Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: DITA NDËRKOMBËTARE E FJALËS SË LIRË

Fjala e lirë është themel i demokracisë.
Për ta shprehur lirshëm fjalën, duhet të sigurohen mbrojtje dhe siguri për ata që e thonë.

Sipas profesionit, këtë duhet ta mbrojnë më së shumti gazetarët, opinionistët dhe njerëzit e letrave e të fjalës publike. Kur kjo kthehet në pasion dhe bëhet me vullnet të madh, deri në gatishmëri për sakrificë për të dhënë lajmin e parë, për të parë ngjarjen dhe për të ngritur zërin — atëherë kjo përpjekje i rrezikon më së shumti gazetarët e luftës dhe ata që raportojnë nga terreni në konflikte mes dy apo më shumë palëve.

Nuk mjaftojnë vetëm shenjat “PRESS”; duhet të ekzistojë edhe fuqia e ndëshkimit ligjor për këdo që guxon, për çfarëdo qëllimi, t’i godasë, t’i vrasë apo t’i torturojë gazetarët. Sepse gazetari bën — ose duhet të bëjë — një punë reale dhe të drejtë, që mund të konsiderohet edhe e shenjtë.

Por kur gazetari nuk është real dhe, në emër të fjalës së lirë, shpif e dezinformon, gjykon e paragjykon, akuzon dhe ngre akuza mbi shpifje të qëllimshme, atëherë ai jo vetëm që i ka kaluar standardet e fjalës së lirë, por ka hyrë në përmasa inkriminuese.

Në gazetari mund të kamuflohen edhe individë të spiunazhit, të cilët më së shumti mund të maskohen pikërisht përmes këtij profesioni, si dhe në organizata humanitare si Kryqi i Kuq, Karitasi apo shoqata të tjera sociale e të shoqërisë civile.

Gazetarët që përhapin lajme të rreme dhe përdorin tituj mashtrues, si dhe ata që shkruajnë vetëm për lajka, duhet të ndëshkohen, ndërsa populli duhet të mbrohet nga dezinformimi.

Prandaj nevojiten ligje të qarta dhe të fuqishme për këto kategori, dhe për shpifjet që bëjnë duhet të përgjigjen penalisht.

Na është bërë e vështirë të kuptojmë të vërtetën, pasi është shpikur “alternativa”, duke krijuar idenë se mund të ekzistojnë disa “të vërteta” për të njëjtën gjë. Po ashtu është krijuar edhe koncepti i ndarjes së rrenës në dy kategori: “rrena e zezë” dhe “rrena e bardhë”.

Sido që të jetë, dora e shtetit duhet të jetë e fortë me ligje, si në mbrojtjen e fjalës së lirë, ashtu edhe në ndëshkimin e shpifësve dhe të atyre që akuzojnë pa të vërteta, të kamufluar nën emrin e fjalës së lirë.

Shumë gazetarë janë torturuar dhe vrarë me qëllim, për t’u humbur gjurmët e ngjarjeve. Për këto vrasje dhe zhdukje, shtetet rrallë ndëshkohen — qoftë për ngjarjet brenda tyre, qoftë për vrasjet gjatë luftërave apo konflikteve, për të fshehur krimet dhe veprimet e paligjshme.

Shteti duhet të mbajë një kontroll të arsyeshëm mbi mediat që financohen nga të huajt dhe që u shërbejnë interesave të tyre. Duhet të verifikohen edhe të ashtuquajturit analistë — se në shërbim të kujt janë — në mënyrë që të mos dëmtojnë psikologjikisht opinionin publik dhe të mos çmontojnë vlerat e historisë sonë, duke cenuar interesat kombëtare.

Sidomos sot, kur forca shpesh paraqitet si drejtësi dhe kur rregullat ndërkombëtare shpesh nuk respektohen, është e domosdoshme të forcohen ligjet kombëtare për mbrojtjen e fjalës së lirë, e cila ende mbetet e mangët, si dhe për garantimin e jetës së çdo individi, që gjithashtu mbetet e pamjaftueshme.

Urime Dita Ndërkombëtare e Fjalës së Lirë për të gjithë ata që, me guxim, përgjegjësi dhe të vërtetë, e përdorin atë!

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj

Ramiz Tafilaj: AAK-ja përballë sfidave të reja

Në politikën kosovare ka pak parti që kanë kaluar nëpër aq shumë sfida, transformime dhe …