RKL

RKL: Nuk janë fajtorë çlirimtarët e Kosovës pse prishen koalicionet e pa natyrshme dhe të paqëndrueshme

Ata, të cilët gjatë luftës në Kosovë kanë qëndruar larg saj, sidomos në disa nga shtetet e Evropës, ata të cilët punën më të madhe dhe më të mundimshme të “betejave”,  e kanë bërë duke mbledhur fonde, për të cilat kurrë askush nuk dha llogari, ata të cilët thirreshin e thirren në emër të partive, organizatave patriotike dhe patriotizmit të tyre “të lindur”, ata të cilët nuk kanë dëgjuar qoftë edhe krismën e një granate të vetme të regjimit të Serbisë, sidomos gjatë viteve 1998-1999, ata të cilët kanë jetuar në luks e disa edhe në degjenerimin luksoz, derisa në Kosovë binin, jo dhjetëra por qindra dëshmorë e martirë gjatë një dite, ata të cilët ikën nga Kosova për të shpëtuar prapanicat e tyre, ata të cilët luftën e UÇK-së e përvetësuan, duke e paraqitur veten si “koka dhe truri i UÇK-së” larg Kosovës, ata të cilët as një pikë djerse nuk derdhën për Kosovën, ata duhet të kenë turp, kur përmendin komandantët dhe luftëtarët e lirisë që kanë luftuar në radhët e para të frontit, kudo në Kosovë, bashkë me heronjtë e dëshmorët, në shtatë zonat e luftës,  ku luftën  e kanë jetuar e përjetuar më shumë se 1 milionë e dyqind mijë banorë të saj prej rënies heroike të Jasharëve, komandantit Legjendar e deri te hyrja e trupave të UÇK-së dhe të NATO-s, në Prishtinë,  në qershor të vitit 1999 dhe kurrë nuk u larguan nga trojet e tyre nga grykat e maleve e të lumenjve  të Kosovës, por edhe nga qytetet ku vazhdimisht ishin të rrezikuar, por qëndruan burrërisht, qëndruan sipas shembullit që dha që në fillim të luftës, legjendari, Adem Jashari me tërë familjen e vetë, të ngushtë e të gjerë.

Kjo e vërtetë historike i tmerron jugo-nostalgjiket, që librat e tyre i përurojnë në Beograd, i tmerron jugo-mendjet e jugo-mediet, i tmerron dëshmitarët e mbrojtur të Gjykatës Speciale…

Por të tillët nuk kanë pasur, as kanë turp.

Të tillët nuk kanë pasur, as kanë ndërgjegje.

Të tillët rrahin gjoks për trimëri, pasi ka  mbaruar lufta.

Të tillët thirren në emër të patriotizmit fiktiv e virtual.

Ata kanë qëndruar në vendet e Evropës me familjet, derisa shokët e tyre linin familjet dhe luksin në perëndim dhe futeshin në frontet e luftës dhe binin për çlirimin e Kosovës. Përjashtohen nga këto radha ata që kanë qenë direkt të organizuar, ata që kanë pasur funksione të caktuara dhe të cilët kanë hyrë në frontet e luftës në Kosovë dhe pastaj janë kthyer në punën e tyre. Dihen të gjithë me emër e mbiemër, ashtu sikur dihen edhe djerrakohësit, manipulantët, ikanakët, shpërdoruesit e fondeve dhe ata që familjet e tyre i kishin lënë madje te familjet e kumbarëve serbë dhe vetë ia kishin mësyrë për në Tiranë, sepse po të ishin vrarë rastësisht, në Kosovë nuk do të kishte lindur më dielli…

Andaj duhet pasur shumë kujdes kur i etiketojnë, kur shpifin dhe i marrin për goje komandantët më të suksesshëm të luftës, për shkak se këta nuk  qenkan rreshtuar me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, apo pse kanë krijuar parti të tjera përveç Vetëvendosjes, apo thjesht pse mendojnë se nuk mund dhe nuk u dashka të qeveris dikush tjetër përveç LDK-së me Vetëvendosjen.

Dihet mirëfilli se cila ka qenë “miqësia” e këtyre dy forcave, njëra pacifiste e durimtare e tjetra “revolucionare” e mujshare. Formula e bashkimit të këtyre dy forcave, formula “ilirmetjane e xhuveliane” nuk ka pjellë, as pjellë diçka të mbarë e të mirë. Ata që nuk e kuptojnë këtë realitet, që duket si dita me diell, ata kanë defekt në perceptimin e drejtë të  së vërtetës dhe të drejtës.

Këta turranikë të papërmirësueshëm, këta burra të fjalëve bombastike dhe rrahjes së gjokseve, duhet t’i thërrasin ndërgjegjes, njerëzisë, atdhetarisë së dëshmuar, gjakut të derdhur për liri, shkatërrimit, degdisjes dhe sakrificës së popullatës shqiptare të Kosovës, e cila pranoi edhe të shfarosej, por jo të ikte nga atdheu. Ajo popullatë  shumicë, jetën ia kishte besuar luftëtarëve, që luftonin në frontet e luftës, natyrisht edhe me një segment të saj, që ishte mobilizuar në Shqipëri dhe gjithandej dhe që bënte punë e luftë  të njëmendtë.

Anashkalimi i kësaj lufte, përpjekja për ta përvetësuar në grupe, klane e organizata, përpjekja për të ta demaskuar madje deri me thirrje që nënkuptojnë edhe likuidim fizik të komandantëve të caktuar, shumë prej tyre politikanë aktualë,  për shkak të dëmit që ia paskan shkaktuar dhe po ia shkaktuakan Kosovës, janë përpjekje djallëzore të njerëzve,  që nuk shohin askënd tjetër veç vetes, veç egove të tyre të sëmura, veç prepotencës së tyre, ombrellës patriotike, të cilën e mbajnë mbi kokë si “kurorë lavdie” dimër e verë dhe e cila prodhon e riciklon vetëm radhitje mekanike fjalësh të thata, tashmë të dala boje.

Është krejtësisht e pandershme dhe e panjerëzishme t’i  etiketosh të gjithë eprorët e luftës, për të gjitha ato që “paska pësuar Kosova”, kur dihet fare mirë se kush e ka bërë dhe kush e bën politikën në Kosovë, prej Konferencës së Rambujesë së vitit 1999 e deri sot. Është turp mbi të gjitha turpet përpjekja për diskreditimin e PDK-së, AAK-së Nismës, vetëm pse janë parti me elektorat të dalë nga lufta e UÇK-së. Dhe çfarëdo e keqe që pretendohet që i ka ndodhur Kosovës, të lidhet me qeverisjet e tyre.

Të gjithë këta e dinë se Kosova e ka lakun në qafë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e dinë mirëfilli se në çdo konferencë tremujore për Kosovës në OKB, raportin bazë e paraqet shefi i UNMIK-ut në Kosovë, pastaj ambasadori i Kosovës në Amerikë, apo ndonjë zyrtar i lartë i Kosovës, por gjithnjë ulur pranë shefit të UNMIK-ut. Të gjithë e dinë se veriu i Kosovës, prej 14 qershorit të vitit 1999 është i ndarë dhe qeveriset nga Beogradi. E dinë po ashtu se atje vazhdon të jetë e pranishme administrata e UNMIK-ut. Janë të gjithë këta që së bashku e kanë nënshkruar “Pakon e Ahtisarit” dhe asnjëri prej tyre, të rënë nga pushteti në rrethana të ndryshme, nuk ka kërkuar falje për atë nënshkrim apo aprovim në Kuvend. Ishte vetëm një deputet boshnjak i cili nuk e kishte aprovuar Pakon e Ahtisarit.

Dhe çka duan sot të tillët?

A mos ndoshta presin që koha të kthehet prapa?.

Akrepat e orës edhe mund të kthehen prapa, por koha e kaluar nuk kthehet dot.

Mendje e robëruara nuk çlirohen dot vetvetiu.

Trimëria, as është bërë as bëhet me fjalë të mëdha dhe me rrahje gjoksi.

Sot, Veton Surroi ndihet entuziast që pas tridhjetë vitesh qenka ringjallë ideja e tij për rrahjen e fundit të kusisë, sikur shkruan veprimtari, Mehmet Bislimi.

Duhet shtuar se Vetoni me ish komunistët që kishin mbetur pa brekë nga jaranat e jaraneshat e tyre në Beograd, 30-vjet më parë, “kishin varrosur dhunën, kishin ndërmarrë “revolucionin” e hedhjes së triskave të LKJ-së, së cilës i kishin shërbyer për më shumë se 40 vjet, kishin prishur jaraninë e kumbarinë, u kishin rënë tenxhereve e kusive  nëpër bodrumet e shtëpitë e mbyllura me shula hekuri, në përpjekje për t’ i treguar Slobodan Millosheviqit se nuk do ta përkrahnim më, sikur e kishin përkrahur, dhe nuk do ta përkrahnin krejt  deri sa t’ i kthente çelësat e shkollave e fakulteteve të mbyllura”. Ajo ishte kërkesa kryesore e tyre. Atëherë kur Millosheviqi u kujtua për t’ ua  kthyer çelësat të parëve të arsimit, pasi kishte intervenuar NATO-ja, ishte bërë vonë dhe nuk kishte më nxënës as studentë për të vijuar mësimin, sepse shumica ishin në luftë e shumë të tjerë ia kishin mbathur. Kishte vetëm politikanë të mjerë që i morën çelësat dhe u krenuan se megjithatë ia kishin arritur qëllimit. Madje kryetari i tyre, gati në fund të luftës  shkoi në Beograd te Milosheviqi dhe i kërkoi NATO-s ta ndalonte bombardimin. Ai pas luftës kurrë  nuk u kujtua t’ ia shpjegonte popullit se si kishte shkuar në Beograd  i lidhur si rob, apo si i parë i Kosovës. Fakti se si kishin shkëmbyer edhe dhurata, flet vetvetiu.

Anakronia surroiane e rikthyer mbrapshtë, revoltën e rrahjes së kusive po e interpreton jo si revoltë kundër prishësve të koalicioneve, por kundër atyre që paragjykohen si prishës, kundër partive të dala nga lufta e UÇK-së  PDK-AAK dhe Nisma edhe pse ato janë, në opozitë.

Ja çfarë dilinxhillëku politik mbjellë pjella titiste e rankoviçiste në Kosovë, 21 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Është pikërisht ky Veton Surroi,  që po pret nga Albin Kurti ta emërojë ambasador në SHBA, pas shkarkimit që i ka bërë ish-ambasadores, Konjuca i Vetëvendosjes.

Ja cili është llumi i grumbulluar i mbetjeve të ish regjimeve që pretendon ta qeverisë Kosovën, duke paralajmëruar për  t’ i tërhequr zvarrë komandantët, duke ua konfiskuar pasuritë, duke shkarkuar e duke ngarkuar borde, duke pretenduar  ta shpallë të jashtëligjshme krejt periudhën historike të Kosovës, deri te Koalicioni i ri, i cili për herë të parë është pa ish-komandantë e “terroristë” të UÇK-së,  sikur krenohen deputetë të caktuar të Vetëvendosjes, koalicion i cili është ndërtuar me mbetjet e së vjetrës dhe krejt natyrshëm prodhon provën e re,  të mbërthyer me dy pole të kundërta magnetike, të cilat nuk i bashkon dot shkenca e alkimisë politike, sado që të ketë mendime superiore madje edhe delirante për veten  e vet, gjithnjë me kokën përpjetë, por pa e shikuar tokën…

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …