leoni

Enver Hoxha

Shpresa Bajraktari: Askush nuk mund të matet me figurën më të shquar të kombit shqiptar, Enver Hoxha

16 Tetor 1908 – 16 Tetor 2024
Me respekt dhe nderim të madh, deri në përulësi, përkujtojmë 116-vjetorin e lindjes së udhëheqësit më të madh të popullit dhe kombit shqiptar, Enver Hoxhës, që bëri epokë.

Epokat e popullit shqiptar janë matur herë me disa vite, herë me një ose dekada, herë me çerek shekulli ose me një ose disa shekuj të tërë.
Por një gjë është e vërtetë dhe e paharrueshme:
Në fund të çdo epoke, populli shqiptar, gjithnjë në të drejtën e tij, ka dalë fitimtar, pavarësisht nëse ia kanë dhënë apo ia kanë mohuar fitoren.
Ai ka dalë ballëlart dhe shumë i nderuar.

Secila nga këto epoka ka qenë më e ndritura, më e rëndësishmja, më e lavdishmja, si në historinë tonë të lashtë ashtu dhe në atë të re. Për këtë flet historia. Gjithsesi, ato zënë vendin e tyre në zinxhirin e pashkëputur të lavdisë së historisë së kombit shqiptar.

Kombi ynë ka nxjerrë burra dhe burrnesha, udhëheqës të mëdhenj e të lavdishëm dhe figura me përmasa kombëtare dhe botërore, të vlerësuar nga Europa dhe më gjerë në botë. Një nga këta udhëheqës të shquar, që është vlerësuar edhe nga personalitete të mëdha botërore si udhëheqësi më i madh i kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet Arkitekti i ndërtimit të Shqipërisë së Re Socialiste, Enver Hoxha.

Askush nuk mund të matet me figurën më të shquar të kombit shqiptar, Enver Hoxhën.
Nuk ka ngjarje dhe zhvillime të mëdha historike, si gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe gjatë ndërtimit të Shqipërisë së Re Socialiste, pa pjesëmarrjen dhe kontributin e paçmuar të Enver Hoxhës.
Nuk ka ngjarje dhe beteja heroike të Partisë dhe të popullit shqiptar, të kryera gjatë viteve të LANC-it dhe në 50 vitet e epokës së revolucionit e të socializmit, që të mos jenë të lidhura me emrin e Enver Hoxhës, në krye të vendit, të Partisë e të popullit.

Ka qenë jo vetëm pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në të gjitha kthesat dhe betejat e rëndësishme të historisë së re të Shqipërisë, por edhe personaliteti më i shquar, që ka drejtuar dhe ka çuar vendin dhe popullin shqiptar nga fitorja në fitore.
Te figura e Enver Hoxhës, populli dhe komunistët shohin të mishëruara virtytet më të larta të kombit tonë të lashtë: mençurinë dhe urtësinë popullore, karakterin luftarak e fisnik të tij, traditat historike të shquara, shpirtin kryengritës e bujar, të kalitur në luftërat e gjata shekullore për liri e pavarësi, për dritë e dije, për tokë e bukë.

Askush në historinë e vendit të shqiptarëve nuk mund të matet e të krahasohet me Enver Hoxhën për çfarë ai ka bërë e ka dhënë për popullin dhe kombin e tij.
Enver Hoxha është themeluesi, organizatori dhe udhëheqësi i PKSH-së (PPSH), është udhëheqësi, organizatori dhe strategu legjendar i LANC-it dhe i revolucionit popullor.
Është krijuesi dhe drejtuesi i pushtetit të ri popullor të tipit të diktaturës së proletariatit; burri më i shquar i shtetit dhe arkitekti më i madh i ndërtimit të socializmit.
Është themeluesi dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetari i Këshillit të Mbrojtjes të Republikës Popullore e Socialiste të Shqipërisë, një personalitet i madh i komunizmit ndërkombëtar dhe i luftës çlirimtare të popujve të shtypur.
Është figura historike gjigante e kombit, që tërë jetën e tij ia kushtoi pa rezerva popullit, atdheut, Partisë, dhe çështjes së komunizmit. Sekretar i parë i KQ të PPSH-së, Kryeministër, Kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor.
Enver Hoxha është dy herë Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste.

