(RKL) Kur gjuha e ndragur dhe lapërdhare shprehet përmes Internetit

 


Komunikimi dhe shërbimet që ofron interneti janë komunikime dhe shërbime universale, pa të cilat më nuk mund të mendohet bota, as qytetërimi ynë bashkëkohor. Përmes kësaj “magjie” pa fund e pa skaj, njerëzit nga mbarë bota komunikojnë mes veti, shërbehen, shkëmbejnë dhe zbulojnë me shpejtësi informacione, të cilat më parë nuk i kishin parë as ëndërr. Kjo botë e pasur dhe magjike, kjo botë çudibërëse, si universale që është ka edhe anët e veta të liga dhe të shëmtuara, të cilat i vë në lëvizje soji bastard i gjinisë njerëzore dhe bastardët e të gjithë popujve në mbarë botën.
Keqpërdoruesit e faqeve të internetit janë të shumtë, jo vetëm ndër ne, por në mbarë botën, sepse veset dhe nopranitë njerëzore nuk janë shafitur, as do të shafitën ndonjëherë.
Ndodh për shembull, që një afishues anonim, shkëput diku një material me emra të ish UDB-shëve, heq njërin nga ta, shton një tjetër dhe e afishon si shkrim, pa adresë, ose me adresë anonime. Ndodh që një Basri Pllana, afishon emrat e bashkëpunëtorëve të Serbisë. Dhe krejt natyrshëm shtrohet pyetja, si mund t’i besohet këtij bashkëpunëtori të devotshëm të Serbisë, edhe nëse denoncimi i tij ka fakte reale?

Veb sajti i quajtur “Dardania de…”, ka afishuar materialin akuzues të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, të vitit 1999, kundër kuadrove të larta dhe disa luftëtarëve të UÇK-së, të cilët regjimi kriminal i Milosheviqit, ashtu sikur ky i sotmi, i Tadiqit, i trajton “terroristë” shqiptarë. Materiali i jepet për lexim shfletuesit të kësaj faqeje të turpit, pa as edhe një shpjegim lidhur me këto akuza të pabaza dhe të paqena, të ngritura nga vetë regjimi kriminal i Beogradit. Në këtë faqe virtuale, bëhet ftesë që edhe kjo “Dardania de” të hartojë një listë me emrat e kriminelëve serbë, por emra të tillë nuk janë afishuar as do të afishohen, sepse Beogradi nuk paguan për diçka të tillë. Afishimi i tillë natyrisht se paguhet shtrenjtë nga nëntoka e zezë e Beogradit, sepse dihet se çfarë qëllimi fshihet prapa. Dhe “Dardania.de”e ata që fshihen pas kësaj faqeje të zezë të turpit krejt haptas bëhen argatë të kriminelëve që kanë vrarë, kanë masakruar dhe kanë dëbuar qindra mijëra shqiptarë nga Kosova.

Këta afishues e dinë fare mirë se në veb-faqet e tilla në gjuhën serbe nuk gjen ndonjë akuzë me fakte dhe argumente të vërteta të dëshmitarëve shqiptarë kundër kriminelëve serbë, sepse serbët dhe regjimi i tyre vrasjen e shqiptarëve e konsideron si diçka, jo vetëm të lejueshme, por edhe preferuar, sidomos nga ana fetare. Veb-sajtet serbe vjellin helm e vrerë kundër të gjithë shqiptarëve, që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së, ndërsa lavdërojnë shqiptarët besnikë të regjimit, sidomos ata që janë vrarë në luftë kundër UÇK-së. Natyrisht se ata kursejnë faqen “Dardania de” dhe faqe të tilla simotra, duke i konsideruar si shqiptarë të ndershëm, me të cilët dikur kanë jetuar në kumbari dhe afërsi intime.
Dhe lehje të tilla sidomos kundër UÇK-së gjenden sa të duash në faqet e zeza të Internetit të shkruara e të shkarravitura në gjuhën shqipe.
Niveli i shprehjeve të tilla, shpeshherë me një gjuhë mushke, të pasur me fjalë e shprehje turke e sllave, nxjerrë në sipërfaqe mungesën e arsimimit të tyre, mungesën e kulturës njerëzore dhe kombëtare. Të tillët fshihen për mrekulli, me emra anonimë në këto faqe të ndragëta.

Ka prej prezantuesve të tillë, madje edhe me tituj, të quajtur shkencorë, të cilët përbuzin dhe shajnë Adem Demaçin, madje edhe ndonjë përkrahës të tij, vetëm sepse ai po lavdëruaka veprat e Demaçit, përbuzin akademikun tonë të nderuar, Rexhep Qosja, shajnë e fyejnë Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn e kë jo. Ndonjëri prej këtyre afishuesve të horrllëqeve, dikur marksist e leninist i përbetuar dhe enverist i ekzaltuar, sot shan marksizmin dhe Enverin, dukur anti rugovist e revolucionar, tani përkulet para varrit të tij, dikur i ndjekur nga regjimi, tani shan shokët e burgut dhe të “idealit” të dikurshëm.
Njerëz të tillë të shkalluar, të degraduar e të përçudnuar, poshtërsitë e tyre i plasojnë përmes Internetit, me qëllim mbase për të dalë nga anonimiteti, apo për ta shfryrë mllefin e shpirtit të tyre të degjeneruar dhe të sëmurë.

Në disa faqe të tilla, në Internet, lundrojnë opinionet e komentet e shërbëtorëve të të gjitha ish-regjimeve, mbetjet ende të patretura të këtij soji hibrid, të lidhur panatyrshëm “si mishi me thoin” me popujt sllavë.
Ata, tanimë të degraduar dhe të bindur se kurrë më në Kosovë nuk do të kthehet regjimi serb, zemëratën e tyre të zezë e kanë drejtuar sidomos kundër kuadrove politike me prejardhje nga UÇK-ja, e cila konsiderohet shkaktarja kryesore e dëbimit të regjimit kriminal serb nga Kosova, shkaktarja e prishjes së bashkim-vëllazërimit, shkaktarja e ikjes së shumë shërbëtorëve të regjimeve serbe nga Kosova, shkaktarja e prishjes së përjetshme të kumbarisë serbo-shqiptare.
Gjuha e tillë e ndragur në disa faqe virtuale të Internetit zbulon gjendjen e mjeruar të një soji të tillë njerëzve, të cilët UÇK-ja çuditërisht i ka futur në ilegalitet, në ilegalitetin e anonimitetit, i cili shprehet përmes disa faqeve të ndragëta të Internetit.
Qentë kanë lehur dhe kurdoherë lehin… me rëndësi është, që karvani i bërjes graduale dhe hap pas hapi i Shqipërisë natyrale, të ecën përpara..

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …