Shefqet DIBRANi: KOLONA E PESTË KUNDËR PAKTIT NATO 3

Shefqet Dibrani: Kryetari i Kosovës, Isa Mustafa 9

 

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Menjëherë me të përfunduar Lufta e UÇK-së në Kosovë, në verën e vitit 1999, Isa Mustafa është kthyer në Kosovë, bile bashkë me sivëllain e tij Bujar Bukoshi, bile me te kishin bërë një xhiro, pa iu bërë syri vrik, nga djelmoshat e pezmatuar të UÇK, që tashmë kishin zbritur nga mali me fitoren e lirisë, meritë kjo për luftën që kishin bërë, por strukturat titiste në Kosovë e mohonin luftën dhe kontributin e tyre. Ky element titist përfaqësohej nga binomi Mustafa & Bukoshi, por të ndihmuar nga mediat e UJDI-t Jugosllavë për Kosovën qysh në ato ditë të vështira kishin nisur nje¨propagandë të cilës nuk i dihej qëllimi. Vërtetë, ishte nisur një propagandë e egër dhe e ashpër, kundër Luftës dhe kundër fitimtarëve. E kjo luftë speciale bëhej e ndyrë dhe nuk zgjidhnin mjete.

Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe ajo kthehej në Kosovë, po sikur ndjehej me faj, se sa për marre e turpërim ndër ne, të mos bëhej fjalë. Ishte përzierë një lloj gëzimi me frikën e fajësisë, madje aty këtu deri në marrëzi. Në shumë qendra të Kosovës, zyrat e Degëve të LDK-së, as që kishin guxuar të hapeshin, të paktën kështu e kam gjetur Llapin tim, në të cilin për herë të parë kam ecur mesit të rrugës, bile me duar në xhepa dhe kam marrë thellësisht në Lirinë që erdhi, falë edhe gjakut të babit tim. Se paska dashur edhe unë të frikësohem nuk e kam ditur kurrë, pasi e di se me nder e kam kryer obligimin tim edhe për atë periudhë. E theksova këtë fakt, pasi njëri nga anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Llap, më ka treguar se paskam ecur në Llapin tim të çliruar, krejt serbez dhe madje pa më bërë syri vrik. Edhe në këto çaste po më rrëqethet trupi nga ajo fobi që kishte përfshirë individ dhe struktura të caktuara. Tamam sikurse sot që e ka kapur fobia Isa Mustafën, nëse Albin Kurti, arrin për t’i zgjedhur institucionet e Kosovës, për të cilat, po të isha në pozitën e Kadri Veselit dhe të Ramush Haradinajt, do ti kisha votuar pa hezitim, për t’ia bërë me dije Isa Mustafës dhe strukturave servile nga Kolegji RIINVEST bashkë me atë “Brezin e Republikës”, se vetëm ata që kanë luftuar e kanë çliruar Kosovën, dhe vetëm ata sakrifikojnë për fatin e saj, madje shumë më shumë se sa “LIDHJA”, ideologjike e Isa Mustafës!

Vërtetë, në verën e vitit 1999, frika ishte e madhe, bile shumë ma e madhe se sa që mund të thuhet, tamam sa një kodër, sa një mal i madh. Pa ekzagjerim, kështu ishte, prandaj mund të konstatojmë se nga frika shqiptari përpunohet kollaj, spiunon e vret edhe vëllain e vet, sidomos kur nuk do t’i jep llogari askujt?! Mu atëherë humanizmi dhe njerëzorja bien për tokë?! Këto deformime dhe këtë frikë Kosova e ka përjetuar deri në palcën e saj.

Natyrisht, ndodhën vrasje të cilat e rritën frikën për të jetuar e gjallëruar. Në anën tjetër strukturat e ish sistemit, bijtë e tyre pasanik, spiun të rafinuar dhe udbash me damkë, do t’i mësyjnë misionet ndërkombëtare, zyrat diplomatike, jo aq për të punuar se sa për të informuar, përkatësisht për të spiunuar, prandaj edhe Bashkësisë Ndërkombëtare i ka interesuar kjo kategori, nëse nuk kanë punuar me lista të gatshme që mund t’ua kenë përcjellë strukturat e sistemit serb në Kosovë. Me sa duket pikërisht kjo kategori që u sistemua ku mundi e si mundi, i kanë prishur CV-të, e strukturave që nuk i kanë dashur, kurse çlirimtarët nuk i duronin, prandaj thika me dy tehe që binte si drapri mbi barin e njomë, në njërën anë kundër Elitës Intelektuale e cila përgjatë tërë sistemit nuk iu nënshtruar  e komprometuar, e në anën tjetër i pengonin edhe strukturat e dala nga lufta.

Shikuar nga ky prizëm, mendojmë se ishte kjo kohë, dhe ishin këto veprime, që në një kohë rekorde do ta paralizojnë tërë Elitën Intelektuale, e cila ose duhej të bëhej servis i çobanëve, pavarësisht çfarë meritash mund të kishin, ose luajal ndaj strukturave ndërkombëtare që kishin marrë bijtë e sistemit dhe të udbashve, të cilët në masë të madhe ishin sistemuar nëpër organizata të fuqishme ndërkombëtare që kishin zbritur në Kosovë.

Ka mundësi të kenë mision për ta izoluar Elitën Intelektuale dhe intelektualët e ndërgjegjshëm, në të kundërtën t’i mbaj sa më larg proceseve. Të kësaj natyre mund të jenë me dhjetëra Organizata Joqeveritare, institucione informative, media të shumta të cilat për një kohë rekorde, u bënë të pasur e disa sish dolën edhe nga lufta shumë të pasur.  Por kjo kategori kishte nisur të tallej edhe me çlirimtarët, në njërën anë, dhe në anën tjetër do të jetë pikërisht kjo propagandë që do t’ua përgatis kurthin me dhjetëra intelektualëve të cilët ose u vranë, ose u kidnapuan dhe madje disa flitet se janë likuiduan pa lënë asnjë gjurmë, por jehona e vrasjeve politike si magjia e zezë i ka qëndruar Kosovës në qiellin e saj.

E nëse mund t’i japim vetës të drejtë, për t’i justifikuar disa nga vrasjet e njerëzve me damkë, që kishin qenë në strukturat e sistemit, vrasja e atyre që nuk kishin asnjë faj,  dhe nuk kishin qenë strukturë e atij sistemi që perëndoi, bëhej për ta ngatërruar lëmshin e hetimeve, që do ta bënin strukturat e sistemit paraprak. Dhe kjo ishte e natyrshme, pasi luftëtarët e UÇK-së, nuk kishin staf të mjaftueshëm për të gjithë sektorët e sigurisë, drejtësisë etj. Andaj mendojmë se janë këto shkaqe që quan  një segment të caktuar, për të përdorur një rrugë tjetër, më të shkurtër, por më fatale dhe me pasoja për të ardhmen e vendit.

Në atë verë, Kosova, po mbytej nga uzurpimet e mëdha të pronave shtetërore dhe atyre private, qofshin ato të komunitetit serb e malazez të cilët e kishin braktisur Kosovën. Ndërsa uzurpime gjithfarëshe ka pasur edhe brenda vet sojit. Po ashtu nisi të zhvillohej një biznes pa kritere, që synonte për t’i blerë pronat dhe objektet e serbëve, nëpërmes agjencioneve të caktuara të cilat udhëhiqeshin nga struktura të sistemit ose nga bijtë e tyre.

Në këtë gjendje tejet dramatike dhe mjaftë kaotike, nis notimi i klanit Bukoshi & Mustafa, të cilët menjëherë filluan të derdhin miliona marka gjermane, qoftë për ta shpëtuar kokën e tyre ose bëhej si lëmosh për t’i zbutur strukturat e egërsuara të UÇK-së, të cilat edhe pse kishin nevojë nuk ishin në gjendje ti pranonin ato para nga Qeveria në ekzil, përkatësisht nga personat që i kishin kërcënuar dhe i kishin akuzuar për tradhti dhe veprime subversive të asaj kohe.  Megjithatë, nëse nuk gabojë, u gjete një kompromis në mes të tyre sa për t’i derdhur ato mjete në një fond në emër të një shoqate, që pastaj pikërisht strukturat e UÇK-së ti përdornin, ti shpërndanin për personat me nevoja të mëdha që kishin plagë nga lufta, ose iu kishin shkatërruar shtëpitë e katanditë e tyre.

Të kësaj kohe janë edhe milionat e përfolura që Isa Mustafa bashkë me Bujar Bukoshin, i kishin nëpër xhepat e tyre, ose në “DARDANIA Bankë” në Tiranë, para këto të mjaftueshme për t’ua dedikuar edhe oficerëve të FARK-ut, të cilët ruanin besnikërinë ndaj shefave të tyre. Në ato vite një pjesë e tyre u bënë të pasur, edhe ata përvetësuan ose blenë prona e objekte të mëdha. D.m.th. me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, bashkë me Institutin “RIINVEST”, pikërisht kjo eskortë nga FARK-u u  riaktivizua duke u bërë të zëshëm dhe profesionist për të shantazhuar të gjithë ata që kishin kuraje për t’ua kritikuar punëdhënësin e tyre të ri Isa Mustafën.

Në këto shtendosje dhe në këtë berihaje, ku askush nuk dinte të shpjegonte, se cila udhë na shpinte drejt suksesit të së ardhmes demokratike, Isa Mustafa, kryesisht ka heshtur dhe nuk është paraqitur në jetën publike. Sigurisht ajo kohë i duhej për tu pajisur me grada akademike, nga bashkë aksionari në Institutin RIINVEST, prof. dr. Muhamet Mustafa, i cili gjatë asaj kohe ishte ligjërues në Fakultetin Ekonomik[1]. Sigurisht i lidhnin edhe interesat e tyre të hershme nga koha e sistemit, qoftë vetëm ajo e bashkëthemelimit të Instituti RIINVEST[2].

Ky fakt do të duhej të ngjallte hetime për të kuptuar se si Isa Mustafa, ka mundësi që edhe karrierën akademike ta ketë fituar me duar në xhepa, siç e ka tërë karrierën politike, në çdo kohë dhe në të gjitha etapat e sistemit komunist, sistemit paralel në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil,  dhe këtë të fundit në kuadër të LDK-së[3], përmes së cilës i realizoi të gjitha ambiciet për tu bërë Kryeparlamentar, por Gjykata Kushtetuese[4] e klasifikoi si shkelje kushtetuese, prandaj tradhtoi LVV, për të bërë pakt me PDK-në, për tu bërë pastaj Kryeministër[5] me ambiciet e ngjallura tash së fundi që nëpërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE, pas dy vitesh për t’u bërë edhe president i Kosovës[6], pa ia ditur hallin shëndetit të tij mjaftë të rrënuar[7]. E Isa Mustafa, mbetët Isë i cili gjithmonë interesin e Kosovës e ka shkri dhe e ka shitur për interesat e tij personale, qofshin të karrierës politike apo për përftime materiale[8].

Isa Mustafa, vazhdimisht është trajtuar si ekspert dhe njohës i ekonomisë, por askush nuk mund ta shpjegojë cila ishte veprimtaria e tij, shkencore dhe ku paska shndritur dija e tij, përkatësisht cilin institucion e nxori nga kriza ajo dije dhe kontributi i tij. Kontributi i tij negativ dihet se është Fondi i Trepërqindëshit, Huaja Popullore[9], që nuk iu kthye kurrë bashkatdhetarëve, pastaj falimentimi i “Dardania Bankë”, në Tiranë[10], për të cilën nuk di nëse ka pasur hetime apo jo, dhe me dhjetëra miliona të mbetura si para të gatshme në Unionin e Fondeve të Republikës së Kosovës, i njohur si UFORK, që as këtu s’kanë dhënë llogari dhe nuk dihet nëse është zhvilluar ndonjë hetim profesional[11].

Gjatë këtyre viteve ka ekzistuar një lloj heshtje e Isa Mustafës, por shihet se pozitën politike, sa ishte Kryetar i Prishtinës[12] ai e ka shfrytëzuar për interesa të veta personale, (që me duar në xhepa), për tu zgjedhur anëtarë i rregullt në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës[13]. Do të ishte me rëndësi të madhe të dihej se cili person e propozoi dhe cili institucion e dërgoi në ASHAK. Edhe veprat e tij profesionale janë përplot me dyshime profesionale që lehtë do të vërtetoheshin nga hetuesia për këto çështje.

Isa Mustafa, i ka të publikuar vetëm dy libra me autorësi të tij, të cilët janë kategorizuar si tekste universitare, ndonëse janë të botuar nga një institucion privat, në të cilin ai është aksionar.

Tekstet universitare:[14]

– Dr. Isa Mustafa: Menaxhmenti financiar, botimi III, Riinvest, Prishtinë 2008.

– Dr. Isa Mustafa: Udhëheqja, efiçienca dhe efikasiteti – Leadership, botues Riinvest, shkurt 2004.

Saktësisht Instituti, përkatësisht Kolegji i tij privat, dhe punëtorët e punësuar aty, ia paskan botuar librat shefit, përkatësisht punëdhënësit. A ka institucion botëror, akademi botërore dhe universitet i botës që e hanë këtë çorbë të cilën e përpijnë vetëm kosovarët e shkret të cilët rrafsh qe 40 Vjet, po torturohen nga idiotësitë, politike, ekonomike dhe shkencore të Isa Mustafës?![15]

Isa Mustafa, është edhe bashkautor i teksteve shkollore dhe në një libër tjetër të cilët për saktësim po i paraqesim në vijim:

 Tekste shkollore:[16]

– Dr. Isa Mustafa, Dr. Nail Reshiti, Dr. Enver Kutllovci: Ekonomia (për klasën e nëntë orientuese), Libri shkollor, Prishtinë 2003.

– Dr. Isa Mustafa, Dr. Ali Jakupi, Ekonomia 11, për gjimnazet e shkencave shoqërore”, Libri shkollor, Prishtinë 2004.

– Dr. Isa Mustafa, Dr. Ali Jakupi: Ekonomia 12, për gjimnazet e shkencave shoqërore”, Libri shkollor, Prishtinë 2005.

 

Tekste tjera:[17]

– Dr. Isa Mustafa, Mr. Venera Demukaj, Mr. Petrit Gashi, Lumir Abdixhiku, Fadil Aliu, Dr. Fatime Qosaj: Bazat e ekonomisë dhe roli i qeverisjes, botues Riinvest, 2005.

Siç po shihet, në të gjithë këta libra, Isa Mustafën, e paskan vendosur të parin, por nuk thuhet nëse ishte rastësi apo për shkak të meritokracisë profesionale?! Duket se edhe këtu kemi të bëjmë me pozitën e tij politike, e fare me aspektet e meritave profesionale. Prandaj ky fakt nuk do asnjë koment, sepse vendin e parë ia ka siguruar pozita politike, por jo edhe meritokracia akademike. Në vend se Isa Mustafa, të ndjehej i nderuar vetëm si bashkautor, pozita e të parit është mani e tij komuniste, për çka e plotëson edhe më tej dyshimin se edhe në fushën profesionale i paska meritat e ngjashme me ato të kapërthurjes në LDK?! Në këtë vazhdë, si duket edhe libri i katërt në të cilin është bashkautor, përsëri e kemi në pozitën e të parit, ndonëse kontributi i tij, (gjithmonë duke e krahasuar me atë në LDK), duhet të jetë i fundit, madje ka gjasa që këtë libër shkollor të mos e ketë lexuar fare, se sa për të shkruar nuk i besohet, pasi edhe ky libër është botim i Kolegjit të tij privat RIINVEST.

Edhe punimet tjera shkencore dhe ato hulumtuese, kudo e kanë radhitur të parin, por në të njëjtën kohë edhe ngjallin dyshime. Këto paraqitje janë për të cilat pa flasim,  janë të prezantuara në faqen zyrtare të ASHAK, në internet[18]. Pas të gjitha këtyre, nëse rastësisht do të niste një hetim për t’ia vërtetuar arritjet dhe këto botime nëse qenkan të  mjaftueshme dhe mjaftueshëm të besueshme, për të dhënë pension jo meritor, çfarë hapash do të duhej të merrte ASHAK në raport me Isa Mustafën?

Të kthehemi në të tashmen, pse jo në ditën e sotme të, 26 dhjetorit 2019, në të cilën dështoi vullneti i Isa Mustafës për një marrëveshjeje qeverisëse në mes LVV dhe LDK-së. Roli negativ i Isa Mustafë doli në dukej, ai është tutori i vullnetit të deputetëve të LDK-së, dhe si duket në cilësinë e “misionarit?!”, po tallet me Kosovën, sepse duke mos bërë marrëveshje për udhëheqje të vendit me Lëvizjen VETËVENDOSJE, automatikisht del në horizont, dyshimi se misioni i tij është shkatërrues, sidomos pas e ka shpërfaqur LDK-në në LIDHJA, duket se misioni i radhës ka të bëjë me LIDHJET e tij të dikurshme, për ta shpërbërë Pavarësinë e Kosovës!…

St. Gallen, pasdite e datës, 26 dhjetor 2019.

[1] Shih: “Debat me dr. Muhamet Mustafën”, Shefqet Dibrani, “DEMOKRACIA E KONTESTUAR 1”, St. Gallen, 2018, faqe 672

[2] Shih: “Debat me prof. dr. Muhamet Mustafën”, Sh. Dibrani, “DEMOKRACIA E KONTESTUAR 2”, St. Gallen, 2018, faqe 18-22.

[3] Isa Mustafa, nuk ka qenë as anëtarë i LDK, kur u bë kryetar i saj.

[4] ISA MUSTAFA ZGJIDHET KRYETAR I KUVENDIT TE KOSOVES, RTV Klan, 17 Jul 2014; https://www.youtube.com/watch?v=QJ9Yixj-c20&feature=youtu.be

– Isa Mustafa zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, Albinfo.ch, E Enjte, 17 Korrik 2014 – 15:57,

https://www.albinfo.ch/isa-mustafa-zgjidhet-kryetar-i-kuvendit-te-kosoves/

[5] Bahri Cani, “Isa Mustafa kryeministër i ri i Kosovës”, DW, 09.12.2014; https://www.dw.com/sq/isa-mustafa-kryeminist%C3%ABr-i-ri-i-kosov%C3%ABs/a-18118488

[6] Isa Mustafa dëshiron të bëhet president i Kosovës (VIDEO), Klan Kosova TV; 17 Tetor 2019; https://klankosova.tv/isa-mustafa-deshiron-te-behet-president-i-kosoves-video/

[7] “Isa Mustafa flet për gjendjen e tij shëndetësore, tregon se në qfarë rreziku ka qenë…”, Gazeta Express, 22/02/2019; https://www.gazetaexpress.com/lajme-isa-mustafa-flet-per-gjendjen-e-tij-shendetesore-tregon-se-ne-cfare-rreziku-ka-qene-629438/

[8] Zona Express: “Lidhja e terminaleve”, 25 Dec. 2016; https://www.youtube.com/watch?v=8SL-wLMpdDw

[9] Zona Express: “Vjedhje në kohë lufte” (Pjesa I), 5 Juni 2016; https://www.youtube.com/watch?v=mRBJ2OM1teE

[10] Çfarë ndodhi me “Dardania Bank” në Tiranë, Zëri i Kosovës, 14 dhjetor 2012; https://zerikosoves.com/cfare-ndodhi-me-dardania-bank-ne-tirane/

[11] Vehbi Kajtazi, “TRANSAKSIONET E DYSHIMTA NGA FONDI I 3 %-SHIT – TËRHEQJE PARASH DERI NË VITIN 2012”, 2015; https://insajderi.com/hulumtime/transaksionet-e-dyshimta-nga-fondi-i-3-shit-terheqje-parash-deri-ne-vitin-2012/

[12] “Biografia e Isa Mustafës”, KOHA.Net, 17 Korrik 2014 – 14:45; https://archive.koha.net/?id=27&l=18247

[13] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Faqja zyrtare – Biografia: http://www.ashak.org/?cid=1,24,361

[14] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Faqja zyrtare – Biografia: http://www.ashak.org/?cid=1,24,361

[15] “Biografia e Isa Mustafës”, KOHA.Net, 17 Korrik 2014 – 14:45; https://archive.koha.net/?id=27&l=18247

[16] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Faqja zyrtare – Biografia: http://www.ashak.org/?cid=1,24,361

[17] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Faqja zyrtare – Biografia: http://www.ashak.org/?cid=1,24,361http://www.ashak.org/?cid=1,24,361

[18] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Faqja zyrtare – Biografia: http://www.ashak.org/?cid=1,24,361http://www.ashak.org/?cid=1,24,361

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Angazhime të pandërprera të Fatmir Xhelilit dhe të Hilmi Ramadanit. (E hënë 30 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Angazhime të pandërprera të Fatmir Xhelilit dhe të Hilmi Ramadanit. (E hënë 30 nëntor, 1998)

Në mëngjes kam biseduar me Fatmir Xhelilin dhe Hilmi Ramadanin, të cilët janë të pandashëm …