Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës kërkon drejtësi për Astrit Deharin

Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës kërkon drejtësi për Astrit Deharin

Në deklaratën e Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës lidhur me vrasjen e Astrit Deharit thuhet se  Vdekja e papritur dhe e mbështjellë me dyshime të shumta e veprimtarit të shquar rinor dhe studentit të dalluar të mjekësisë, Astrit Dehari, ka prekur thellë opinion shqiptar dhe ka tronditur e ka nemitur posaçërisht ish të burgosurit e shumtë politikë; u ka  shpupurishur  atyre plagët e moçme, u ka rikthyer kujtesën për ethet e proceseve të kurdisura, të fabrikuara e të rafinuara politiko-gjyqësore, për ankthet e territ e terrorit të burgut  shovinist  dhe për makthet e ustallëqeve dhe marifeteve të paskrupullta të luftes speciale, si dhe fenomeneve tjera ngulfatëse të burgrobërise, të konsideruara, natyrshëm, si diç e paharrueshme, por tashmë  e shkuar dhe e pakthyeshme.

Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, ka ngritur kaherë zërin kundër dukurisë së ringjalljes së ataviznmave fantazmagorikë të burgjeve politike, të burgosjeve të reja politike, të mendësisë dhe metodave antinjerëzore të represionit dhe ingjineiringut politiogjyqësor… Është fort e dhembshme dhe krejtë e pajustifikueshme që, aq vite pas çlirimit  të  Kosovës, biri i vetëm i një familjeje të dëshmuar atdhetare, Astriti, veprimtari i dalluar rinor, idealist, atdhetar e progresist, i bashkangjitet tragjikisht, lagjës së dëshmorëve të prangosur të burgjeve, Shaban Shalës, Fazli Grajçecit, Xhemajli Berishës, Zija Shemsiut dhe sa e sa të tjerëve para dhe  pas tyre. Një familje shembullore liridashëse,  arsimdashëse e atdhedashëse, që la vullnetarisht Zvicrën e tyre mike e bujare dhe kthehet në Kosovë, për të  shijuar frymën dhe frytet e lirisë dhe Republikës për të cilën ajo kishte punuar, e  kontribuar aq shumë,  dhe brenda dy vitesh humbet dy djemtë e saj, zemërmbushur vrull djaloshar, entuziazëm, vullnet e përkushtim për të ardhmen e tyre, të Republikës së tyre  dhe  kombit  të tyre të shumëvuajtur, me përkushtimin vetëmohues e  idealist për ta bërë Zvicër e shkuar Zvicrës.

Pa prejudikuar të vërtetën rreth këtij rasti të dhembshëm dhe pa u nderhyrë në punën e drejtësisë, por pikërisht në funksion të vërtetës  dhe drejtësisë,  Shoqata kërkon ndriçimin dhe zbulimin jo vetëm të shkakut të vdekjes misterioze e tejet të dyshimtë të Astrit Dearitpor edhe të gjithë asaj që ka ndodhur e nuk ka guxuar të ndodhë  si  dhe të asaj që  nuk  ka  ndodhur, por që do të duhej të ndodhte. E vërteta  e  plotë për rastin Astrit Dehari, kërkon zbardhjen e  plotë  dhe të besueshme jo vetem  të të  gjithë dosjes  së Astritit  dhe  shokëve të tij, të arsyeve të vërteta, motiveve, bazes ligjore dhe procedurale të burgosjes  dhe gjithë trajtimit të tij dhe shokëve të tij, por edhe gjithasaj që i  parapriu dhe asaj që  pasoi dhe prodhoi   situatën  e krijuar dhe që në  mënyrë të drejtëpërdrejte ose të tërthortë, kontribuoi dhe rezultoi në një epilog aq  tragjik. Të identifikohet, të hetohet dhe të zbardhet gjithajo që lidhet jo vetëm me ndodhinë e tmerreshme në rastin tragjik të Astrit Debatit dhe  të përballen me drejtësinë të gjithë përgjgjegjësit e drejtëpërdrejtë e të tërthortë të kësaj  tragjedie. E vërteta e plotë për këtë rast i duhet  të ardhmes së lirë e demokratike të republikës  dhe parandalimit dhe  pamundësimit të rishfaqjes së atavizmave të së kaluarës dhe përsëritjes së tragjedive  të  tilla.Në kontekstin tonë specifik, i besueshëm, i bindshem dhe efektiv mund  të konsiderohet vetëm një hetim vërtetë i pavarur, i gjithhanshëm, profesional dhe ndërkombëtar.

Duke kërkuar dritë dhe  drejtësi  për Astritin, nuk  mund të  mos  kërkohet  drejtësi edhe  për shokët dhe shoqet e Astritit, të prangosur dhe  të ngujuar pa të drejtë në burg. Pas rastit  Astrit Debati,  atyre  dhe gjithë të burgosurve pa faj  e  fakte dhe me  motivime  politke  u  duhet mundësuar mbrojtja në liri oseedhe lirimi i  tëresisht  dhe imediat nga burgu që i mori jetën  shokut të tyre..

Duke shprehur ngushëllime gjithë të pikëlluarve, Shoqata fton anëtarësinë e saj dhe gjithë qytetaret pa dallim, që ta rujanë gjakftohtësinë, vetëpërmbajtjen dhe pjekurinë   e duhur politike, të shtojnë syqeltësinë dhe largapamësinë dhe të  pamundësojnë çfarëdo mundësie të  veprimeve të pakontrolluara  e  të dëmshme  për të  ardhmen e synuar të vendit e të kombit, për të  cilën  punoi dhe aspiroi me aq  përkushtim e  idealizëm  i riu i përjetshëm,  Astrit Deari.   Dhembja gjithpopullore le  të jetë trokitje në ndërgjegje dhe stimul për këndellje  dhe shkundje morale e shpirtërore.

Prishtinë,  9 nëntor

Kontrolloni gjithashtu

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner, në një intervistë …