RKL: Rubin dhe Blomejer: “Çka i lejohet Jovit, nuk i lejohet Bovit”

Deklaratat paushalle të diplomatit amerikan, Xhejms Rubin, dikur përkrahës i luftës sonë çlirimtare dhe ambasadorit gjerman, në Prishtinë,  Peter Bolemejer,  pavarësisht tonit të butë dhe elokuencës së rezervuar diplomatike kanë për qëllim diskreditimin e luftës sonë çlirimtare, duke mbështetur për qeverisje ish-klasën komuniste pacifiste, të kohës së robërisë si dhe aktivitetin e vetëm të  EULEX-it në gjuajtjen e shtrigave. “Gjuajtja e shtrigave” ka qenë specialitet i njohur i Evropës së kohës së Inkuizicionit dhe nuk ka si hiqet lehtë nga mendja dhe logjika e disa qarqeve moderne evropiane.


Se duhet apo nuk duhet ta gëzojnë lirinë çlirimtarët, se duhet apo nuk duhet të merren me politikë  krerët e luftës, kjo kurrë nuk do të duhej të ishte çështje për diskutim, sidomos nga ata që e kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por ja që edhe kjo po ndodh,  meqë kreu politik me prejardhje nga lufta e UÇK-së, që na ka përfaqësuar dhe po na përfaqëson në botë, kurrë nuk ka treguar vendosmëri, as përgjegjësi  për mbrojtjen me çdo kusht dhe në çdo rrethana të vlerave të luftës sonë çlirimtare, ashtu sikur kanë bërë të gjithë politikanët e vendeve të botës,  sapo janë liruar nga robëria dhe të cilët pa asnjë përjashtim  janë angazhuar politikisht.


Diplomatët” Rubin dhe Blomejer kanë mbështetur idenë se çlirimtarët u dashka të tërhiqen nga pushteti me qëllim për ta ruajtur kredibilitetin dhe për t’i lënë të qeverisin ata,  që kanë pasur merita në qeverisjen e vendit gjatë kohës së Titos, Rankoviqit dhe Milosheviqit, edhe pse klasa  e tillë politike aktualisht  është  kudo në qeverisje madje në edhe tani moshën e pleqërisë.


Sipas kësaj logjike, nëse bëjmë një  analogji, pas luftës së Dytë Botërore duhej të kishin qeverisur bashkëpunëtorët e Hitlerit e të Musolinit, nëse fitimtarët do të rezervoheshin nga qeverisja, me qëllim për ta ruajtur kredibilitetin dhe simpatinë e tyre në popull.


Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend të Evropës. Disa diplomatë të huaj, duke parë e duke kuptuar se politikanët e Kosovës mund të manipulohen, mund të shantazhohen dhe mund të deformohen politikisht deri në skajin ekstrem, natyrisht se kanë vënë në lëvizje edhe teza të tilla, antikombëtare, antihistorike dhe krejtësisht anti logjike.


Të deklarosh në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovës se u dashka të mos fitojnë çlirimtarët, se nuk u dashka, që  në Drenicë të fitojë Sami Lushtaku që ka marrë 88 për qind të numrit të votuesve, se nuk u dashka të fitojnë në zgjedhje PDK-ja dhe AAK-ja, por ish partitë pacifiste LDK-ja, AKR-ja dhe ndonjë akronim tjetër i së kaluarës, ky është thjesht një konstatim i papërgjegjshëm, që nuk mund të arsyetohet me asnjë segment shqyrtimi, me asnjë logjikë të shëndoshë, përveç me logjikën e arbitrit, të sunduesit, manipulimit e mujsharit politik.


 


Po ku e kanë hallin diplomatët Blomejer, Rubin dhe të tjerët si këta?


 


Duke parë dhe duke kuptuar mirëfilli se pjesa dërrmuese e klasës së  sotme politike është krejtësisht poltrone, krejtësisht nën ndikimin e huaj dhe pa asnjë fije përgjegjësie, shumë diplomatë të huaj, sidomos gjermanë, italianë, francezë por edhe amerikanë, me qëllim të ruajtjes së “status qosë”,  në Kosovë dhe në Ballkan, po bëjnë përpjekje t’ i bindin politikanët tanë  se vetëm kthimi në të kaluarën e sprovuar të bashkim vëllazërimit të popujve në ish Jugosllavi, qenka perspektivë e ardhmërisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.


Jo rastësisht po këta diplomatë, sidomos nga regjimenti i BE-së,  preferojnë të krijohet një si Union ballkanik ku Serbia do ta kishte rolin primar, si shteti më i zhvilluar ekonomikisht dhe për qëllime të paqes afatgjate u dashka  të krijohet një lloj federate sikur ka qenë  dikur Jugosllavia e Titos dhe e Milosheviqit.


Natyrisht se politikanëve  tanë të prejardhur nga lufta nuk u ka pëlqyer aspak ky propozim, për më tepër u ka shkaktuar edhe humbje në balotazh,  por nuk kanë shprehë as një pikë guximi politik e qytetarë t’ i kundërvihen propozimeve të tilla,  me një krah dëshmi dhe me dëshminë numër një, se qytetarët tanë nuk janë të verbër, dhe nuk ka nevojë që në prag të zgjedhjeve të vinë e të na thonë se kush u dashka  të fitojë e kush u dashka  të humbasë. Një praktikë e tillë është tejet e dënueshme në Amerikën e Xhejms Rubinit dhe në Gjermaninë e Blomejerit. Por nuk është thënë kot se “Çka i lejohet Jovit, nuk i lejohet Bovit”, apo çka i lejohet Bajlozit Janxhangjonivan, që gjithnjë vjen nga përtej deteve, për të na mësuar si duhet qeverisur, nuk u dashka t’ i lejohet një  Gjergj Elezi me nëntë plagë në shtat, por do të mjaftonte për të na qeverisur një “Bov” ( një buall) politik nga ish nomenklatura komuniste, Groteska e tillë nuk do koment.


 


Rubin, Blomejer, Ashton dhe diplomatë të tjerë të lartë, të cilët nuk i durojnë çlirimtarët, qofshin ata edhe të thyer e të përkulur, po bëjnë përpjekje ta rikthejnë Jugosllavinë e dikurshme, të cilën e kishin themeluar me kontribut të jashtëzakonshëm ushtarak, ekonomik, politik e diplomatik mbi kurriz të popujve jo sllavë të Ballkanit. Dhe krejt kjo bëhet me qëllim që edhe në rikomponimin e  një Unioni, apo Federate të tillë, kryexhandari të jetë Serbia, ashtu sikur kishte qenë për 87 vjet, me mbështetjen e pa rezervë dhe me bekimin e Evropës.  Arsyeja për themelimin e mundshëm të  këtij Unioni të vendeve ballkanike, ku përveç Serbisë do të përfshiheshin edhe Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje- Hercegovina dhe Kosova, ka për qëllim krijimin e një dige kundër depërtimit ekonomik apo diplomatik të Turqisë dhe kundër lirisë së popujve me fe islame.  Edhe pse një krijesë e tillë politike, tash për tash duket iluzore, politikanët tanë si Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Ali Ahmeti, do ta pranon një union të tillë, por t iu propozonte vetëm njëri nga ambasadorët e Amerikës në Prishtinë, apo në Tiranë.


Kjo është edhe arsyeja pse disa diplomatë të huaj po bëjnë përpjekje ta shuajnë sa më parë trashëgiminë kombëtare të UÇK-së, e cila gjithmonë paraqet pengesë për afrimin e shqiptarëve liridashës me serbët kolonizatorë dhe të përkëdhelur gjithnjë nga Evropa. Me krijimin e një Unioni të tillë, të dominuar nga serbët Evropa do ta pastronte  “ndërgjegjen e vet të tradhtuar” si pjesëmarrëse në sulmin ajror të NATO-s, kundër makinerisë së krimit serb. Evropa historikisht ka ndërgjegje të rënduar me krime e masakra kundër njerëzimit,  si  me Kryqëzatat, ndjekjen e shtrigave dhe  inkuizicionin në mesjetën  e zezë sterrë, fashizmin, antisemitizmin… Janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato që ruajnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Evropë, përndryshe nuk do të përfundonte kurrë historia e krimeve sllave në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …