Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Sabit Jaha: GËRSHET KUJTIMESH DHE KRIJIMESH

(Gafur Gashi “KUJTIME PËR FERIZ GURIN – KOMANDANT SHPATA”, SHB “SAS”, Prishtinë, 2023)

 

Dorëshkrimi i Gafurr Gashit, “KUJTIME PËR FERIZ GURIN – KOMANDANT SHPATA” për mua kishte një domethënie dydimensionale: e para se, Gafurri ishte nxënës imi gjatë fillimviteve të 80-ta (kur jepja mësime të gjuhës dhe të letërsisë shqiptare në Begracë të Kaçanikut, për çka e mbaj në mend si nxënës shembullor) dhe e dyta se, Gafurri duke e njohur nga afër FERIZ GURIN alias KOMANDANT SHPATËN, që nga shkolla e mesme në Kaçanik si dhe gjatë periudhës së studimeve në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin Elektroteknik, në shenjë nderimi për shokun, kolegun e bashkëvendësin – FERIZ GURI (1970 – 1999) mblodhi dhe mbarështoi kujtime dhe krijime të shumta, që nga fëmijëria e deri në rënien e Tij në Altarin e Lirisë, Dëshmor ky, që tashmë Emri i Tij, është në mesin e sa e sa HERONJVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. 

Dhe, krahas këtyre dy paraleleve që zura ngoje më parë, ma thotë mendja se lypset që të përvijoj edhe disa të dhëna faktike, me të cilat veçsa përplotësohet shëmbëlltyra e Personalitetit të FERIZ GURIT, për të cilin, (ku më pak e ku më shumë) pata rastin të dëgjoja a lexoja në gazeta, revista, libra, në dokumentarë në radio a televizon si nga: Prof. dr. Hajrullah Koliqi, kolonel Hajrush Kurtaj, Prof. dr. Nusret Pllana, e sa e sa gazetarë e publicistë të tjerë, pa përjashtim të Bashkëluftëtarëve të Tij, kujtimet e të cilëve i keni të përvijuara në këtë LIBËR KUJTIMESH, që me një kujdes të posaçëm i sistemoi GAFURR GASHI, për çka gjithsecilin e falënderon (emër për emër), duke vënë në plan të parë (edhe mbase të pazëvendësueshëm FAMILJEN GURI, në mënyrë të posaçme kontributin e prindërve, Nënës Sahide dhe Babait Faik e pastaj Vëllezërve: Habibi, Kjaniu, Zijadini dhe Motrave: Xhejlane, Hava, Hajrije, Emine, Feride të FERIZIT), (duke pasur parasysh dhe konsideratë ndaj dy vëllezërve: FERIZ e HAJRIZ GURI,  por assesi duke mos e anashkaluar fill e mbarim kushëririn dhe shokun e përjetshëm Hesat Gurin si dhe duke i përmendur (në radhë të parë mësuesin Zahir Qorri, për katër vite me radhë kl. I – IV) edhe shokët e shkollës fillore, të mesme, të fakultetit, posaçërisht Bashkëluftëtarët me të cilët Komandant Shpata ishte në shërbim të UÇK-së si: Agim Bajrami, Qamil Ilazi, Hajrush Kurtaj, Azem Guri, Hesat Malsiu, Hesat Guri, Hasan Krasniqi, Muhamet Malsiu, Deli Krivanjeva, Murtez Neziraj, Shefket Palloshi, Zylfi Çaka, Ahmet Krasniqi, Izet Krivanjeva, Musa Zenuni, Akademik Jusuf Krasniqi, Akademik Mehmet Halimi, Mehmet Ballazhi, Reshat Murseli, Rrahim Sadiku, Nazmi Kuka, Jashar Selimi, etj., etj., si dhe një varg e vistër emrash që gëzuan dhe gëzojnë autoritet të duhur, atëherë e sot. 

Dhe, tashmë po të ishin në këtë jetë sidomos: Xheladin Kurtaj, Besnik Begunca, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Xhemajl Krivanjeva, Ejup Runjeva, dr. Daut Bislimi, Xhevdet Guri, Hajriz Guri e ndonjë tjetër, me siguri do të kishin edhe shumëçka për të thënë për FERIZ GURIN – KOMANDANT SHPATËN, për këtë Tribun, Titanik më i fortë se Guri, se Çeliku…

Për FERIZ GURIN, sot e gjithë ditën, kanë se çka flasin bindshëm (pos Vëllezërve e Motrave Guri) edhe: Izahir Doda, Ridvan Mehmeti, Gafurr Gashi, Hyrjete Isufi, Melihate Kelmendi (motra e Aziz Kelendit), Ekrem Çaka, Hajrush Kurtaj, Deli Krivanjeva, Izet Krivanjeva, Murtez Neziraj, etj., etj. 

Në këtë libër, pos kujtimeve, janë përfshirë edhe krijime letrare, piktura, portrete dhe krijime muzikore (tekste këngësh) nga: Adem Gashi, Rexhep Bunjaku, Murtez Neziraj, Milaim Miezini, Gafurr Gashi, Erblina Gashi, Jusuf Lushaku, Azem Guri, Merxhan Gashi, Imri Trena, Isa Malsiu, Arbërie Qeriqi, Ilir Axhami, Granit Krasniqi, Arbëresha Hajrizi, Ermal Gashi, Blerta M. Gashi, Arjanita Azizi, Afrim Vishi, Sabit Jaha etj. 

Falë aftësive për të mbajtur mend, të gjithë këta njerëz që dhanë kontributin e tyre për këto kujtime dhe krijime tejet të rëndësishme, me vlera të pakontestueshme, tashmë më shumë se kurrë më parë e kemi më të plotë jetëshkrimin për FERIZ GURIN – KOMANDAT SHPATËN, i cili kudo që ishte dha shembullin e më të mirit, ndër më të mirët, ngase Veprimet e Tij ishin të qarta, të shkurtra dhe të prera – ashtu siç prente “SHPATA” e Tij, thuhet në sa e sa kujtime të të gjithëve sa e si njohën FERIZIN gjatë 29 vjetëve të JETËGJATËSISË së Tij fizike, (1970 – 1999), por që do ta njohin gjeneratë pas gjenerate, për qindra e qindra… vjet, tash e tëhu, jo vetëm në Nikaj të Kaçanikut, por anekënd Kosovës edhe në të gjitha trojet shqiptare, gjithkund e gjithmonë, ku (denbabaden) shqip bukës i thanë, i thonë dhe do t`i thonë bukë e ujit – ujë, për çka FERIZ GURI – KOMANDANT SHPATA kreu borxhin ndaj Atdheut, e çoi në vend AMANETIN E PRINDËRVE, ku krahas Bashkëluftëtarëve ishte përherë i PARI, kudo e kurdo që ishte nevoja, aty ishte më guximtari, pa u trembur me Topin e Tij pa Dridhje. 

Vërtet, nga të gjitha këto kujtime venerojmë bindshëm se mbiemri i Tij GURI asocon me përkatësinë e GURIT të STRALLIT, gur i fortë që nxjerr shkëndija, prandaj Ai ishte i tmerrshëm për armiqtë, por melhem për varrë për miqtë, – pohonin pareshtur Bashkëluftëtarët e Tij, të cilët në  aspektin më të lartë e kujtojnë për çdo vit, çdoherë si edhe sivjet. 

Ky LIBËR KUJTIMESH i njerëzve të: shtresave, moshave, gjinive, profesioneve dhe partive të ndryshme, të përmbledhura në këtë vëllim, GËRSHET KUJTIMESH E KRIJIMESH, nga Gafurr Gashi (shok i shkollës dhe i studimeve në fakultet), jep për të kuptuar se FERIZ GURI – KOMANDANT SHPATA, sikurse sa e sa Dëshmorë a Heronj të tjerë meriton edhe shumëçka më shumë të bëhet për Atë (FERIZ GURIN) dhe Ata (DËSHMORËT), të cilët bënë gjithçka për të mirën TONË, duke na sjellë LIRINË. Prandaj, NE ua kemi borxh ATYRE së paku (në mos më shumë) të mos i anashkalojmë! Të mos i harrojmë, se mund të na mallkojnë gjeneratat që vijnë pas nesh, KUJDES!

Me këtë rast, assesi nuk guxojmë ta lëmë anash RADION KOSOVA E LIRË, e cila si medium është e para dhe e vetmja, që përmes valëve të saj (edhe pse në kushte e rrethana aspak të favorshme ekzistenciale me mjete vetanake në vazhdimësi publikon Veprimtarinë e UÇK-së, duke shënuar çdo PËRVJETOR të BETEJAVE si dhe për secilin PERSONALITET USHTARAK, veç e veç, qe sa e sa vjet, pareshtur. Në këtë drejtim kontribut të posaçëm, për këtë zonë ushtarake, kanë dhënë dhe po japin: kolonel Hajrush Kurtaj (më shumë se kushdo tjetër për Zonën Operative të Nerodimes), Isuf Sherifi, Rrahim Sadiku, Musli Vërbani, Nusret Pllana, Berat Luzha, Fadil Curri, Mehmet Ballazhi, Emin Kabashi, Nuhi Bytyçi, Afrim Mustafa, Rufki Suma, Murtez Neziraj e ndonjë tjetër. 

Sot, me këtë LIBËR KUJTIMESH e KRIJIMESH për FERIZ GURIN – KOMANDANT SHPATA, Gafurr Gashi në këtë Shtëpi Muze të Nikajve të Kaçanikut, po e vë edhe NJË GUR në këtë Fortesë të Qëndresës sonë Kombëtare, duke ua shtuar namin edhe më shumë: DËSHMORËVE GURI: FERIZIT, XHEVDETIT, SADIKUT, QEMAJLIT dhe gjithë DËSHMORËVE të kësaj ane, për të mos u harruar brez pas brezi nëpër shekuj, se vetëm kështu NE mund të shkruajmë historinë tonë, ashtu siç është e vërteta. 

Pra, derisa emri i FERIZ GURIT dhe VËLLEZËRVE ÇAKA figuron në ballinën e Shkollës së Mesme Profesionale në Kaçanik, në SHTËPINË MUZE TË NIKAJVE (apo thënë më vendçe) KULLA E NIKAJVE; derisa vëllai zëvendësoi vëllain e vrarë me pushkën e të cilit vazhdoi luftën, siç veproi Kjaniu me pushkën e Ferizit; derisa thuren vargje, këndohen këngë, portretizohen figurat emblematike e shkruhen monografi për personalitetet e shquara të kësaj LUFTE TË SHENJTË, vetëm në këtë mënyrë NE i mbrojmë VLERAT e NJËMENDTA të UÇK-së, prandaj, në këtë mënyrë NE njëkohësisht edhe kryejmë misionin tonë që na përket, meqë për këtë dha jetën edhe FERIZ GURI – KOMANDANT SHPATA së bashku me Xhevdet GURIN, kushëririn e bashkëluftëtarin e tij.

Dhe, nuk kam çfarë të shtoj diç më shumë a diçka në tjetër, meqë kujtimet janë aq të shumta dhe të begata, që janë përmbledhur në këtë GËRSHET KUJTIMESH E KRIJIMESH, të cilat na i dhuroi Gafurr Gashi, në shenjë respekti e nderimi për shokun, kolegun e tij FERIZ GURI, për çka ne lypset t`i falënderohemi sot e tutje, t`i jemi mirënjohës, sikurse sa e sa autorëve të tjerë, që dhanë e thanë çfarë sa ditën e sa mundën!

Dhe, krejt në fund, në emër të SHB “SAS”, shpreh falënderim, së pari ndaj autorit GAFURR GASHI që më ofroi këtë dorëshkrim të tillë për ta bërë libër si ky, së dyti falënderoj FAMILJEN GURI për besimin e dhënë për botimin e kësaj vepreje, ku PERSONAZH KRYESOR është FERIZ GURI – KOMANDAT SHPATA, së treti, ju falënderoj JU, (gjithë lexuesit) e këtij libri me kujtime e krijime për FERIZ GURIN – KOMANDAT SHPATA!

P.s. 

Migjithatë, ky libër, s`është i pari dhe mos qoftë i fundit për FERIZ GURIN – KOMANDANT SHPATËN! Dëshiroj dhe uroj që të botohen edhe sa e sa vepra të tjera, të zhanrëve dhe disiplinave të ndryshme të DIJES për këtë NJERI që dha JETËN e TIJ për LIRI të Kosovë e që nga AI pritej me SHPRESA TË MËDHA, që do të jepte edhe në SHKENCË, për të cilën kishte investuar DIJE UNIVERSALE. 

Sabit JAHA

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …