RKL

RKL: Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës ndodhen në një pozitë shumë të rëndë, mbase pa rrugëdalje

Kriza shumëvjeçare sociale në Kosovë ka filluar të marrë përmasa kaotike, meqë keqqeverisja, papunësia në rritje,  injorimi i skamnorëve, lënia në mëshirë e veteranëve të vërtetë  dhe e kategorive sociale,  ka krijuar një sensibilizim tejet të shprehur, i cili ka filluar të shprehet  me revoltë, organizime grevash, madje edhe me ndërprerje totale të arsimit, paralajmërime për greva të tjera sidomos nga veteranët dhe krejt kjo në kohën kur Qeveria ndodhet në momentin më kritik “të jetës” së vet.

Gabimet që ka bërë kjo Qeveri me rritjen selektive të pagave, madje një rritje jashtë logjikës për stafin qeveritar dhe kategoritë e tjera jo sociale, por zhvatëse të buxhetit, tani ka filluar të hakmerret në formën më të vrazhdë të mundshme dhe me pasoja në radhë të parë për vetë Qeverinë, por edhe për vendin në përgjithësi.

Kryeministri Haradinaj nuk ka arritur ta bind kreun e SBASHK-ut për ndërprerjen e grevës, as pas rritjes së pagave, në total, 20 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Sindikata nuk e ka pranuar këtë rritje, sepse kërkon më tepër, kërkon shumë më tepër, sepse bazohet në pagat e shoferëve të Qeverisë, këshilltarëve të kryeministrit, sekserëve të politikes dhe matrapazëve të ndryshëm, kabinetit më të madh qeveritar  me numra zyrtarësh që nuk ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por rajoni apo Evropa.

Derdhja e parasë publike për përfitime afatgjate politike, për sigurimin e votave në zgjedhje,  krijimi i mirëqenies për të gjithë sekserët e militantët e partive, ka krijuar një hendek të rrezikshëm social, i cili nuk mund të kalohet pa një tronditje të rrezikshme sociale, edhe pse kësaj më së paku ia kemi nevojën dhe nuk mund t i gëzohet asnjë njeri normal.

Në “pazarin” që Qeveria ka bërë me kreun e Sindikatës, parashihet që  për 5.000 mësimdhënës në shkollat e mesme, të marrin nga 74.8 euro më shumë në muaj. 14.790 mësimdhënës në arsimin fillor, do të marrin nga 46. euro më shumë ne muaj Për 912 mësimdhënësit në arsimin parashkollor,  rritja është 50  euro më shumë ne muaj, ashtu sikur edhe për 125 mësimdhënës në shkollat speciale. Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër, u ka thënë atyre kryeministri Haradinaj. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim, ka saktësuar ai.

Kryetari i SBASHK-it, i trimëruar nga lëshimi pe i kryeministrit, ka deklaruar se nuk e  ka pranuar “pazarin” sepse është shumë i ulet karshi kërkesës prej 30%, madje  duke shtuar se kjo ofertë e Qeverisë nuk i ka përfshirë të gjithë mësimdhënësit. Jasharaj duke  i besuar lakmisë së mësimdhënësve sidomos të atyre që më së paku meritojnë edhe pagën, që e marrin dhe të tillë  ka me shumicë, shprehet sigurt në unitetin e tyre, sepse sipas tij greva është e drejtë dhe kërkesë legjitime edhe nëse ndërpritet shkollimi për disa muaj apo për tërë gjysmë-vjetorin. Ja deri ku ka arritur pangopësia dhe arroganca  e këtyre arsimtarëve, të cilët a mund të mburren me vendin që kanë siguruar  nxënësit e Kosovës në reflektimin e dijes së tyre  në organizatat ndërkombëtare që vlerësojnë dijet, jo diplomat e super diplomat. Nuk është pa sukses total  të jesh në listën e para fundit, në mesin e 70 shteteve. Me rëndësi është që pagat të bëhen 1000 e më shumë euro, atëherë mund  të arrijnë  cilësinë e arsimit edhe në vendin e tretë apo të katërt nga fundi.

Ja cila është ndërgjegjja e këtyre sindikalistëve dhe një numri shumë të madh të mësimdhënësve.

Ja cila është përgjegjësia e tyre, morale, kombëtare, njerëzore!

Ja ku i kanë  katandisur shqiptarët, qeveritarët e deritanishëm, të cilët mendojnë se po e zhvillojnë dhe po e begatojnë kapitalizmin me forcimin financiar të Qeverisë, me fuqizimin sa më shumë të partive politike, të cilat i përfaqësojnë, me mundin dhe angazhimin që të zhvatin krejt atë që mund të zhvatet nga buxheti, gjatë një mandati qeveritar.

Kjo është  filozofia e politikës së qeveritarëve aktualë dhe jo ajo e qytetarit të Kosovës, jo e atij që i ka dhënë krejt çka ka pasur kombit e  atdheut. Ai jeton me remitenca, jeton nga mëshira e të vetëve, e familjarëve dhe mirëbërësve, meqë ka edhe të tillë, që madje ndërtojnë edhe shtëpi për skamnorët. Po të mos  ishin remitencat, jeta e qytetarëve tanë, moti do të kishte marrë tatëpjetën. Po a ka menduar kush se të kujt janë këta qytetarët tanë, që nuk marrin as edhe një euro nga buxheti, por jetojnë nga ndihmat e të vetëve.

A janë të Kosovës këta njerëz?

Sa është numrin i tyre?

A janë krejt këta që nuk marrin pjesë në votime, sepse nuk kanë kujt, dhe, nuk kanë pse t’ ia japin votën.

2.

Çka bëjnë këshilltarët e Ramushi, a hanë fiq e kastraveca si dikur,   apo diçka më të majme?

Të shpresojmë se kryeministri, Ramush Haradinaj, i di shumë më mirë punët sesa ne gazetarët, që shkruajmë e shkarravisim.

Kryeministri thonë se ka 35 këshilltarë, të cilët me siguri se i njeh dhe e njohin, të cilët për ditë e këshillojnë dhe i rrinë afër, sepse ka shumë e shumë probleme e ballafaqime, ka shumë të pritura e të papritura. Ai ka 22 ministra e 80-zëvendës-ministra, secili më i aftë se tjetri, secili me diploma e super diplomë, secili më trim e më supremen se tjetri dhe kjo nuk është pak, sepse ashtu sikur është kujtuar dhe i ka “sajdisur” kryeministri ata, ashtu edhe ata e nderojnë dhe e respektojnë kryeministrin, e çmojë dhe e tejçmojnë si njeri gjithnjë të ditur e të fortë, si dje në frontin e luftës çlirimtare, si sot në krye të Qeverisë.

Po a është kjo fuqi “njerëzore” qeveritare, garanci e vetme për të mbajtur timonin  e Qeverisë, në kohën kur çdo gabim, apo veprim  i bërë pa konsultim me BE-në dhe ambasadorët e huaj, që vlerësohen e nderohen sikur baballarë e shenjtorë, mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë, jo vetëm Qeverisë, por tërë popullit, madje edhe popullit mazhoritar të remitencave, të përjashtuar nga buxheti i Kosovës.

Pse shpura e madhe e këshilltarëve nuk e ka këshilluar kryeministrin, në kohën kur dy muaj më parë, “gjarprin serb” e ka shkelur në bisht, e jo në kokë dhe tani ai ka fituar “luftën”, duke bërë për vete edhe Amerikën, se për Evropën dihet tashmë, dhe këtë kanë filluar ta kuptojnë edhe shumë nga ata që janë të dashuruar marrëzishëm në BE dhe në Bruksel, ashtu si dikur gjysh-stërgjyshërit e tyre të dashuruar  në ashikinë e Sulltanit e të Stambollit.

Dashuria e tepruar e ka edhe zhgënjimin e rëndë dhe të pariparueshëm dhe gjithherë ka qenë dhe mbetet e panatyrshme, sidomos kur nuk buron nga zemra, por nga interesi.

Ramushi e ka kuptuar se Evropa, gjithnjë e më shumë  po i vardiset Serbisë dhe po i kushton një kujdes të veçantë, asaj Serbie, të cilën kishte qenë e  detyruar ta bombardonte 20 vjet më parë, jo me dëshirë të vet, por sepse “nuk ka pasë  çare”.

Tekefundit pse Evropa të mos e dashurojë një Serbi të krishterë, por një Kosovë, të cilën vetë qeveritarët dhe këshilltarët e tyre e kanë shpallur tokë të pëlleshme të ISIS-it. Askush në vendet e Evropës nuk ka thënë para sarhoshëve tanë se Kosova me dy milionë banorë është tokë e pëlleshme i ISIS-it, sepse nga ata dy milionë,  200 vetë po luftojnë në Siri.

Tani ka filluar “të korren” edhe ato që “nuk i ka mbjellë”, Qeveria Haradinaj.

Po bëhen afër 20 vjet keqqeverisje e egër e grupeve dhe klaneve politike, janë 20 vjet garë e tmerrshme  për t’u pasuruar e për t’u super-pasuruar pa djersë por duke marrë kush sa mundet në “hambarin e Kosovës” që quhet Buxhet, tani 2. miliardë euro në vit, aq sa realizon një lojtar  i njohur i futbollit në Evropë.

Dhe ky buxhet duhet të ndahet, në radhët të parë për Qeverinë, qeveritarët, presidencën Kuvendin me 120 deputetë, një pjesë e të cilëve shahen e fyhen me njeri- tjetrin me nënë e babë, pastaj me këtë buxhet paguhet arsimi, administrata, prokuroria, gjyqësia,  shëndetësia, FSK-ja, Policia, agjencitë shtetërore dhe jo shtetërore, RTK-ja, dhe mediet pro-qeveritare, OJQ-të e shumta, individët me merita partiake. Pastaj Qeveria ndanë edhe shpërblime,  atyre fermerëve e biznesmenëve që kanë dy e më shumë hektarë tokë, ndërsa ata që kanë më pak janë të përjashtuar nga grantet, që herë-herë janë më të shumta sesa prodhimet, sidomos kur janë në pyetje militantët e partive.

Nga Buxheti i Kosovës paguhen edhe veteranët e UÇK-së, por edhe  dhe veteranët e partive politike. Dhe krejt këto e kategori të tjera mbulohen me paratë e taksapaguesve, ndërsa të përjashtuarit nga buxheti jetojnë si mundën e si dinë. Ka nga ata që i kanë djemtë të Evropë dhe në Amerikë dhe nuk kanë pse brengosen. Një ditë punë në Amerikë, mbahet një familje skamnore për një muaj, si mbijeton  dhe si ia del, e di ai që e ka provuar dhe e provon për ditë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …