Shefik Surdulli: Dëshmorit të UÇK-së, Musli Ymeri, një rreze drite që shkëlqen në Zajqec

Shefik Surdulli: Dëshmorit të UÇK-së, Musli Ymeri, një rreze drite që shkëlqen në Zajqec

Tungjatjeta kapedan!

Atje matanë, dielli që ka skuqur qiellin, nuk i ka mbetur edhe shumë kohë të ikë. Sikur e ka vështirë të perëndojë. Po e lë të vetëm këndej për të shndritë përgjithmonë, dëshmorin e lirisë, Musli Imeri.

Pak më poshtë, në lak të udhës mes dy katundeve, gati të boshatisura: Zajqec e Tygjec, dëshmori Musli Imeri, i shkrirë në bronz, pothuajse i vetëm ka mbetur ti thotë “tungjatjeta” secilit udhëtar, e “mirësevjen” secilës ditë të re!

Vetëm interesgjinjtë dhe ndonjë hallegji, që për hesapet e veta enden poshtë e lartë  rrugës që i bie trup Zajqecit, mund t’ia prishin atij qetësinë, me sy kah «kapia», që sikur na qorton pse aty akoma e kemi lënë kufirin.

Shumë malësorë të kësaj bjeshke u zdorgjën në Dardanë, Gjilan e Prishtinë. U tretën andej botës urbane, duke lënë prapa një histori të bujshme për Sejdë Zajqecin, kapetan Shefqetin që ishte në ballë të komandës për mbrojtjen e kufirit prej Konçulit deri në Batllavë, e histori tjera të lavdishme për trimëritë e malësorëve të kësaj ane e përtej.

Edhe «malet» i morën, i zhveshën ato si mos më keq! Lanë vetëm gurgullimën e krojeve me ujë të pasur, të cilin tash e blejnë për “ilaç” në pazar.

E gjatë është nata për këta pak malsorë që i ka zanë edhe ky dimër këndej.

Nuk ka më kush dhe nuk është më si doherë për tu end odë më odë, sa te njëri – te tjetri, ku shpeshherë i ka çel dita në odë me muhabet gjallnie, me brengën për fatin e atdheut e të kombit; me hokat e buta e me lojërat e “kapuçave», «filxhanave», e loja tjera malsorçe, të këndshme të Gollakut.

Edhe në mos mbet’ më njëri i gjallë këndej, janë këtu përgjithmonë Musë Imeri e Nuha matanë n’Tygjec, n’dy krahët e kaçakut Bejtë Pireva, udhërrëfyes i tyre për atdhe e për Flamur.

Shefik Surdulli: Dëshmorit të UÇK-së, Musli Ymeri, një rreze drite që shkëlqen në Zajqec

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …