-klasës titiste rankoviçiste, e cila pretendon kthimin e bashkim-vëllazërimit dhe përbashkësisë me Serbinë, dhe e cila e ka bekimin e Beogradit. Kjo klasë jugonostalgjikësh  tashmë po faktorizohet, sepse Serbia në rast të arritjes së marrëveshjes definitive me shqiptarët, ajo padyshim se llogarit në sojin e vasalëve, llogarit në pjesën e cila kishte qenë dhe vazhdon të jetë e nënshtruar ndaj interesave të Beogradit në Kosovë.

 

Prej rifillimit të bisedimeve me Serbinë katër vjet më parë, ka filluar ringjallja e ish strukturave të UDB-së. Ata janë përforcuar dhe e drejtojnë  policinë, janë të pranishëm në të gjitha gjykatat, nëpër prokurori, në administratën shtetërore, e sidomos në trupat e delegacioneve në bisedime me Serbinë.

Ja vetëm një fakt konkret.

Në kuadër të delegacioneve të Kosovës në bisedime me Serbinë, në Bruksel nuk është i përfshirë asnjë ish luftëtar i lirisë, apo ndonjë zyrtar nga radhët e i ish të burgosurve nga  regjimit kriminal të Serbisë. Të gjithë anëtarët e delegacioneve janë persona me të kaluar nga ish nomenklatura e regjimit pushtues. Ky fakt flet vetvetiu. Ndërsa fakti se në krye të bisedimeve është ish drejtori politik i UÇK-së, kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë me qëllim për ta kamufluar tërë procesin dhe për t’ u krijuar përshtypja se në bisedime qenka  involvuar krahu i luftës, si nga ana e Kosovës, ashtu edhe nga ajo e Serbisë.

 

Festimi i pavarësisë së Kosovës, me bujë e pompozitet  pa çlirimtarët  është një ogur i keq, është një lajm tepër i trishtuar për liridashësit, sepse veteranët kanë plotësisht të drejtë të mos festojnë,  derisa kreu i luftës së UÇK-së në Drenicë ndodhet në burg, i akuzuar nga EULEX-i për krime lufte, duke u mbështetur në dëshmitarët e instruktuar të Serbisë.  Kjo zbulon faqen më të trishtueshme të realitetit faktik, i cili nuk mbulohet dot me fjalë të mëdha dhe me deklarata pompoze politike, as me vizita te varrezat e dëshmorëve.

Liria nuk e ka shijen e vet autentike  pa liribërësit, pa veteranët e invalidët pa familjarët e atyre që kanë derdhur rrëke gjakun e tyre për këtë liri. 

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …