RKL

RKL: Ndërsimi i jugo-medieve dhe i politikave kundër UÇK-së e luftëtarëve të lirisë po i trimëron forcat e territ të pas mesnatës

Në fushatën e egër kundër luftës së UÇK-së, e cila po merr përmasa linçimi dhe  thirrje për hakmarrje të kolaboracionistëve shqipfolës, përveç klaneve mafioze të nëntokës me serbë e shqipfolës, e kanë orkestruar fushatën sidomos TV-Dukagjini, i cili po pretendon të bëhet para-filiale e hetimeve të Gjykatës Speciale, pastaj portalet që financohen nga bosët e krimeve si insajder-kosovo, expres Kosovo, inex-kosovo, T7 dhe disa copy paste medie e portale që i marrin të gatshme lajmet e komentet e këtyre portaleve e medieve dhe i plasojnë për të mbushur faqet e tyre të zeza të postimeve.

Pikërisht në kohën kur këto medie po i fryjnë sa po mundën zjarrit të tyre kundër UÇK-së  u vra mizorisht e prapa shpine, krejt afër shtëpisë së tij, njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, Qerim Kelmendi, pjesëtar i një familjeje  që ka luftuar regjimin serb e malazez  nëpër breza e nëpër shekuj.

Jo rastësisht dora e zezë e krimeve pas shpine dhe pas mesnatës kishte zgjedhur të hakmerrej për luftëtarin e aksioneve të para të UÇK-së, në Kosovë, kur sulmet e tyre politika pacifiste i mbulonte duke i etiketuar se “Dorë e zgjatur e Serbisë”.

Jo rastësisht  u dogj trupi i tij. Ky akt mizor tregon se sa e thellë është urrejtja e disa qarqeve kundër UÇK-së, e cila po shprehet në të njëjtin nivel me krimet e Serbisë së Milosheviqit, me dallim vetëm në faktin se Serbia vriste hapur gjatë ditës dhe nuk kishte nevojë  të fshihej e të vriste gjatë natës.

Ushtria serbe gjatë natës bombardonte bazat e UÇK-s dhe popullatën civile, gjatë ditës masakronte shqiptarë në sy të tërë botës. Tani Serbia nuk e ka më atë favor, por këtë e bën gjatë natës,  pikërisht dora e zgjatur e Serbisë,  përmes kumbarëve të vetë të dikurshëm e të sotëm, përmes “pobratimve gjakpërzier”,  përmes veglave qorre, përmes pjellës së vet, që e ka lënë dhe po e rrit në Kosovë.

Kjo vrasje e cila po dënohet  në mënyrë selektive, jo unanimisht  dhe  në të shumtën e rasteve vetëm verbalisht e sa për sy e faqe,  tregon edhe anën tjetër të medaljes, e cila me kohë është mbjellë në Kosovë dhe tani ka dhënë edhe prodhimin e parë.

Mjerisht dhe për fatin tonë të keq, kjo farë ka filluar të mbillet e të kultivohet  qysh me pushtimin e këtyre trojeve nga Serbia. Dhe tani pjesëtarët e kësaj pjelle nuk janë më zëra të heshtur e të shushatur sikur ishin pas luftës, por janë zëra të ngritur peshë, zëra të çoroditur që e shfryjnë gëzimin deri në qiell me moton: “Iku Epopeja e UÇK-së, tani po vjen epopeja e Gjykatës Speciale”.  Është kjo pjellë që dikur ishte strukur nga frika,  por tani shprehet gjithnjë e më hapur me gjuhën më të ndragur e më të pistë kundër gjakut të derdhur për liri.

Dhe kjo po ndodh edhe për faktin se shumë syresh janë trimëruar me koalicionin e ri qeveritar, i pari koalicion i pas luftës pa parti të dala nga lufta  e UÇK-së. Përbërje e re qeveritare po lavdërohet edhe nga Serbia sidomos për faktin se Vuçiqi, Daçiqi, e kompania e tyre nuk do të detyrohen të shtrëngojnë duart e komandantëve të UÇK-së, por duart e tyre të  pastruara nga regjimi i Milosheviqit do t’ i shtrëngojnë  me duart e “papërlyera”, pacifiste e të moderuara të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.

Edhe ky fakt i ka trimëruar forcat e territ.

Po kështu i ka trimëruar edhe fakti se shoqatat e dala nga lufta po e bëjnë gjumin dimëror dhe moti kanë lënë anash atë veprimin me protesta e demonstrata, prej kur u bënë veteranë me pagesë. Ata janë shtrirë gjerë e gjatë në qilimin që u ka shtuar qeveria dhe emitojnë komandantë e tyre me deklarata verbale krejtësisht politike.

Në fakt tjetër që i ka trimëruar këto forca, të cilat nuk do të ndalen me aksionin e suksesshëm kundër Qerim Kelmendit, por do ta vazhdojnë luftën e tyre pas mesnatës, 10 vetë kundër një luftëtari të lirisë, është  edhe përçarja “pikë e pesë” e komandantëve të luftës, të cilët  janë barrikaduar secili në “feudin” e vet dhe gëzojnë në mënyrën e vet, jo vetëm frytet e fitoreve por edhe kapitalin që u ka lënë “trashëgim” fitorja e madhe, kthesa e madhe e famëmadhes UÇK, të cilën disa syresh e kanë shfrytëzuar dhe po e shfrytëzojnë me mjeshtëri.

Përsëritja e gënjeshtrave për krimet e luftës dhe të pas luftës që i ka kryer në Kosovë UÇK-ja nga disa medie që i financon mafia politike, anashkalimi dhe mos prania në këto medie e krimeve e masakrave që i ka kryer Serbia, pastaj miratimi i Gjykatës Speciale, raciste, fashiste e inkuizicionale nga ish-klasa politike e institucionale e vendit me disa përjashtime, paragjykimi dhe demonizmi paraprak i UÇK-së pa u shpallur fajtor as edhe një luftëtari i lirisë nga kjo Gjykatë, madje pa ngritur asnjë aktakuzë, krejt kjo  ka krijuar një klimë të volitshme për ndjekjen tani edhe likuidimin e luftëtarëve të lirisë.

Rënia në pritën e rojeve të errësirës e luftëtarit të përkushtuar, invalidit e veteranit, Qerim Kelmendi edhe nëse nuk zbardhet, sot është zbardhur se kush po ngushëllohet me dinjitet e njerëzi dhe kush por rezervohet të shpreh qoftë edhe një fjalë formale ngushëllimi.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ende  nuk ka shpallur ditë  zie sikur shpall për policët e vrarë, por as komuna e Pejës deri tani nuk ka marrë vendim për shpalljen e një dite zie për luftëtarin dhe eprorin e UÇK-së, Qerim Kelmendi, invalid e veteran i luftës, pjesëtar i një familjeje me tradita atdhetare nga brezi në Brez.

Për vrasjen e Qerim Kelmendit kanë shprehur ngushëllime një pjesë e përfaqësuesve të institucioneve të vendit, kryetari Hashim Thaçi, kryeministri, Albin Kurti, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli liderë partish, kryetarë komunash, OVL-UÇK-ja dhe bashkëluftëtarë të Qerim Kelmendit, duke e cilësuar këtë vrasje mizore e barbare, sepse vetëm barbarët djegin trupat e viktimave. Për vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi ka reaguar  edhe ish UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare, veteranët e UÇK-së në Shqipëri, në krye me eprorin e lartë kolonel, Dilaver Goxhaj, motra e vëllezërve Haklaj të Tropojës, Zylfije Haklaj, por nuk ka reaguar LDK-ja, as kryekuvendarja Osmani, as Lista Serbe, madje as tropojani “trim”, Salih Berisha.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …