Sefer Pasha

Sefer Pasha: Heronjtë e socializmit që ranë për Shqipërinë nuk lejuan të shkelet kufiri nuk lejuan drogën, prostitucionin, sidën…

Tek i viziton varret e Dëshmorëve të Kombit është e pamundur të mos bjer në sy një gjë e shëmtuar. Në atë varrezë ku prehet Qemal Stafa me shok vitet e fundit janë varrosur dhe të rënë të kohës së demokracisë. Pyetja e parë që bën vizitori i thjeshtë është: “Çdo “iksi” në panteonin e të rënve? Ç’biografi ka? Më kë ka luftuar? Më tregoni një betejë si ajo e Tendës se Qypit? Me cilët armiq u përballë? Në ç’muze janë reliket e luftës? Pyet e askush s’të jep përgjigje. Paguaj ca para nën dorë, merr një vendim politik e shko pranë Qemal Stafës.

Varrosen mes heronjve viktima të një lufte shpesh të pakuptimtë e me burime të paqarta të motivit të vrasjes. Nuk dua të lëndoj askënd. Grekërit dhe romakët e kishin panteonin si tempullin kushtuar perëndive. Tek çupejka me emrin “Nënë Shqipëri” ka një etje për t’u ngjitur. Pa zënë aty një gjysmë metri vend nuk ka lavdi, kot që e ke derdhur gjakun, vetëm aty nderohesh, të kujtojnë, mbi supe të hedhin një mal me lule, të afërmit ndihen krenar se i rëni “prehet tek Qemal Stafa e Vojo Kushi”.

