Zenun Gjocaj ndjenjën e sakrificës për njerëzit e kishte pjesën më të fisnikëruar të qenies

(Fjala e Ahmet Qeriqit, në Akademinë e mbajtur në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të dr. Prof. Zenun Gjocajt)


 


Të respektuar familjarë të Zenun Gjocajt, të nderuar të pranishëm!


Jemi bërë bashkë në këtë Akademi, për ta përkujtuar dhe për ta nderuar një personalitet të shquar, jo vetëm për letërsinë, arsimin, shkencën, kulturën tonë, por edhe një veprimtar të dalluar të Lëvizjes sonë kombëtare, çlirimtare. Një burrë të nderuar e të respektuar nga të gjithë ata që e kanë njohur, nga të gjithë ata që sado pak kanë pasur rast ta njohin dhe të komunikojnë me te.


Duke qenë i çiltër për nga natyra, i dashur dhe shumë i respektuar për të gjithë, ai  fizikisht na mungon, i mungon familjes, bashkëshortes, vëllait, bijve dhe bijave të vëllezërve, kolegëve të punës, shokëve të shumtë dhe të gjithë të tjerëve, që e kanë njohur dhe e kanë respektuar.


Këtu, kemi vëllanë e Zenunit, Muharremin, veprimtarin e dalluar të çështjes kombëtare, Hasan Ukëhaxhaj, bashkëshorten e tij, Remen, bijtë e bijat e vëllait të tij dëshmor, Agim Gjocaj, familjarë të tij dhe shumë nga të njohurit e tjerë, që në këto çaste po e përkujtojmë me pietet e nderim të veçantë, sepse me jetën e veprën e tij, me punën dhe angazhimin ka merituar të nderohet, kurrë të mos harrohet dhe të respektohet përgjithmonë.


Më 21 nëntor 2012, disa muaj para vdekjes, këtu në këtë amfiteatër kemi organizuar përurimin e trilogjisë letrare epike-historike: “Rilindjet e orës arbërore”, Kosova e kuqe dhe Krahët e shqipes.  Në cilësi të organizatorit të përurimit kisha përgatitur një shkrim dhe sikur kishim praktikuar në të gjitha rastet, paraprakisht ia kemi dhënë njëri-tjetrit shkrimet, me qëllim për të evituar ndonjë gabim rasti apo ndonjë lajthitje. Dyshoja se nuk do të pajtohej me një vlerësim timin, i cili për mua edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet vlerësim real, por ai më tha shkurt. – Më dëgjo, mos e lexo atë pjesë, se po më duket vlerësim i tepruar. Nga respekti që kisha dhe duke qenë se nuk i pëlqenin jo vetëm lavdet por as ato që i konsideronte fjalë të mëdha, e kapërceva pasusin, të cilin do ta lexoj tani:


Zunun Gjoci në trilogjinë e tij, i ka hyrë punës për ta shkruar historinë tonë kombëtare në vargje, prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e deri te lufta çlirimtare e Legjendarit, Adem Jashari, i ndërgjegjshëm se për të shkruar një histori të tillë, nuk mjafton vetëm dija, të cilën ai ka dëshmuar se e disponon, nuk mjafton vetëm përkushtimi, të cilin ai e ka treguar në vepër, por në radhë të parë, për të shkruar një histori të tillë, shkrimtari duhet të ketë përgjegjësi morale ndaj kombit, duhet të jetë i pastër si kristali, një shpirt njeriu, i cili nuk ka pse skuqet me asnjë ditë të biografisë së tij, sepse nuk gjendet dot njeri që mund ta akuzojë Zenunin për një padrejtësi apo ligësi, që do t’ia ketë bërë ndokujt, qoftë edhe pa dashje. Vetëm një njeri me moralin njerëzor të Zenunit mund t’ i japë vetës të drejtë të shkruajë historinë kombit në vargje, krejtësisht i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për punën, veprën dhe jetën.


 


Ky është pasusi të cilin Zenuni nuk ishte pajtuar ta lexoja. Ju tani mund të vlerësoni secili për veten Tuaj se e kisha  tepruar apo jo  vlerësimin tim për trilogjinë e tij, me rastin e përurimit.


Këtë vlerësim ai e quante të tepruar edhe pse mua më duket se me asnjë fjalë nuk e kisha tepruar, as po e teproj sot, një vit më pas. Duke njohur modestinë e tij shpirtërore, duke njohur karakterin e tij burrëror dhe të fortë, e kisha kuptuar se Zenuni e dinte se ia kisha qëlluar, por nuk donte të apostrofohej, me një vlerësim të tillë. Dhe kjo për mua do të thotë shumë edhe sot. Kjo do të thotë se ai në shumë segmente të jetës ishte një hap para nesh, ndoshta edhe shumë hapa para, me modestinë e tij, me humanizmin, me përkushtimin për të mos ia kursyer ndihmën as një njeriu në botë, nëse në një mënyrë  iu kishte drejtuar për ndihmë. Në anën tjetër ishte po aq i njohur në këmbngulejn stoike për të mos i lëshuar rrugë  ligësisë, të keqes dhe matrapazllëkut.


Për nga natyra i heshtur dhe shumë i matur, i dashur me njerëzit, shumë solidar dhe i përkushtuar për shokun e mikun, i urtë dhe besnik, Zenun Gjocaj është prej atyre krijuesve shqiptarë që mua më përkujtojnë urtësinë, modestinë dhe thjeshtësinë  e Ndre Mjedës, freskinë e mendimit militant të Gjergj Fishtës dhe kredon artistike të Kolë Jakovës.


Ndjenjën e tij të sakrificës për njerëzit e kishte pjesën më të fisnikëruar të qenies. Ai ishte i të gjithëve, i të afërmve dhe i atyre të tjerëve, me të cilët e lidhte puna, aktiviteti, komunikimi. Aq shumë ishte dhënë pas punës, mirë bërjeve, angazhimeve krijuese, sa dukej se e kishte harruar vetveten, e kishte harruar edhe sëmundjen, që mjekët e kishin evidentuar një vit para vdekjes, por që nuk kishin treguar përgjegjësinë në nivel të betimit, përveç njërit prej tyre. I sprovuar me të njëjtën sëmundje, kisha një parandjenjë se ai po e neglizhonte, meqë e dija  se Zenuni nuk i kushtonte rëndësi vetvetes, nuk ankohej, nuk po arrinte apo thjesht nuk donte ta kuptonte seriozitetin e sëmundjes. Mbase donte ta përmbyllte jetën si spartan, ashtu sikur edhe kishte jetuar. Mbase e kishte kuptuar më mirë se unë dhe të gjithë ne se “Jeta është si treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe kurrë nuk kthen prapa”.


Tani që Zenuni nuk është më fizikisht në mesin tonë, fryma dhe shpirti i tij janë gjallë,  në veprat e shkruara që na ka lënë pas, janë gjallë fjalët e tij të urta, anekdotat që i krijonte aty për aty, ose i rrëfente në mënyrë të modifikuar, janë kujtimet, zëri i tij i çiltër, fryma humane dhe mbi të gjitha shpirti i pastër si kristali. Zenunin kurrë nuk do ta harrojmë, sepse nuk ka si harrohet një qenie e tillë, nuk mund të  harrohen veprat dhe madhështia e modestisë së tij, nuk ka si harrohet krijimtaria e veprimtaria e tij, nuk ka si harrohet Zenuni, sepse si Zenuni  ka pak të tjerë!


Ahmet Qeriqi


Prishtinë


15. 2. 2014

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …