RKL

RKL: Vazhdojnë të degradohen disa nga “dekoratat” e kryetarit, Hashim Thaçi

Dekoratat, mirënjohjet, medaljet që ka ndarë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë filluar  të degradohen në masë, si asnjëherë deri tani, me rastin e ndarjeve të mirënjohjeve të tilla. Deri tani këto dekorata e mirënjohje i kanë refuzuar: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Rexhep Qosja, Veton Surroi, Hydajet Hyseni, Bilall Sherifi, Fatmir Limaj, Radio-Kosova e Lirë, Koha Ditore,  etj. Lista e atyre që nuk po i pranojnë dekoratat që kryetari  i vendit, Hashim Thaçi vendosi t’i ndajë për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë duket se nuk ka të ndalur.

Ky rast është i paprecedent, jo vetëm në Kosovë, kur dihet se njerëzit vështirë heqin dorë nga joshjet me  “mirënjohje e dekorata”, të cilat i ndajnë institucionet, por ato do të duhej të ishin ndarë me kritere të caktuara profesionale, duke peshuar punën, aktivitetin e veprimtarinë e më meritorëve të kombit e atdheut.

Në rastin tonë, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, edhe ky segment i mirënjohjes dhe i qytetarisë ka degjeneruar sepse nuk përfill kritere, por në radhë të parë pëlqime individuale të atyre që i ndajnë mirënjohjet, me anime të hapura politike, ideologjike e klanore, trashëgimi kjo nga e kaluara komuniste.

Të sjellim shembullin e  një çmendurie të tillë, donkishoteske. Mbase dy vite më parë, ish kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani kishte ndarë 700 dekorata, për të gjithë dhunuesit që kishin ndodhur në shesh,  ditën  kur u rrënua shtatorja e Enver Hoxhës. Një precedent i tillë, nuk është shënuar ndonjëherë në historinë e qytetërimit. Po ky ish-kryetar u ndau “nishane” të tilla edhe  krerëve kolaboracionistë të fashizmit e të nazizmit, të cilëve nuk u ka ndarë Italia as Gjermania. Nuk është fjala këtu për mirënjohjet që ua ka ndarë luftëtarëve popullorë të Ballit Kombëtar, shumica e të cilëve më në fund iu bashkuan Luftës Nacional-Çlirimtare, por politikanëve më të komprometuar të kohës.

Rasti i ndarjes së dekoratave, mirënjohjeve e nderimeve nga kryetari, Hashim Thaçi, me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, po shihet se ka dështuar për dy apo ndoshta për më shumë arsye.

Në radhë të parë, dekoratat po refuzohen për shkak se nuk pati një përzgjedhje meritore, në mungesë të profesionalizmit të anëtarëve të Komisionit,  të cilët e kanë bërë këtë përzgjedhje, (nëse atyre nuk ua ka prezantuar listat për nënshkrim ndonjë skrib-zëdhënës i Qeverisë) dhe në radhë të dytë, dhe që është për të ardhur keq, për shkak se ato i ka nënshkruar kryetari aktual i Kosovës,  Hashim Thaçi, i cili sado që pretendon të paraqitet  kryetar i unitetit, po shihet fare mirë se  nuk është i tillë dhe për më keq nuk e ka besimin e atyre, që do të duhej ta kishte, pavarësisht bindjeve politike.

Ajo që i ka munguar më së tepërmi këtyre listave, nuk është vetëm mungesa e kriterit, por edhe një anim i papranueshëm në baza politike e ideologjik i tre anëtarëve  të Komisionit. Në këtë listë me qindra njerëz, disa nga ata janë  autoritete e personalitete me peshë dhe rëndësi, por në anë tjetër,  ka edhe bashkëpunëtorë të Stanishiqit, gazetarë e kameramanë që kishin leje qarkullimi në zonat e luftës dhe kalonin pa asnjë vështirësi nëpër postblloqet serbe, kundërshtarë të hapur të luftës së UÇK-së, e të tjerë.

Dhe animi që bie në sy më së tepërmi është përjashtimi  i të gjitha autoriteteve të larta të Lëvizjes Vetëvendosje, i të burgosurve politikë, ndër më meritoret që kanë qenë edhe pjesë e luftës së UÇK-së e mbi të gjitha pothuajse i të gjithë gazetarëve, reporterëve dhe kameramanëve të luftës së UÇK-së, madje edhe i atyre që nuk kanë qenë vetëm gazetarë të Radios-Kosova e Lirë apo të Agjencisë Kosovapress. Këto institucione informative të luftës, Thaçi i ka dekoruar sa për sy e faqe, sepse dihet fare mirë se çfarë qëndrimi ka mbajtur ai  gjatë dha pas luftës, sidomos kundër gazetarëve të Radios-Kosova e Lirë.

Në mesin e të dekoruarve nuk është reporterja e luftës, heroina, Hyrë Emini, pjesëmarrëse në tri luftërat çlirimtare. Nuk është reporteri i luftës i Radio dhe Agjencisë, dëshmori i kombit, Xhavit Bajraktari. Mungojnë emrat e më meritorëve të informimit të luftës së UÇK-së, gjatë luftës si:  Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Habib Zogaj, Valdet Hoti, Ismet Sopi, Skënder Krasniqi, Murat Musliu, Xhemë Binaku, Sabahajdin Cena, Ali Geci, Salih Lajçi, Nexhmi Lajçi, Zeqir Bekolli, Fetnete Ramosaj, Skënder Gashi, Muharrem Mahmuti, Shefqet Cakiqi, Ruzhdi Jashari, Ali Uka, Remzie Zeqiri, Ismet Sylejmani, Shemsi Syla  e shumë të tjerë. Nuk është në atë mes as Familja e Asllan Berishës, ku kanë emetuar program, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress gjatë luftës.

Mungon “Epoka e Re”  e kohës së luftës, gazeta “Çlirimi”, organ i LKÇK-së, LPK-ja,  organizata më meritore kombëtare para dhe gjatë luftës së UÇK-së. Është normale që në një rast si ky, qoftë edhe i një 10-vjetori jubilar,  nuk mund të përfshihen të gjithë meritorët, por në çdo përzgjedhje numerike qoftë me 10, 50 apo 100 personalitete mund dhe është dashur të identifikohen më meritorët.

Me asnjë mirënjohje nuk janë përfshirë oficerët nga Shqipëria që luftuan në frontet e luftës çlirimtare, duke qenë edhe kuadro e udhëheqës të lartë të asaj lufte si kolonelët: Dilaver Goxhaj, Adem Shehu, Bardhyl Tahiri, pastaj luftëtarët internacionalistë si dëshmorët e UÇK-së: Françesko Bider, Pjer Arno Pajar, Murad Muhamed Ali, dhe luftëtarë të tjerë shumë të njohur si Roland Bartecko,  anglezi Xhonson, gjermani  Hanc e  e shumë të tjerë.

Duke parë këto anime, mungesën e përzgjedhjes reale me kritere e metodologji të njohur për raste të tilla, “mirënjohjet, dekoratat, lëvdatat” e kryetarit  dhe stafit të tij kanë marrë goditjen e parë serioze dhe kanë vënë në dyshim tërë procesin e përcaktimit dhe ndarjes në mirënjohjeve e dekoratave. Ka ndodhur edhe në raste të veçanta kur  mirënjohjet janë refuzuar, nga individë dhe autoritete të caktuara, por refuzimi nga disa autoritete meritore të kombit si: Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Hydajet Hyseni, e të tjerë, nuk janë refuzime kapricioze, por refuzime që duhen marrë me shumë seriozitet, sepse po shihet mirëfilli dhe duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë se  nuk ndërtohet Shteti me parulla e deklarata kontraverse, para dite “lepe peqe”, pas dite, ja kthejmë ndryshe.

Këtë refuzim të dekoratave, nuk duhet kuptuar si fushatë kundër atyre që i kanë pranuar dhe do t’i pranojnë ato, sepse secili vendos për veten e vetë, por refuzimi që iu ka bërë dhe do t’ iu bëhet në vazhdim këtyre dekoratave, qoftë  edhe heshtas nga shumë të dekoruar, të cilët nuk begenisin të dalin hapur, por e injorojnë  ato duke mos i tërhequr, tërë kjo lë një shije të hidhur të mungesës së seriozitetit institucional, gati njëzet vjet pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb dhe 10-vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, …