Sazan Ibrahimi: Ka raste që nga viti 2022

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësimin për vonesat në kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, duke kërkuar krijimin e një fondi emergjent për komunat. Ibrahimi tha se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe komunave po ndikon drejtpërdrejt në trajtimin e dëmeve. Sipas tij, ka raste kur qytetarët, bizneset dhe bujqit nuk janë kompensuar plotësisht për dëmet e shkaktuara që nga viti 2022. “Ka raste që nga viti 2022 nuk janë kompensuar në plotni bujqit sa i përket dëmeve të vërshimeve”, deklaroi Ibrahimi, duke shtuar se komunat shpesh nuk informohen as për kompensimet që u bëhen qytetarëve. Ai tha se përgjegjësitë janë të përcaktuara me ligj: komunat bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe miratojnë raportet përkatëse, ndërsa dokumentacioni përcillet në nivelin qendror, të cilit, sipas Ibrahimit, i takon përgjegjësia për kompensimin. Sipas tij, dëmet e raportuara nga komunat ndër vite kapin vlerën e dhjetëra miliona eurove, duke përfshirë dëmet në bujqësi, biznese, prona dhe infrastrukturë lokale. Për të përshpejtuar reagimin institucional, AKK ka kërkuar krijimin e një fondi emergjent për komunat. Ibrahimi argumentoi se një fond i tillë do t’u mundësonte komunave të ndërhynin menjëherë pas vërshimeve, zjarreve apo fatkeqësive të tjera, pa pritur procedura të gjata për kompensim nga niveli qendror. “Këtë e kemi kërkuar ne. Të kemi një fond emergjent për komunat”, tha ai, duke pretenduar se kërkesat e komunave deri tani kanë hasur në “vesh të shurdhër” nga niveli qendror.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK mbështet propozimin e Ramush Haradinajt që për kryetar të Kosovës të propozohet Hashim Thaçi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbështetur propozimin e ish …