Për kontributet dhe meritat e veçanta të tij, Enver Hoxha është vlerësuar e shpallur nga komunistët e vërtetë dhe proletariati botëror si një klasik i marksizëm-leninizmit dhe është radhitur me dinjitet përkrah Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit.
Sot, masat popullore janë bindur se pa Enver Hoxhën nuk do të kishte pasur Parti të vërtetë Komuniste të Shqipërisë (PPSH), nuk do të kishte fituar Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbi pushtuesit nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre vendas.
Nuk do të ishte vendosur pushteti i popullit, e as nuk do të ishin mbrojtur liria e pavarësia e vendit. Nuk do të ishin arritur aq shumë fitore socialiste për të gjithë popullin, në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në bujqësi, në industri, në jetën shoqërore e në sigurinë e jetës së njeriut, të rinisë, në emancipimin e gruas dhe të familjes shqiptare, në zhdukjen e gjakmarrjes dhe të së vjetrës feudale e borgjeze, në afirmimin e së resë socialiste në çdo fushë.
Pa Enver Hoxhën nuk do të kishte Kosovë dhe as Shqipëri si kjo e sotmja; nuk do të kishte qenë në kufijtë e sotëm, sepse do ta kishin copëtuar dhe gllabëruar superfuqitë e kohës, të Lindjes e të Perëndimit!

Po të ishte Enver Hoxha, Shqipëria nuk do të ishte përmbysur dhe sot do të kishte qenë po aq e fuqishme, edhe më shumë!
Fatkeqësisht, Shqipëria e Enver Hoxhës nuk ekziston më! Sepse socializmi në Shqipëri u tradhtua dhe u përmbys me kundërrevolucion.
Vendi është kthyer në një vend borgjez të dorës së fundit, ku borgjezia kombëtare e ajo ndërkombëtare bëjnë eksperimentet më të ndyra dhe më makabre! Reaksioni shqiptar në pushtet ka 34 vjet që nuk ka lënë gjë pa thënë e pa bërë kundër Enver Hoxhës dhe veprës së tij, duke përdorur, për ta çrrënjosur nga jeta e nga shpirti i popullit, mjete dhe metoda barbare, nazifashiste.
Por kolosi i kombit as është tundur, as nuk tundet! Ai është gjallë, rron midis nesh me veprën e tij të pavdekshme. Përkundrazi, vlerat i janë shtuar dhe po i shtohen çdo ditë.

Në këtë krizë të thellë financiare, që ka përfshirë gjithë kapitalizmin botëror, kur imperializmi po gërryhet nga kontraditat për zona të reja influence, e themi me bindje të plotë se gjejnë mishërim thëniet dhe mësimet e Enver Hoxhës: që borgjezia, për të mbajtur pushtetin, përdor të gjitha format dhe mjetet, qoftë edhe marrjen e jetëve të njerëzve.

Enver Hoxha thoshte:
“Armiku nuk ka nevojë të përdorë tanke dhe avionë, mjafton të infektojë ambientin me viruse vdekjeprurëse, je i pushtuar pa luftuar.”

Këto thënie lapidare të vizionarit Enver Hoxha u vërtetuan katërçipërisht.

Kontrolloni gjithashtu

Gjeneral Lahi Brahimaj: Trimëria dhe dashuria e Mervete Makstuajt për atdheun, do të mbeten përjetësisht në zemrat tona

Gjenerali, Lahi Brahimaj, ka kujtuar në 26-vjetorin e rënies në kryerje të detyrës në oborrin …