Shpetim Kodra: Shpirtligësia e mendjeligësia e Berat Buzhalës dhe e Valon Sylës

Shpetim Kodra: Shpirtligësia e mendjeligësia e Berat Buzhalës dhe e Valon Sylës

Njerëzit që nga shpirtligësia e mendjeligësia e tyre ekstreme arrijnë deri aty sa që të bëjnë angazhime publike për denigrimin e cilësdo figurë politike meritore të shoqërisë së tyre kombëtare (siç ka ndodhur këto ditet e fundit me anagzhimin e dy publicistëve, të Berat  Buzhalës dhe të Valon Sylës, për denigrimin e figurës politiko-atdhetare të Adem Demaçit), në fakt nuk janë as për t`u urryer e as për t`u sharë, por janë për t`i vajtuar e për t`i çarë me lotë, për batakun mendor e shpirtror ku kanë rënë.

Adem Demaçi që realisht ka bërë 28 vite burg në burgjet e Serbisë e të ish-Jugosllavisë, për shkak të krijimit të «Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve -ORBSH», por që sipas dy publicistëve të lartpërmendur, ai nuk ka bërë qoftë edhe një ditë të vetme burgu për çështjen kombëtare shqiptare e për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar, por ka bërë burg për shkak të bindjeve të tij ideologjike, duke qenë ai sipas tyre, një marksist e leninist të cilit nuk i paska interesuar aspak çështja kombëtare.

Se Adem Demaçi  (si edhe shumë figura tjera kombëtare të atyre kohëve) ka pasur ide marksiste e leniniste, këtë Adem Demaçi e ka pohuar vet në disa nga intervistat e tij dhe atë pa  pasur ndonjë drojë nga këta dy publicistët tonë, por është absurd i absurdit të pohosh se ai bëri 28 vite burg ngase u akuzua të ishte markësist apo leninist, në një kohë kur në ish-Jugosllavi as figura e Marksit e as ajo e Leninit nuk kanë qenë të anatemura për të qenë i akuzuar si përkrahës i tyre, sepse vet Jugosllavia duke qenë një vend socialist, edhe ajo në mënyrën e saj është thirrur në emrin e Marksit e të Leninit.

A e di Berat Buzhla dhe Valon Syla se ide të tilla marksiste e leninste të majta ka pasur edhe Mendela i Afrkës së Jugut, aq më tepër ide të tilla ka pasur ai – për vet fakin se  ai është angazhuar për barazi klasore e qytetare në mes të zinjëve dhe të bardhëve. Por idetë e tilla nuk e kanë zbehur aspak luftën e Mandeles  për liri e barazi në mes të popullatës shumicë me ngjyrë dhe popullatës pakicë të bardhë. Mendela idetë e tilla të majta i ka venë në shërbim të vendosjes së barazisë në mes të popullatës me ngjyrë dhe popullatës së bardhë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Adem Demaçi; edhe ai idetë e tij të majta i ka venë në shërbim të lirisë e të barazisë së popullit të tij shqiptar me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe bile edhe për më shumë se kaq: edhe për bashkimin e Kosovës me  Shqipërinë.

Tani më ka dekada të tëra që dihet botërisht se Adem Demaçi edhe pse ka pasur ide të majta, ai nga regjimi serbo-jugosllav nuk është dënuar qoftë edhe me një orë të vetme burgu për ide të tilla, por është dënuar me 28 vjet burg fund e krye pse ai ishte angazhuar për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar, dhe këtë fakt e dinë «edhe zogjtë e malit».  Por, nëse këta dy publicistët tonë nuk u besojnë për këtë «zogjëve të malit», atëherë le ti lexojnë tri aktevendimet e dënimeve të plotfuqishme me shumë vite burg të Adem Demaçit, ku e zeza mbi të bardhën tregon se ai është akuzuar dhe dënuar për veprimtarinë e tij politike në të mirë të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, kuptohet në kundërshtim frontal me politikat shoviniste dhe aneksioniste serbe e jugosllave.

Në të vërtet, te dy këta publicistë dhe dy individë të tjerë të cilët e kanë marr guximin që ta quanin Adem Demaçin deri edhe  «spiun i Serbisë», e dinë fare mirë se Adem Demaçi aspak nuk është akuzuar e dënuar për shkaqe idelogjike, por është akuzuar e dënuar pikërisht për angazhime të rëndësishme kombëtare.  Por ja që këtyre katër-pesë shqiptarëve ua do ligësia e tyre shpirtrore e mendore, që ata të shpërndajnë sadopak mjegull e hi lidhur me pastërtinë e figurës së Adem Demaçit, duke u përpjekur kësisoji, që siç thuhet edhe në popull, ta «futin minarën në thes!», gjë që s`bëhet.

Edhe unë dhe mijëra shqiptarë të tjerë që i njohin vlerat kombëtare të Adem Demaçit, do të hidhnim dyshime shumë kohë para Beratit e Valonit mbi pastërtinë e figurës së Adem Demaçit, nëse ai psh. do ta cilsonte UÇK-në si «dorë të zgjatur të Serbisë», ose nëse ai derisa NATO-ja po i bombardonte caçet ushtrake serbe në pranverën e vitit 1999 në dobi të çlirimit të  Kosovës nga Serbia, do të bënte thirrje ndërkombëtare që ajo (NATO-ja) t`i ndërpriste bombardimet e saj mbi caqet ushtarake serbe, sepse ai (Demaçi) çështjen e Kosovës do ta zgjidhte me rrugë e mjete paqësore, dhe atë pas një pritje prej 7-8 vitesh që ai ta zgjidhte çështjen e Kosovës me rrugë paqësore, por jo vetëm që nuk e kishte zgjidhur, por edhe e kishte zbythur prapa drejt moszgjidhjes.  Por ja që Adem Demaçi gjëra të tilla s`ka bërë, dhe për këtë ai së pakut e meriton një fjalë e një vlerësim të mirë e jo shpifje, gënjeshtra e fyerje.

Por me sa duket pikërisht këtu te angazhimi i Adem Demaçit për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, te përkrahja e tij dhënë UÇK-së  dhe të bërja e tij zëdhënës kryesor i UÇK-së në mes të Prishtinës, e kanë hallin këta dy publicistët tonë, Berat Buzhala dhe Valon Syla  dhe ata dy të tjerët, që para ca vitesh e quajten Adem Demaçin spiun i Serbisë! E shkreta mendje sa shumë i mashtron ajo të zotët e saj: na qenkan dy kokrra zallë apo dy kokërra bullgur, që u qenka mbushur mendja të matën me majat e bjeshkëve e të malëve!  Dhe e shkreta gjuhë është nga tuli e flet gjithçka…!

Por ku e ka hilen shpirtligësia dhe mendjeligësia e këtyre dy publicistëve tonë, që ata të përpiqen kaq shumë për ta denigruar post mortum figurën emblematike të Adem Demçit, duke lëshuar dezinformata e gënjeshtra në adresë të tij në televizionin TV-7.  Shpresoj  që shpirtligësia e mendjeligësia e këtyre dy publicistëve tonë ta ketë strofkën e saj brenda e jo jashtë Kosovës.  Brenda Kosovës psh. te shpirtrat dhe mendjet e tyre të stërkequra, ose te individë të caktuar të ndonjë partie politike, të cilët derisa Kosova është para zgjedhjeve të 14 shkurtit, këta dy publicistë i ka marr me qesim për të folur ata keq për Adem Demaçin!

Shtrohet pyetja pse u dashka që individë të caktuar të ndonjë partie t`i marrin me qesim Beratin dhe Valonin për të folur keq për Adem Demaçin?  Për asgjë tjetër veçse me qëllim që partitë të cilat pak a shumë e kanë të kultivuar frymën politike të Adem Demaçit, siç janë Vetëvendosja, PDK-ja, AAK-ja e ndonjë tjetër, në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti të fitojnë sa më pak vota dhe për rrjedhojë edhe sa më pak pushtet, kurse LDK-ja e Ibrahim Rugovës,  të cilin këta dy publicistët tonë e ngrenë pak përmbi qiell, të marr sa më shumë vota dhe rrjedhimisht edhe sa më shumë pushtet.  Kështu mendoj se qendron puna nëse shpirtligësia e mendjeligësia e këtyre publicistëve  e ka strofkën brenda Kosovës. Por nëse ajo e ka strofkën jashtë Kosovës, atëherë fjala është për diçka tjetër…  Por jo: nuk besoj që t`u vlej aq shumë lëkura.

Dhe së fundi ta shtrojmë edhe pyetjen se çka do të bëjmë me Beratin dhe Valonin, me këta dy vëllëzerit tonë, siç do t`u drejtohej atyre Adem Demaçi po të ishte gjallë.  E po ja duke e shtruar këtë pyetje,  veç rrëshqita si thiu n`akull! Ja e përmenda fjalën “vëllezër”…  E Adem Demaçi siç e dimë, të gjithë popujt e botës dhe të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë, përfshi këtu edhe popullin serb i quante popuj vëllezër. Dhe ja tani duke i quajtuar Beratin e Valonin vëllezër, ua hapa gojën pikërisht atyre, që ata tani Adem Demaçin ta kritikojnë edhe pse ai popullin serb e ka quajtur popull vëlla. Kësaj i thonë: hy fjalë kah ke dal, u bubu goja ç`më tha! U bubu goja m`u thaftë! E fjala si fjala, po të doli nga goja ajo merr dhenë…

S`kemi ç`u bëjmë Beratit e Valonit.  Po ti marrim me të keq ata do ta denigrojnë edhe më shumë e edhe më keq Adem Demaçin; do t`ia çojnë atij dëm hiq më pas se 28 vite burg! Hë, ”luaje macë kryet buallit”, thonë.  Pastaj dhuna si mjet edukimi as që vjen në shprehje. Zoti mos e bëftë! Në fund të fundit dhuna jo vetëm se nuk i qetëson e edukon delikuentët,  por përkundrazi,  ajo i përkeqëson e i bën ata edhe më deikuent seç janë.  Shihni psh. Valonin: thonë se para disa kohësh ai edhe pse patriot i madh, i paska quajtuar mërgimtarët shqiptarë “gërnaqa”, dhe se për këtë një mërgimtar e paska “lauruar” me një shpullë goxha të nxehtë. Por, çka u arrit me këtë? Valoni u hallakat edhe më shumë. I la mërgimtarët dhe iu turr për së vdekuri Adem Demaçit. Sikur mos ta kishte ngrenë atë shpullën e atij mërgimtarit, që thjesht ishte një mjet i keq edukimi, Valoni mbase do të vetkorigjohej e  s`do të gabonte më,  duke iu turrur së fundi edhe Adem Demaçit.  Shihet qartë se Valoni nuk është fajtor që po i turret Adem Demaçit. Fajin për këtë e ka ai mërgimtari që po flitet se e kish pasur dorën goxha të rëndë.

Mirë se e gjetëm fajtorin e Valonit. Po ku do ta gjejmë fajtorin e Beratit. Kush është fajtor për turrjen e tij post mortem ndaj Adem Demaçit. Me sa dimë ai nuk e ka ngrenë ndonjë shpullë të nxehtë nga dora e rëndë e ndonjë mërgimtari apo vendori, që atij shpullë-rëndit t`ia hedhim fajin.  Dhe  Zoti mos e bëftë t`i ndodhi kjo Beratit se  do të hallakatej fare.  E po u hallakat Berati vaj medet për vendin e për kuvendin. Berati si lë vend më as vendit e as kuvendit.  Nuk është lehtë të zihesh me Beratin. Ai të dinigron e të bën tokë. Po u zure më të, mos prit, ik, kërko azil jashtë vendit, dhe kujdes e të mos kthehesh  pastaj  në Kosovës si ai mërgimtai me shpullë- rëndë që na e “lauroi” keqas Valon djalin.

U bubu sërish rrëshqita si thiu n`akull, duke e përmendur atë mërgimtarin që na e kishe “lauruar” Valon djalin e jo Beratin me atë  shpullën e tij goxha të nxehtë. Berati tani do të na akuzoj se duke e përmendur “shpullën magjike” te atij mërgimtarit, ne po e kërcënojmë atë deri edhe fizikisht,  që t`ia ndalojmë atij fjalën e lirë prej gazetari dhe atë shumë profesionist. Dhe mbase edhe na hedh në gjyq e  mbase edhe e hamë ndonjë  vjet burg, ashtu pa e prekur Beratin as me friskun e dorës. Berati e ka sherrin e madh.  E ka sherrin kudër. E po nuk thuhet kot: «çka ta bën goja jote s`ta bën askush”. U bubu goja ç`më tha! U bubu goja m`u thaftë! U bubu na falë Berat!

Jo, jo edhe Berati s`ka faj. Për sjelljet e tij të tilla ndaj vlerave madhore kombëtare, faijn e kanë ata që Berat djalin me një gisht e ngritën përpjet e me te dy duart s`munden ta ulin në vend. Berati na u bë deputet, na u bë gazetar e jo fort pak edhe vizionar. Në këto tri-katër vitet e fundit Berat djali në  çarshinë politike të Kosovës goxha ka vra e ka kthjellë. Thonë, «mos ta m`syftë Berati, mos ta preftë udhën Berati!” Se si u rrit kaq shumë ky far Berat djali, ashtu për pa e dhënë për Kosovën as edhe një metelik, as edhe një një fije floku, e as edhe një pikë djersë, se një pikë gjak jo se jo, këtë një Zot e di. Ka që thonë se ai “të gjitha këto  i ka  mbërri  me mend shoqo!” Të tjerë  thonë se “Berati nuk është aq i pamençur me bërë 28 vjet burg për Kosovën si Adem Demaçi!. Ai nuk i bjen kot murit me kokë. Ai posedon strategji e taktika njëra më e sofistikuar se tjera. Ai armiqt e Kosovës nuk i lufton primtivisht, por i lufton me strategji e me taktikë shoqo, i lufton me mend, me mend shoqo, ai i zë armiqtë e Kosovës me kerr shoqo e pastaj di se ç`u bën!»

I tillë është Berati. Ska faj, të tillë e ka krijuar natyra, Zoti. Po ti gjej vreshtat pa rojtar, Berati ato i bën maf! Po ti gjej misernikët pa rojtar, Berati shkretëron ato si të ishte një vjedullak.  Psikologji vjedullaku ka Berati. Më kujtohet kur njëherë e zura një vjedullak në misernikën time, kur unë iu mata atij për ta goditur me shtagë në kokë, e kur ai ashtu me atë kokën e tij rrubulluake i zgurdulloi sytë dhe bëri ca grimasa, si duke mu lutur që mos ta goditja, që ta falja.  Më erdhi keq për atë vjedullak. M`u prenë duart e nuk i rash. Thash me vete: Ndashtë, s`ka faj, të tillë e ka krijuar natyra, Zoti. Edhe pse zullumçar le të jetoj.  Asgjë të tepërt, thash, nuk ka në ketë botë. Po mos të ishin keqbërësit nuk do të ishin as mirëbërësit. Këta të fundit bëhën mirëbërës, duke i parë keqbërjet e keqbërësve. Prandaj edhe Berati le të vazhdoj me llapjet e tij kundër Adem Demaçit.  Adem Demaçi nuk është një fije kallami që ta shkelin aq lehtë më këmbë Berati e Valoni.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …