Shaban Pllana, zotërues i fjalës poetike, përzgjedhës i motiveve, uzurpues i mendimeve në kalim...

Shaban Pllana, zotërues i fjalës poetike, përzgjedhës i motiveve, uzurpues i mendimeve në kalim…

( Çast me  poezitë e përmbledhjes  poetike, “Te guri i lumit”)

Poeti, Shaban Pllana, është zotërues i fjalës poetike, përzgjedhës i motiveve, uzurpues i mendimeve në kalim, shtegtar i shtigjeve të thella të meditimit, ku secila fjalë e poezive të tij peshon në vend të vet, ashtu si guri në themelet dhe muret e kështjellës.

Përmbledhja poetike “Te guri i lumit” pa dyshim se është një e arritur e veçantë në deklamimin e kursyer të fjalës poetike, ku ai ndihet fare i sigurt, si kalorës që ka provuar forcën e kalërimit nëpër hipodrome, me përplot pengesa.

Sot në letërsinë shqipe ka shumë poetë, madje ka poetë që pasi të kenë shkruar diçka deri në orët e vona të natës, në mëngjesin e vonë, me sy të buhavitur gdhihen poetë dhe  shkruajnë e botojnë aq shumë sa pas një kohe, nuk iu kujtohen as titujt e veprave që kanë botuar. Shaban Pllana  është poet,  në kuptimin e plotë të fjalës, poet në shpirt, në zemër, në qenie. Ai nuk e përdhunon fjalën për ta futur shtigjeve pa kthim, për ta përdorur njëherë e  për ta hedhur tutje,  por e laton atë nga të gjitha anët, pastaj e hedh sikur shigjetën e ngrehur fort në hark dhe godet atje ku synon.

Poezia e Shaban Pllanës është si vepra e luftëtarit  që nuk pret kot, sepse është i vetëdijshëm se “shërimi i shpirtit gjendet në grykëhollë”, pasi koha nuk pret, ajo ikën dhe po qe se nuk e zure, fluturon si zogu në qiell dhe mbetesh duarbosh. Dhe, ata që i besojnë grykëhollës, gjithnjë kthehen fitimtarë, në mos me trupin, atëherë kthehen në eshtra… sepse ata ia kanë falur jetën Atdheut, që është jetë, mirësi, begati e të gjithëve dhe jo vetëm jeta ime dhe e atij tjetrit, pasi në rrugën e dritës së lirisë, “s’ janë me rëndësi pikat e lotëve, pikat e gjakut, gurët e varreve me mbishkrim, pa çka se retë derdhin lot për të rënët”.

I ulur në guri të lumit, poeti vështron valët e jetës, ëndrrat përtej largësive, fëmijërinë që e ka marrë lumi, të cilën nuk e gjen dot, sepse atë e ka kapërdirë koha, koha e pamëshirshme që vetëm merr dhe nuk kthen asgjë, përveç  asaj që ka ngelur në verigat e kujtimit… në rrudhat e fytyrës ku ajo ka vizatuar shumë hieroglife që kujtojnë të kaluarën, fëmijërinë e pa jetuar, jetën në skamje, prore në kacafytje, me krejt pak ditë të lumtura…

Poezia meditative e këtij poeti është realiste dhe kuptimplote, me doza të lehta pesimizmi, që vetëkuptohen, por asnjëherë me depresion dhe humbje shprese, meqë nuk thuhet kot se “jeta është si treni i shpejtë, nga i cili s mund të dalësh, dhe kurrë nuk kthehet mbrapa”. Jeta është jetë, jeta e gjithkujt është jetë, andaj mos mëkatoni, porositë poeti.

Përmbledhja poetike, “Te guri i lumit” është një testament poetik i shkruar me shumë kujdes, mbi të gjitha me frymëzim realist, me vrojtim të thellë të fenomeneve, ku ndërthuret jeta individuale në atë kolektive dhe ku çdo gjë gjithmonë gjendet në vendin e kohen e vet, sepse ne nuk jemi të parët por as të fundit, jeta rrjedh si ujët mbi gurët e lumit, ndërsa ne mbesim në kujtimet e të tjerëve ashtu sikur ata para nesh kanë ngelur në kujtimet tona.

Poezia e Shaban Pllanës është e çiltër, e kursyer nga fjalët dhe shprehjet e tepruara, e metaforizuar gati në çdo varg, e pasur me motive sidomos me motivin meditativ, që është një gurrë e pashtershme për të gjithë poetët, e mbi të gjitha është poezi e një intelektuali, të cilin  e ka rrahur jeta nga të gjitha anët,  e ka kalitur dhe e  forcuar për të përballuar me stoicizëm të priturat e të papriturat e saj…

 

Ahmet Qeriqi

Tetor 2018

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …