Ahmet Qeriqi: Ilegali i hapjes së dyerve të lirisë, çast me librin: Ilegal viteve shtatëdhjetë, i autorit, Gani Sylaj

RKL: U nda nga jeta dinjitari i lirisë, atdhetari e veprimtari, Gani Sylaj

Sot me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit, veprimtarit, krijuesit dhe intelektualit, Gani Syla, drejtori dhe stafi i Radios-Kosova e Lirë, familjes Sylaj në Kizharekë e në Prishtinë i shpreh ngushëllime për humbjen e birit të saj, i cili tërë jetën ia kushtoi çlirimit të vendit nga robëria. Me punën dhe aktivitetin e tij të pandërprerë në dobi të kombit me Atdheut, Gani Sylaj do të mbetet shembull frymëzimi për brezat ndërsa jeta dhe aktiviteti i tij i gjithanshëm do të radhitet në mesin e personaliteteve meritore të kombit!Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit e dinjitarit të lirisë, Gani Syla! thuhet në telegramin e ngushëllimit të Radios-Kosova e Lirë, me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit, Gani Syla.

Veprimtari i Palodhshëm i çështjes kombëtare, Gani Syla, ishte në radhën e ideatorëve të Lëvizjes sonë kombëtare, i cili solli një frymë të re mobilizuese në përpjekje të pareshtura për intensifikimin dhe konsolidimin e radhëve të grupeve të shumta atdhetare që vepronin jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën Jugosllavi.  Kishte një natyrë të çiltër, të dashur, të sinqertë dhe ishte tejet komunikues me të gjithë ata që e takonte puna e përditshme apo edhe angazhimet e tjera.

Gani Sylaj u lind  më 14 janar të vitit 1952, në fshatin Kizharekë, të Drenicçës. Shkollën fillore e ka nisur në vendlindje  ndërsa e ka përfunduar në Komoran. Në Prishtinë ka mbaruar Shkollën e Mesme  Normale në vitin shkollor 1971/1972. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës, më vonë Grupi Marksist-leninist i Kosovës…Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burg. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe  në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990

Pas burgut, në vitet 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh: me iniciativën e kolektivit të shkollës fillore të fshatit të lindjes, zgjidhet drejtor i Shkollës  Fillore. Kur u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, u zgjodh kryetar për Komunën e Drenasit, ndërsa në kuadër të kryesisë së kësaj shoqatë ishte i ngarkuar edhe me detyra të tjera; në Lidhjen demokratike të Kosovës, anëtar i kryesisë së degës së Drenasit dhe delegat në kuvendin e saj; në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, kryetar; Në Këshillin për Financim, anëtar i kryesisë së degës në Drenas dhe anëtar i komisionit të kontrollit në nivel të Këshillit. Ishte edhe njëri  ndër redaktoret e Gazetës “Bashkimi” etj.

Pas sulmit të parë të Policisë serbe mbi familjen Jashari në Prekaz në vitin 1991 së bashku me shokët e burgut Gani Syla merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit

Në vitet 1994 -2000 pasi i shpëton ndjekjes së policisë serbe dhe vendoset në Zvicër. Fillimisht kryetar i nëndegës së Cyrihut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicrës. Bashkëpunëtor i Ministrisë  së Arsimit në mërgim; Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër; kryetar i Emergjencës për Zvicër; Kryetar i  degës së Lidhjes së Bashkuar Demokratike në Zvicër etj.

Prill-qershor të vitit 1999, Gani Syla emërohet Zëdhënës i UÇK-së dhe Zëvendës-komandant për Zonën e Veriut. Ka qenë anëtar i Fondit Vendlindja Thërret në vitet  1999-2000, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion; në vitet 2000-2001 drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”; 2001-2002, ndjek kursin për organizimin e partive politike në kuadër të NDI-së, (Instituti Nacional Demokratik).

Në vitet 2002-2005.  Kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së; Kryetar i Komunës së Drenasit, 2006-2011. Drejtues ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë; në vitet 2008-2011 anëtar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së

Veprimtari i palodhshëm i Lëvizjes Kombëtare, Gani Sylaj  një vit më parë kishte  nxjerrë në dritë librin me rrëfime e tregime dokumentare, titulluar: “Ilegal, viteve të shtatëdhjetë”.

Kjo vepër publicistike është prodhim i rrethanave politike, kombëtare e ideologjike të kohës së tij. Dikur një i ri i edukuar në frymë të pastër atdhetare, i lindur dhe i rritur në një ambient ku emri “Shqipëri” konsiderohej i shenjtë, ashtu si emri i nënës dhe ku aspirata për çlirim dhe bashkim nuk kishte ndalur kurrë, por ishin përcjellë nga brezi në brez, fillimisht nëpër oda, duke dëgjuar me vëmendje bëmat  e trimave e trimëreshave  më vonë në shkolla e fakultete, duke mësuar mësimet e historisë, jo gjithherë të mbajtura  mirë në mend, duke lexuar me vëmendje të veçantë e përkushtim shpirtëror vargjet e Naimit, Çajupit, Mjedës, Fishtës, Migjenit, e shumë të tjerëve, duke përcjellë emisionet tematike e dokumentare të Radio-Tiranës, Radio-Kukësit të Televizionit të Shqipërisë dhe tërë një aktivitet i gjithanshëm atdhetar,  që ishte vënë në lëvizje dhe në trojet e mbetura nën Jugosllavinë, kishte edhe një strumbullar, që po qëndronte vertikalisht dhe i pathyeshëm nëpër burgje sikur ishte  Bacë Adem Demaçit, vepra  dhe qëndresa e të cilit  frymëzonte brezat në rrugën e lirisë. Në të gjitha këto zhvillime, aktivitete e  veprime,  Ganiu  me bashkëveprimtarët e tij ishte objekt edhe subjekt i tërë asaj veprimtarie, që kishte për qëllim konsolidimin e idesë kombëtare për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë, si një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme.

Në një kohë të tillë, Gani Sylaj,  ishte rritur dhe ishte nisur në rrugën e tij  si vullnetar i përjetshëm i lirisë, duke zgjeruar radhët, fillimisht në dyshe e treshe, më vonë në dhjetëshe e qindëshe e pak më vonë në mijëshe e dhjetë-mijëshe, të gjitha këto sipas ligjeve të jetës, sipas dialektikës së zhvillimit të kontradiktave jo vetëm klasore.

Rrëfimi në vetën e parë, në këtë vepër dokumentare publicistike të  autorit, Gani Sylaj zbulon më së miri preokupimet e tij, hapat e parë të hedhur në jetë, ambientin në një familje të varfër, por të pastër me ideale kombëtare,  shkollimin në kushte të rënda por me një etje të pashuar për të mësuar sa më shumë, për të zgjeruar rrethin e të njohurve, për të vepruar vullnetarisht në rrugë të zgjimit e kalitjes të idesë së emancipimit kombëtar, me qëllim për të bashkuar radhët, në rrugë drejt realizimit të aspiratave të natyrshme të çlirimit dhe bashkimit. Është meritë e autorit të librit, Gani Sylaj, i cili në veprën e tij i ka dhënë vendin meritor ndikimit dhe propagandës kombëtare por edhe shoqërore e ideologjike që ka ushtruar Shqipëria Socialiste e Enver Hoxhës kudo ndër shqiptarë. Pikërisht  nën ndikimin e asaj fryme të pastër kombëtare, ishte krijuar shqiptari nacionalit i kohës, i veshur me petkun ideologjik marksist-leninist, por në shpirt me brendinë dhe përmbajtjen e thellë kombëtare. Këtë ndikim dhe sjellje të regjimit të Enver Hoxhës me kohë e kishte identifikuar Jugosllavia, e cila akuzonte atë personalisht se në paraqitje dhe propagandë ishte socialist por në brendi nacionalist.

Dimensioni,  që Gani Sylaj i ka dhënë në këtë libër ndikimit që ka ushtruar Shqipëria përmes Radios, televizionit, literaturës, komunikimit përmes lidhjesh të ndryshme, kontaktit të grupeve apo individëve me zyrtarët e Tiranës nëpër ambasadat e vendeve të Evropës e Ballkanit, ku kishte kontaktuar edhe ai me disa bashkëveprimtarët  e tij,   pastaj mbrojtjes së vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, nga Tirana zyrtare, është dimension krejtësisht realist. Ata, që për një arsye apo tjetër mendojnë se ajo periudhë edhe nëse ka qenë e tillë nuk duhet të shkapuritet dhe nuk duhet të spikatët,   janë  hipokritë dhe argatë të shtrembërimit të realitetit të kohës, sepse realiteti edhe mund të paraqitet apo mund  të pretendohet të paraqitet ndryshe, duke gërmuar  ndonjë të metë, pastaj  duke e paraqitur atë si minierë të të metave e dobësive, por  realitet faktik, historik,  që ka mbretëruar në 50 vitet e regjimit socialist në Shqipëri, jo vetëm që nuk mund të mohohet, por me asgjë nuk mund të dëshmohet se paskësh qenë i dëmshëm për shqiptarët andej e këndej Shqipërisë.

Tërësia e veprës  del e  stisur me rrëfime të lidhura organikisht në veten e parë, pastaj  me tregime, të radhitura  mjaft mirë  në tërësinë e saj, të kumtuara e të shkruara me gjuhë të pasur, të thjeshtë dhe të kuptueshme për çdo lexues. Libri është  ilustruar edhe me foto, dokumente e faksimile ku pasurohet edhe në këtë segment tërësia e përshkrimit të ngjarjeve, në mjaft raste edhe me spontanitet, ngjarje të  papritura e të befasishme  dhe elementë të tjerë narrativë, që këtë vepër e bëjnë të veçantë dhe mjaftë të pranueshme për lexuesin… Libri dokumentar publicistik, “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, i autorit Gani Sylaj, e  pasuron publicistikën tonë në përgjithësi,  veçmas tematikën e rezistencës dhe luftës për çlirim e bashkim kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MBAJTJA E AKADEMISË PËR GAZETËN E LËVIZJES -ZËRI I KOSOVËS

U konstatua në këtë Akademi se dy numrat e parë të kësaj gazete janë dalë …