Sadik Halitjaha: Po biem pre e mosmarrëveshjeve mes veti të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të bashkuara të Amerikës

Sadik Halitjaha: Po biem pre e mosmarrëveshjeve mes veti të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të bashkuara të Amerikës

 Në një bisedë në studion e TV-Diellit, më 26 qershor 2020, i burgosuri politik, veprimtari, zëvendës-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut gjatë luftës,  invalidi dhe veterani, Sadik Halitjaha ka folur për situatën aktuale në Kosovë me theks të veçantë, në zhvillimet e fundit pas paraqitjes së papritur dhe të paligjshme të aktakuzës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale, kundër kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, në vigjilje të mbajtjes së takimit, në Uashington.

I përndjekuri, i burgosuri politik, nga regjimi serb, veprimtari, luftëtari i lirisë dhe eprori i UÇK-së e TMK-së, invalidi dhe veterani i luftës, Sadik Halitjaha, është një intelektual i rezistencës aktive, i formuar me kohë, në rrethana nëpër të cilat kanë kaluar  shumica e çlirimtarëve të Kosovës. Ai është kalitur nëpër ditë të vështira të jetës në ilegalitet  dhe ka një përvojë solide në shumë veprimtari.  Sadik Halitjaha  ka një përvojë të gjatë jetësore në aktivitetin politik e organizativ  qysh prej viteve ’70-të shekullit të kaluar dhe ka qenë një ndërlidhje serioze mes grupeve atdhetare të kohës, që vepronin në platforma të ndryshme për nga emërtimi, por që kishin një program unik, çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e natyrshëm me Shqipërinë.

Duke folur lidhur me zhvillimet e fundit në vend, Sadik Halitjaha, ka dënuar aktin politik të Prokurorisë së Gjykatës, Speciale, (apo të ashtuquajturave “Dhoma të specializuara”) kundër kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, pikërisht në kohën kur po bëheshin përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në Takimin e Uashingtonit, ku pritej të bisedonin kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiq me ndërmjetësimin e  z, Riçard Grenell, i emëruar nga kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Sadik Halitjaha, ka folur për rolin historik të Amerikës në mbështetje të çështjes shqiptare, duke përmendur angazhimin e kryetarit, Vudrov Vilson në vitin 1920, për mos copëtimit të mëtejmë të Shqipërisë, mes Serbisë e Greqisë, kërcënimin e kryetarit Xhorxh Bush në vitin 1999 kundër Milosheviqit, në rast se sulmon shqiptarët në Kosovë dhe veprimin ushtarak të kryetarit, Bill Clinton në vitin 1999, i cili në kye të NATO-s dha urdhrin e bombardimit të Serbisë sodomiste. Ai thotë se këto  ishin  tri momente kyçe për mbijetesën e popullit dhe shtetit shqiptar, në Ballkan.  Ai i ka folur edhe për rolin që ka luajtur Evropa, apo shtetet e saj lidhur me shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti për zvarritjen 21-vjeçare të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, edhe pse ajo ka marrë për detyrë të angazhohet në këtë drejtim.

 

“Ne vetë jemi përcaktuar për rendin demokratik te Evropës, jemi shkëputur me kohë nga Lindja madje me luftë dhe me viktima të shumta, sepse ne konsiderojmë se kemi qenë dhe jemi në Evropë, historikisht dhe gjeografikisht. Ne e duam Evropën dhe këtë e kemi dëshmuar me sa e sa shembuj, por mjerisht ajo ose nuk na dëgjon, sepse ne nuk kemi qenë sa duhet insistues ta dëshmojmë këtë, ose e bën veshin e shurdhër, për qëllime që ne nuk i dimë. Thjesht me aktin e fundit BE-ja tregoi edhe arrogancë të tepruar, duke mos lejuar që çështja e zgjidhjes përfundimtare të problemeve me Serbinë, të zgjidhet në Uashington, sepse paragjykohet se Amerika ua mbanë krahun shqiptarëve, si populli më pro-amerikan në botë, dhe se gjoja palët në bisedime, Kosova dhe Serbia do të merreshin vesh për ndërrim të territoreve, edhe pse kjo është demantuar sa e saj herë, zyrtarisht në Uashington. Ne tani, pa fajin tonë,  po biem pre e mosmarrëveshjeve mes veti të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

 Duke folur për Gjykatën Speciale, Sadik Halitjaha, edhe vetë i akuzuar nga kjo gjykatë, ka thënë se themelimi i saj, në rrethana të një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, që dihet botërisht, nuk është bërë me qëllim për të ndarë drejtësi, sepse dihet botërisht se kush ka qenë viktimë e kush xhelat, pasi  Serbia e Milosheviqit ishte bombarduar nga NATO-ja për krime lufte, spastrim etnik, gjenocid në Kosovë kundër shqiptarëve, në vitin 1999, ashtu sikur kishte bërë krimeve dhe kishte kryer gjenocid edhe kundër boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve, gjatë viteve  1992-1995, por nuk ishte ndëshkuar.

Sadik Halitjaha, ka tërhequr vërejtjen se dy veprimet e fundit të Gjykatës Speciale, sikur ishte rasti me kryetarin e Shtetit, Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe si rastri i kidnapimit të Adem Zogianit nga zyrtarët e EULEX-it dhe dërgimi në Hagë pa paralajmërim i kanë shqetësuar veteranët. Nëse ndodhin edhe raste të tilla të kidnapimit, unë për veten time nuk do të pajtohem me veprime të tilla dhe do të rezistoj, ka saktësuar, eprori i lartë i UÇK-së gjatë luftës, Sadik Halitjaha. Megjithatë ai beson dhe shpreson se veprimet e tilla nuk do të përsëriten, duke veçuar faktin se ato mbase edhe janë konstruktuar për ta sprovuar qëndrimin tonë paqësor, i cili do të jetë i tillë, nëse nuk eskalon për qëllime të caktuara që qarqeve, që nuk ia duan të mirën Kosovës e popullit të saj.

(Bisedën në studion e TV-Diellit me Sadik Halitjahën e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …