Shqiptarët më së paku duhet të frikësohen, sepse asnjëherë nuk kanë dëmtuar asnjë popull, kurrë nuk kanë okupuar asnjë pëllëmbë tokë të huaj.
Gjithmonë kanë bërë luftë mbrojtëse dhe përherë janë rreshtuar krah luftërave çlirimtare.
Edhe pas kaq vitesh, me hezitim themi se ishim në frontin antifashist dhe e luftuam fashizmin përkrah aleatëve.
Më të zëshmit e më të guximshmit kanë mbetur mbetjet e fashizmit, ish-kuislingët dhe kolaboracionistët tradhtarë.
Si mund të heshtet lufta antifashiste, kur Shqipëria me forca vetanake e çliroi vendin?
Në këtë përvjetor, në këtë datë të përbashkët të gjithë dëshmorëve të kombit – 5 Maji – kujtohen edhe dëshmorët e UÇK-së dhe të tri luftërave, rreth 3.000 dëshmorë dhe 35.000 viktima civile, bashkë me të rënët në Shqipëri në luftën antifashiste, rreth 28.000. Kjo do të thotë se në çdo kilometër ka rënë një dëshmor.
Shqipëria e ndihmoi edhe Jugosllavinë me brigadat e saj luftarake në ndjekje të fashizmit, pasi një vit para Jugosllavisë ishte çliruar. Me këtë veprim përmbushi obligimin në kuadër të aleancës antifashiste.
Ndihma ishte në bashkëpunim me aleancën. Më e rëndësishmja: brigadat shqiptare luftuan bashkë me 16.000 kosovarë kundër fashizmit. Luftëtarët e përzier shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova patën edhe serbë e malazezë, të cilët kishin vendosur në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës, më 30-31 dhjetor 1943 dhe 1-2 janar 1944, që pas përfundimit të luftës kundër fashizmit, Kosova të ketë të drejtën të vetëvendosë për t’u bashkuar me Shqipërinë.
Këto vendime Partia Komuniste Jugosllave, në kongresin e dytë të saj në AVNOJ, i abrogoi dhe aneksoi Kosovën.
Shqiptarët e Kosovës, nga krijimi i OZNA-s në vitin 1943 deri në vitin 1947, u likuiduan fizikisht mbi 7.100 persona. Kjo do të thotë se jugosllavët gjatë kësaj periudhe vranë më shumë shqiptarë sesa fashizmi.
Kur të gjitha këto janë të vërteta, pse duhet të frikësohen shqiptarët t’i thonë? Kjo është vlerë, kjo është dhimbje, kjo është lufta jonë e lavdishme për liri. Ky fakt i njohur ndërkombëtarisht pse të mohohet?
Shqiptarët pse mundohen ta fshehin këtë vlerë? Aq më keq, mohojnë komandantin e përgjithshëm Enver Hoxha dhe luftën partizane, që ishte nën udhëheqjen e tij. Mundohen mbetjet fashiste titiste, ish-kolaboracionistët dhe pasardhësit e tyre ta përbaltin ideologjinë e asaj kohe, aleancën antifashiste dhe sidomos partinë që ishte pararojë e masave të Frontit Nacionalçlirimtar.
Pse nuk guxojmë ta themi të vërtetën? Pse tradhtarët përpiqen t’u përshtaten të huajve dhe t’i mashtrojnë ata se janë siç duan ata, e jo siç janë në realitet?
A mendojnë se të huajt i vlerësojnë mashtruesit më shumë se të vërtetën?
Neve shqiptarëve ose na duan siç jemi, ose nuk na duan fare. Nuk bëhemi siç duan të tjerët.
Të tillët që ndryshojnë sipas erës nuk i do askush.
Sot duhet ta kuptojë çdo kush se nuk mund të jetë i favorizuar vetëm pse deklarohet kundër monizmit, komunizmit apo Enver Hoxhës.
Nuk është komunizmi ai që sot rrezikon botën kapitaliste dhe askujt nuk i intereson nëse jemi socialistë apo jo. Por nëse je enverist, je kombëtar, je me dinjitet dhe je i vërtetë – je vetvetja.
Prandaj, për shumëkënd është krenari të jetë enverist, sepse e lidh këtë me nacionalizmin dhe luftën për atdhe.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