Prandaj lufta për të pushtuar atë “territor” është e madhe. Vazhdon. Aty  janë futur “kontrabandë” edhe të rënë që meritojnë një vend tjetër, por jo tek heronjtë e luftës. Në botë kjo nuk ndodh. Udhëhqësi i opozitës serbe Xhinxhiç nuk u varros tek heronjtë e luftës në Beograd, por tek varreza e njerëzve të nderuar të Serbisë. Nëse e xhvarrosën Enver Hoxhën, i cili ishte dhe komandanti i luftës, ç’duan aty emra me “kleçka”?. Sot në arkiva figurojnë si dëshmorë vetëm ata që kanë rënë në kohën e demokracisë.  Por ka ardhur koha t’i jepet përgjigje pyetjes se përse janë fshirë nga listat e dëshmorëve trimat e socializmit. Nuk quhet dëshmor mirditori Llesh Pal Çupi, të cilin në vijën e kufirit në Kakavijë e korrën me mitraloz monarko – fashistët grek. Nuk i zihet emri në gojë as heroit të Popullit, birit të Dragobisë, Ram Sadrisë (Metalia), komandani i postës kufitare të Çeremit, që 18 vjeç kishte qenë partizan në Jugosllavi. Të njëjtin fat ka dhe trimi nga Korça, Bendo Buzo, që po ashtu e vranë terroristët grek pranë piramidës në afërsi të fshatit Sopik të krahinës së Pogonit në Gjirokastër. Lezhjanin Fran Ndue Ivanaj e vranë në detin Adriatik barbarët e ushtrisë jugosllave. Radha është e gjatë, por ja vlen të permënden heronjtë e postës kufitare të Vidohovës, të cilët u sulmuan në front nga forcat e ushtrisë greke në provokacionet e gushtit të vitit 1949. Nga artileria e ushtrisë greke u vra heroi  Vidohvës, Tafil Ferhati, me shtatë kufitarë dhe u plagosën me dhjetra të tjerë deri sa në Korçë mbrriti vetë Enver Hoxha. Një akt tragjik më ka mbetur në mendje. Kishte filluar lufta me monarko – fashistët grek. Një prind nga Shkodra me emrin Luigj u nis për në Vidohovë se kishte merak për të birin. Por pa u takuar me të birin që luftonte në pozicione, Luigjin, pa mbiemër e merr një predhë e ushtrisë greke. Dhe vritet. E varros Petrit Dumja që drejtonte luftimet me disa ushtarë. Po mbushen 70 vjet dhe vidohovasit dhe emigrantët, edhe tani kur kalojnë për në mal, thonë: “Të pimë një cigare tek Varri i Luigjit”. Dëshmori Bardhok Jaku, komandanti trim i postës kufitare të Lumit të Gashit në Tropojë së bashku me katër kufitar kishte zënë pritë në Qafën e Ali Çelës.  Pritej një bandë nga UDB – ja e ish Jugosllavisë. Filloj të fryj erë e marr. Nga shpatet shkëputeshin  gur prej shkëmbinjve, shkërmoqeshin copra bjeshke në lugje e ujvara. Shpendët dhe kafshët e egra iknin nga sytë këmbët. Komandant Bardhok Jaku nga Puka, të cilit toka i dridhej nën këmbë e mori lajmin. Ky ishte paralajmërimi i bjeshkës humane. Bjeshka siç thonë malësorët të thotë që t’i largohesh rrezikut. Po Komandant Bardhok Jaku s’ mund ta braktiste vijën e kufirit. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë dëbora e ciklonit i kaloi dy metra. Të katër kufitarët u bën gur.  I fundit e humbi jetën dhe Bardhok Jaku. Dritero Agolli në poemën “Dhjetë sy” do të shkruante: – /Një telegram i hidhur do të vinte/ /Dhe babës do t’i thoshte/ /S’ ke më djal/. Për këto balada ka nevojë Varreza e Dëshmorëve të Kombit, dhe jo për ndonjë të rënë si militant partie. Kufitari Myzafer Lipellari e kishte mbaruar kohën e shërbimit dhe po përgatitej të nisej për në vendlindje, por një kufitar i ri u sëmur dhe vendi në njësitin e shërbimit mbeti bosh. Myzafer Lipellari merr paimet dhe e zëvendëson kufitarin e sëmur. Në mesnatë u vra nga një bandë e armatosur. Dhe nuk u kthye në shtëpi, ku e priste djali i vogël, Ali Lipellari. Gjatë gjithë jetës së tij i biri i Myzafer Lipellarit, Aliu, kur i shkonin shokët (ka qenë ushtarak) ose miqtë në shtëpi, ai, u tregonte fotografinë e të atit, Myzaferit, dhe u thoshte me dhimbje e krenari se ky që e shikoni në fotografi është “plaku” im. Dhe “PLAKU”  i Ali Lipellarit, Myzaferi, kur u vra në piramidë ishte 21 vjeç. Për këto heronj të luftës frontale heshtet. Tek “Nëna Shqipëri” po hyjnë një nga një këta të 97 – tës. Njëri prej këtyre e mblodhi turmën në Rradhimë të Vlorës dhe i urdhëroi që të prisnin brezaret me ullinj. Dhe vet para turmës sharroi një ulli të bukur që vendasit e quanin “Djali i Beut”.

Heronjtë e socializmit që ranë për Shqipërinë nuk u vranë me “horrat” e politikës shqiptare. Ata nuk e lejuan drogën, prostitucionin, sidën e dreqin me të birin. Edhe zogu do të merrte “lejë” për të kaluar kufirin. Në Qafën e Prushit në Tropojë kufitarët puthitën veshët në tokë e diktuan minatorët serb, të cilët kishin hapur qindra metra tunele të nëndheshme dhe shfrytëzonin tokën shqiptare dhe merrnin miliona ton krom. Një njësit shërbimi në piramidën 79 në Konispol të Sarandës i lyen trupat me graso për të përballuar të ftohtin brenda në det. Rregulluan një trap dhe me mjete rrethanore i dolën përpara një motobarke greke, e cila ishte futur në ujërat e shtetit shqiptar. Marinarët grek do të mbeteshin pa mend kur atyre u dolën përpara “zezakët”shqiptar (kufitarët e lyer me graso). Isha në Vermosh dhe vendosa një lule të vetme mbi varrin e albanologut Robert Elsies. E megjithatë nuk isha i qetë. Vështroja alpet, kërkoja Lëpushën, Tamarën dhe shkëmbin e zi, ku armiqtë hodhën dhe e bën copë – copë Heroin e Popullit Nik Pjetër Ndreka,  i cili ishte 12 vjeç. Kufitarët e parë kur mbrriten tek trupi i thërmuar i gjetën Nikës në çantë bukë misri, djath dhe një fletore, ku kishte vizatuar qingjat dhe ujqërit.  Sa herë që shkoj në varrezat e Dëshmorëve të Kombit e kujtoj thënien e Heminguejt, i cili thotë: “Ju të rinjtë që bëtë luftën, jeni që të gjithë një brez i humbur”. I vështroj varret tek kjo “kreshtë” e Tiranës dhe them me vete se këta që të gjithë janë vërtetë brez i humbur. Të rënët e viteve të socializmit janë fshirë nga listat e dëshmorëve të Ministrisë së Brendshme, nuk i gjen në asnjë fjalor enciklopedik, u janë djegur reliket e luftës dhe lapidarët u janë bërë fije – fije. Si mund të mbuloj pluhuri i harresës dhembjet e gruas së oficerit Hamdi Velajt nga Çorrushi i Mallakastrës, i cili e varrosi vajzën e vogël në varrezat e fshatit të Valbonës. Ydbi Mullai nga Pogradeci e la një djal në Tamarë të Vermashit (“jagot” në demokraci e detyruan të vriste veten). Xhelo Tozaj nga Tërbaçi i Vlorës gjithashtu e mbuloi një djal në brigjet e Drinit të Bardhë në Pogaj të Kukësit. Kur pyet nëpër institucione se si çahet “rrethimi” për t’u futur në Varrezat e Dëshorëve të përgjigjen se për t’u rivarrosur ndonjë i vrarë ka “urdhër politik”. Ju kthyem kohës së Enver Hoxhës. Në fjalorin enciklopedik shqiptar të vitit 1980 në faqen 1134 thuhet  se “në varrezat e Dëshmorëve prehen udhëheqësit e shquar të partisë dhe të shtetit të vdekur pas çlirimit”. Kohërat ndryshuan dhe u xhvarros Enver Hoxha me shokët. Po pas tridhjetë vjetësh pse rivarrosen në varrezat e Dëshmorëve individ me “vendime politike”. Në socializëm ishte e pamundur, që ndonjë figurë me cene të varrosej në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nako Spiro u varros dhe u xhvarros.

Autori i këtyre radhëve përulet përpara çdo të rëni. Çështja shtrohet që të gjallët të mos bëjnë zullume me veprat e tyre. Të nderohen në atë “qoshe” që u takon. Heronjtë në varreza turpërohen sa herë që ka festa. Televizionet do të japin pamje me “lot në sy” të liderve, të cilët shkojnë dhe tek të rënët e rivarrosur tek “Nëna Shqipëri”. Pamjet fimike japin një teatër absurd. Të rënët për vatan nuk janë “dëshmor oborri”. Vjen një parti në pushtet e çon tek Panteoni “legjendat” e saj të vrarë kusarisht. Pranë këngës së bilbilit nuk shkon kënga e korbës. Populli e thotë me këngë: – /O bilbil me gjuhë shumë/ /Pse s’këndon po qan o lum?/ /Për ata djemtë fodull/ /Luftë e Dytë Botërore/ /Të bukur trima që more/ /Një nga një me dorë i zgjodhe/. Sikur të mos mjaftonin shqetësimet që po i rreshtojmë në këto shënime theksojmë se në Varrezat e Kombit nuk mirëmbahen. Ka pllaka të thyera, mungon pastërtia, rradhët janë plot me mbeturina, gjemba, ferra, gërmat e emrave janë thyer, ka pllaka të vjedhura. Nëpër varre shikon plaka me shami të bardha në kokë që mbushin futat me yjet që ua heqin pllakve të varreve. Yjet i shesin për skrap për të blerë ndonjë kilogram fasule. Ustai që rregullonte yjet dhe gërmat e hequra nga pllakat ndreqte përpara dhe plakat me futat e zeza e qëmtonin varr pas varri. Në faqen e murit me pamje nga Sanatoriumi disa turist filmojnë karikaturat me parullat “L. S. I.”,  “Enver – Hitler” e të tjera. Dëshmorit nga Prishtina Abdulla Adem Kastratit i kanë vënë një kryq. Disa varre po zhduken fare e vizitorit i kujtohet ajo shprehja e mallkuar “të humbtë varri”. Mbi një pllakë varri ku gërmat qenë thyer e nuk lexoheshin ishte shkruar me gërma të zeza emri “Babale”. O zot belbëzova! Mos bëhet fjalë për atë personazhin e ditës, Bablen. E paskan bërë dhe dëshmor. Çfarë ironie! Dhe thashë me vete i trishtuar: Mjerë dëshmorët ç’i ka gjetur!  Tani të traumatizojnë po të zesh në gojë heroizmin e Pal Mëlyshit. Le pastaj për “fajkoit” e Drejtorisë së Zbulimit, të cilët niseshin me mision nëpër të gjithë planetin. “Fajkojt” si të qenë një sekt fetar përpunoheshin në atë mënyrë që edhe nëse përmbysej socializmi ata nuk do të ktheheshin më. Dhe pas viteve nëntëdhjetë nuk u kthyen në Shqipëri. Ku janë? Ku i kanë varret? Kështu ngjau dhe me një shokun tim të fëminisë, Ylli Malaj, nga Levani i Tepelenës. Sigurimi i Shtetit e përcolli deri në Ksamil dhe as sot e kësaj dite ai nuk u bë i gjallë. Megjithë respektin për të pushkatuarit nga regjimi komunist për martirët që u akuzuan se hodhën bombën në ambsadën sovjetike, ata, se kanë vendin pesë – gjashtë metra afër varrit të Voja Kushit e të Bule Naipit.

E ndjej se të rënët nuk janë të qetë. Thuhet se një nga këta që është rivarrosur në krah të heronjve ka vrarë Dëshmorin e Atdheut, Lulëzim Sulollarin, ushtarin e repartit 326, i cili po mbronte ish Shkollën e Bashkuar të oficerave. Sa herë që shkoj në Pogradec do i hedh sytë nga fshati Lin buzë liqenit të Ohrit, ku u varros ushtari i repartit 326, Lulëzim Sulollari, dhe recitoj vargjet, të cilat u lexuan në Lin përpara arkivolit të ushtarit të thjeshtë e të pambrojtur:/Breshëritë për Ty Lulëzim Sulollari/ /Jehojnë me shtrëngatë mbi liqen/ /Ndofta Lasgush Poradeci nga varri/ /Do shkruaj më të bukurën  poemë/. Shqipëria është vendi i çudirave. Këtu nderohet ndonjë i rënë që i ka shërbyer partisë, i dalluar në mitingje, në vjedhje votash, në trafik droge dhe armësh. Ata të regjimit të Enver Hoxhës quhen “komunist”. Grekërit rivarrosin në Këlcyrë të vrarët gati 100 vjet më parë, ndërsa në Shqipëri s’ja zë dot emrin në gojë ushtarit Muhamet Isaku, i cili në majën e Nemerçkës, në kreshtën e quajtur Qafa e Gomares, me t’ju mbaruar fishekët u përlesh fizikisht me një ushtar grek. Në një çast befasie greku ia nxjerr Muhametit të dy sytë. Thonë që Muhamet Isaku vdiq majë një shkëmbi. Ai gjysëm gjallë nuk e këndonte dot këngën “/O ju korba mos më hani!/ /Sytë e zesë ju mos m’i ngani!/. Korbat nuk kishin se çfarë t’i hanin. Muhamet Isaku ishte pa sy. Po hajnat e kësaj kohe nuk i duan baladat. Ndërsa po kërkoja nëpër varrezë varrin e Vasil Shantos mbi malin e Dajtit filluan shkrepëtimat. Në sekondë ndjeva një sëmbim në zemër. Dhe m’u kujtua një fragment nga ditari i rinisë time: – “Jam në postën kufitare të Radatit, nën udhën ku kaluar Bajroni. Në orën 3 të natës të datës 10 gusht 1982 ra rrufeja tek pika e vrojtimit në anë të lumit të Drinos. Mbërrita urgjentisht me çantën e ndihmës së shpejtë. Mbrriti dhe mjeku Hasan Dinku. Njëri nga kufitarët me emrin Bardhok Rica nga Ulëza e Burrelit kishte vdekur”. Sa i kam përjetuar ato çaste tragjike. Do të doja që ndonjë nga pjestarët e familjes së kufitarit të vrarë nga rrufeja 36 vjet më parë ta lexonin këtë detaj në shkrim e ta kujtonin birin e tyre.

Parlamentarë! Ndërtoni varreza për mendjet e ndritura Çabejn, Budën, Pollon, Kostallarin, për Sali Vranishtin e Çerçiz Topullin, edhe për Yjet e Pashuar si Asim Aliko, Hekuran Pobratin, por dhe për ata që erdhën si “diversant” me Hamit Matjanin e të tjerë, natyrisht edhe për të rënët e demokracisë, edhe për këtë, edhe për atë. Një zgjidhje është ajo e varrezës së familjes së mbretit Zog. Por askush të mos qaset tek ata që prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Poeti Ismail Kadare në poezinë: – “Duke vendosur një kurorë në Varrezat e Dëshmorëve të Tiranës” e mbyll poezinë me vargun epik. – “KËMISHËT E BARDHA NA SPËRKATEN NGA SHATËRVANET E GJAKUT TEK PËRKULEMI TË VËMË KURORAT”

Jam pjekur në varreza me veteran, me të afërm të dëshmorëve, me historian e psikolog. Të gjithë kanë të njëjtin mendim. Varreza e Dëshmorëve të Kombit është “vend i mirë”, është “Meka” e Shqipërisë.  Aty nuk kanë punë të rënë të tjerë me motive të errta e që kanë lënë pas “gjaqe” me të gjallët. Heronjtë e Varrezës së Dëshmorëve të Kombit janë në “gjak” vetëm me pushtuesit. Dëshmorët nuk luftuan për prona, për ofiqe, për miliona dollar nëpër bankat e globit, as për t’i ngulur thonjtë vendit të shqiponjave. Këto kurrë nuk i kishin imagjinuar. Ata siç thotë poeti për ta: /Për nam s’u kujtuam/ /Bëmë Shqipëri/. Dëshmorët janë lisa dhe nën lisa asnjë dru tjetër nuk rritet për hajër. Etiketoje si të duash me emër “hero i demokracisë” , “gjeneral”,  “tribun”,  “shqiponjë mali”, “Gjergj Elez Ali”.  Në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit  nuk pinë ujë këto “tullumbace”.  Te jesh autor i djegies së Shqipërisë dhe të prehesh në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit! Turp. Në këndin më të bukur të varrezës, aty ku është varri i Dervish Hekalit, më vjen në mendje ajo që ka thënë Xhon Kenedi: – “Mos pyesni çka bërë atdheu për Ju, por Ju çfarë keni bërë për atdhenë”. Dhe dëshmorët e Luftës Nacional – Çlirimtare bën shumë për Shqipërinë. Dhanë gjën më të çmuar, jetën.

I shikoj e i prek të rënët e vërtetë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të rrethuar nga hiçët e më kujtohet një poezi e Majakovskit e përkthyer nga Luan Rexhepi, ku poeti i revoltuar shkruan: /Lavdi, lavdi, lavdi, heronjve/……./Por fundi atyre mjaft u kemi thurur lavdërime/ /Tashti do të flasim për fundërinën/. Dhe unë belbëzoj me vete tek varri i Qemal Stafës. Mos ka ardhur me të vërtetë koha t’u thurim hymne fundërrinave?  Disa të rinj në mes të varrezës tymosnin hashash, qeshnin e tregonin marrëzira. Të droguarit i thoshin  njëri – tjetrit se kishte gjashtë muaj që u kishte vdekur lideri i partisë së tyre. Liderin e vdekur po e gjesdinin në të gjithë Shqipërinë. Thoshin gjithashtu me zë të lart se arkivoli i liderit të tyre do të hapet  e do të varroset afër varrit të Dervish Hekalit. Arkivoli do të kundërmojë një erë aq të keqe sa që kryeqytetasit do të mbyllin dritaret e apartamenteve. Sa shumë dramë që mban kjo varrezë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …