Shumica e politikanëve shqiptarë e përkrahë krimin shtetëror të Izraelit kundër palestinezëve, por populli heshtë dhe në heshtje…

Eskalimi i luftës mes Izraelit e palestinezëve nuk është ndonjë befasi, nuk është për herë të parë, as do të jetë lufta  fundit. Shteti i Izraelit  përpiqet  ta mbajë të pushtuar Palestinën, të cilën e ka okupuar dhe pretendon ta jetësojnë pushtimin madje me çmimin më të çmendur,  që i tejkalon kufijtë e arsyes  njerëzore.

Palestinezët që me shekuj jetojnë në trojet e tyre, nuk pajtohen kurrë me pushtimin, madje edhe kur paguajnë çmimin e sotëm, mizor e barbar.

Thonë se e nisi, Hamasi. Është e vërtetë se e rinisi, por me qëllim hipokrit fshihet fakti se sa qindra herë deri tani e ka nisur dhe e ka sosur Izraeli pushtues, regjimi kriminal e fashist, jo populli martir izraelit. Këto nuk mund të barazohen.

Nuk arsyetohet as mos njohja e Izraelit si shtet nga disa vende arabe e islame. Edhe kjo duhet të thuhet qartë.

 

Izraeli ka aleat Amerikën, e cila ia ka lejuar dhe ia  lejon të gjitha, e qorton nga pak  e nganjëherë më shumë, por e ka aleatin numër një për ta mbajtur nën dizgin botën arabe dhe islame, të cilën e ka ndëshkuar sa e sa herë, edhe më mizorisht sesa tani po e ndëshkon Izraeli, Gazën. Amerika e ka shkatërruar Irakun, që nga themeli, sepse nuk e nënshtronte dot Sadamin. E dënoi me 20 vjet luftë Afganistanin, sepse pretendonte se atje fshihej,  Bin Ladeni. Pasi u bind se Afganistani nuk mbahet nën zgjedhë pa e farosur në tërësi një popull, u tërhoq me turp, ashtu sikur ishte tërhequr shumë vjet më parë edhe nga Vietnami, pas katër milionë viktimave  në njerëz.

Dashuria që kanë shumica shqiptare për Amerikën bën që këto fakte të heshtën, edhe atëherë kur  si të tilla i pranojnë vetë intelektualët por edhe disa nga politikanët  amerikanë që e kundërshtojnë politikën zyrtare amerikane  në raport me Izraelin.

Pse për hir të Amerikës u dashka të heshtet krimi shtetëror izraelit kundër Palestinezëve, kur vetë Amerika nuk e kërkon këtë heshtje, edhe pse mund t’ i pëlqejë.

Të gjithë shqiptarët e dinë se Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me kusht që Kosova ta njohë Jerusalemin, (qytetin e shenjë të tri feve monoteiste) si kryeqytet të Izraelit, të cilin e ka njohur vetëm Amerika dhe asnjë shtet tjetër i botës. Këtë akt të Izraelit nuk e njeh OKB-ja, as BE-ja, as Vatikani, as ortodoksia  dhe asnjë organizatë me rëndësi e botës.

Anashkalohet fakti se pikërisht ky Izrael luftën tonë çlirimtare e ka konsideruar terroriste dhe e ka arsyetuar pushtimin serb të trojeve shqiptare. Izraeli nuk e ka përkrahur intervenimin dhe bombardimin e Serbisë nga  NATO-ja.

 

Arsyetimi i krimit shtetëror kundër tërë një populli që kërkon liri, drejtësi, barazi është pajtim me të ligën, me antinjerëzoren, andaj, përveç  se qyqare dhe e turpshme  kjo është e pafalshme.

Mungesa e protestave të ligjshme e paqësore kundër krimit shtetëror izraelit mbi palestinezët vë në pikëpyetje deri-diku edhe moralin human  të shumicës shqiptare, dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte për shkak se Qeveria palestineze nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën nuk e ka njohur as Vatikani dhe as shumë shtete të mëdha të botës si Rusia, Kina, Irani etj.

Nuk është e rrugës, nuk është e moralshme që për hir të politikës zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës, të hesht tërë një popull ndaj një krimi shtetëror, të cilin edhe vetë e ka përjetuar mbi kurriz, jo vetëm një herë dhe jo vetëm nga Serbia.

Ankohemi me të drejtë se Serbia për dy vite luftë në Kosovë ka vrarë më shumë se 1400 shqiptarë të mitur, ndërsa Izraeli për një muaj ka vrarë mizorisht më shumë se 5.000 fëmijë palestinezë…

Ja dy shembuj të dy shteteve të Evropës lidhur me krimet shtetërore të Izraelit kundër palestinezëve. Derisa Suedia arsyeton gjenocidin dhe zhdukjen e palestinezëve, Spanja kërkon ta njohë shtetin e Palestinës.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson,   një vend i njohur për qëndrim anti mysliman,  ku në vazhdimësi digjet kurani dhe sulmohen myslimanët, ka deklaruar  se Izraeli ka të drejtë të  kryejë gjenocid mbi popullatën palestineze. Më vonë, duke vërejtur reagimin që shkaktoi deklarata e tij fashiste, nuk kërkoi falje por sqaroi se deshi të thoshte se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Ai kishte thënë tekstualisht, Suedia dhe BE-ja janë të bashkuara. Izraeli ka të drejtë për gjenocid…vetëmbrojtje!. Një i pranishëm nga ata që po e dëgjonin deklaratën e tij, i  zemëruar me kryeministrin dhe pyeti, se a lejohen tani të kryejnë gjenocid? A e ka Izraeli këtë të drejtë?

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë të ditur se mund të njohë shtetin e Palestinës. Lidhur me këtë qëndrim të Spanjës ka reaguar ashpër ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, i cili e ka dënuar këtë deklaratë. Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit thirri ambasadorët e Spanjës dhe Belgjikës për shkak të deklaratave të  kryeministrit ë të Spanjës dhe De Crosit në Egjipt. Mesazhin e ka dërguar edhe vetë, ministri izraelit,  Cohen i cili ka thënë  se ne dënojmë deklaratat e krerëve të qeverive të Spanjës dhe Belgjikës që sipas  gjykimin të tij  këtë dy shtete po e mbështetkan terrorizmin. Për këto deklarata foli edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ku ka pohuar se “kryeministrat spanjoll dhe belg nuk e konsideruan Hamasin plotësisht përgjegjës për krimet kundër njerëzimit. Autoritetet izraelite nuk flasin për krimin e tyre shtetëror, duke pretenduar se ata kanë të drejtë të vrasin madje krejt palestinezët, nëse nuk i bindën politikave cioniste e fashiste izraelite.  Edhe kryetari amerikan, Xho Bajden nën presionin e demokratëve ka deklaruar se zgjidhja e vetme e konfliktit është pranimi i shtetit të Palestinës.

Qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë nuk e përkrahin qëndrimin e Spanjës, edhe pse nuk janë deklaruar as pritet të deklarohen lidhur me këtë nismë, por edhe nuk i dënojnë shtetet, si Suedia e jo pak të tjera të cilat e  arsyetojë  gjenocidin izraelit mbi popullatën palestineze, edhe pse jo të gjitha e shprehin publikisht.

Ndërsa populli shqiptar që ka vuajtur mizoritë e tilla sidomos në 110 vitet  e fundit nga Serbia e Pashiqit, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, Gjermania, Jugosllavia e Titos e Rankoviqit nga Serbia e Millosheviqit, hesht dhe në heshtje flet, duke iu përmbajtur  maksimës së njohur reaksionare: Gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet.

 

Sa trishtim e mjerim!

Keq të thuhet,  e më keq që mos thuhet!

Ahmet Qeriqi

Shtime

  1. 11. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË

POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË Nuk ka ndodhur kurrë gjatë …