Pas aktgjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vajza e Heroit të Kombit, Tahir Sinani, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar vendimin si një padrejtësi të madhe ndaj shqiptarëve dhe luftës çlirimtare të Kosovës. Në reagimin e saj, ajo ka ngritur pyetje mbi trajtimin e krimeve të kryera ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës, duke përmendur vrasjet, masakrat, përdhunimet dhe djegiet e civilëve, ndërsa ka kundërshtuar fuqishëm çdo përpjekje për ta barazuar luftën për çlirim me krimet e luftës. Ajo e ka akuzuar Gjykatën Speciale se është krijuar për të goditur UÇK-në dhe drejtuesit e saj, ndërsa ka kritikuar edhe ata që, sipas saj, kanë kontribuar në denigrimin e luftës çlirimtare. “Një verdikt i një Gjykate jo të drejtë, nuk ka për t’ia humbur lavdinë UÇK-së. Nuk ma justifikon dhunën, masakrën, terrorin e Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Nuk mundet dëshmorin të ma bëjë terrorist. Nuk mundet të ma shkruajë Historinë, se ne e shkruajtëm me gjak”, ka shkruar ajo. Vajza e Tahir Sinanit ka deklaruar gjithashtu se, pavarësisht verdiktit të Hagës, kujtimi dhe vlerësimi i saj për UÇK-në mbetet i pandryshuar, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Përjetë me UÇK” dhe “Kosova është Shqipëri”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
