Si po ballafaqohet Albin Kurti me kërkesën e serishme të emisarit, Gabriel Escobar, për ta hequr policinë dhe kryetarët nga komunat e veriut?

Si po ballafaqohet Albin Kurti me kërkesën e serishme të emisarit, Gabriel Escobar, për ta hequr policinë dhe kryetarët nga komunat e veriut?

Shkrimtari i madh boshnjak, Mesha Selimoviq, në romanin “Kështjella” duke bërë fjalë për  konfliktet e përhershme të forcave kundërshtare,  ka shkruar: “Çdo mbretëri e mençur e krijon  për vete një “Hoxhin” (një mollë sherri) një vend krize të vazhdueshme, ku e derdh gjakun e keq të popullit të vet”. Hoxhini,  diku në Bosnje ishte një vend ku kriza dhe luftërat mes Perandorisë Osmane dhe forcave evropiane, kishin zgjatur për shumë kohë, një vend ashtu sikur sot Bakhmuti i Ukrainës, apo i Rusisë. Edhe katër komunat e veriut të Kosovës, prej 15 qershorit të vitit 1999, kur kufirin mbi Lumin Ibër në qendër të Mitrovicës e vendosen ushtarët francez të KFOR-it, vazhdon të jetë një “vilajet” i padefinuar, një mollë sherri jo vetëm në mes të Kosovës e Serbisë, por duke e parë më gjerë, një vend një zonë kufitare  ku atakohen   herë pas herë Lindja e Perëndimi, ndërsa në rastin vendor  kemi katër komuna me shumicë serbe, të cilat në asnjë mënyrë nuk pranojnë të jetojnë nën qeverisjen e Kosovës, duke përdorur analogjinë, që nuk është pa domethënie: “Nëse ju shqiptarët shumicë nuk deshët të jetonit nën Serbinë, përse ne serbët shumicë në këto katër komuna u dashka të jetojmë nën Qeverisjen e Kosovës? Nëse ju keni luftuar dhe i keni fituar me luftë, ne jemi të gatshëm të luftojnë dhe të çlirohemi, por meqë luftën nuk po e duam, atëherë ndahemi paqësisht, fillimisht me një Asociacion, më vonë shohim e bëjmë…

Manovrat e kryeministrit Albin Kurti tani janë në kulmin  e kalkulimeve të tij dhe katër pesë ministrave e deputetëve, me të cilët është angazhuar në stilin e veprimit “mishi të piqet, por helli të mos digjet”. Atij tani i kanë mbetur vetëm fjalët, nocionet e reja e të vjetra për t’ i lakuar ato në të gjitha rasat, për t’ i ndrydhur e për t’ i  shtrydhur, me qëllim për të krijuar përshtypjen se ai i di të gjitha, se nuk e ka shkelur asnjë premtim, se për Republikën e tij të tretë demokratike, nuk ia var as Amerikës, se është aq trim, aq i zoti, aq super politikan sa di të  notojë pa u lagur në çdo situatë. Për Albinin është me rëndësi që qëndrimin e tij ta besojë populli i Vetëvendosjes, i cili e ka emëruar kryeministër e jo Daja Hovenier, as kumbara Borell, as komshia Vuçiq.

Kurti ndodhet në trans, në një gjendje tejet të rënduar të tensionit, i cili sa vjen e rritet, në një situatë kur mendon se mundet kundër krejt botës, duke iu mbajtur leksione për demokracinë, më të mirën në rajon dhe në Evropë, sikur ai pretendon, sepse ai mendon se është vetë më i miri, më pehlivani dhe më i adhuruari nga krejt kryeministrat e deritanishëm. Transi i Kurti po shkon drejt delirit e deliri dihet se mbaron fillimisht me agoni e pastaj me  çmenduri.

Dhe ja cilat janë vetëm disa simptoma të kësaj çmendurie tipike albiniane. A nuk është çmenduri më shumë se naivitet, t’ i thuash naiv  që nuk kupton politikën  drejtuesit të Departamentit amerikan të Shtetit? A nuk është budallallëk me bollëk t i thuash ambasadorit Hovenier se dy kryetarët i mi të Vetëvendosjes, në komunat e veriut  nuk mund të vinë në takim me ty, pasi janë në orar të punës dhe kanë aq shumë punë sa nuk u dihet fundi. A nuk ishte çmenduri koha kur ai shtrembëronte gojën dhe bërtiste: Amelika, Amelika.

Po si do t ia bëjë tani, Albin trimi, kur emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet t’i largojë kryetarët e komunave  dhe ta tërheqë policinë, dhe pastaj ta fillojë “urgjentisht, urgjentisht” punën për Asociacionin. Këto i tha Escobar në një intervistë për BBC Radio, ku pas tij menjëherë edhe Kurti ishte në intervistë, për të komentuar ngjarjet në veri të vendit. “Ky eskalim ishte rezultat pjesërisht i pagatishmërisë nga ana e Kosovës për të dëgjuar komunitetin ndërkombëtar. Përpjekjet tona për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës u refuzuan. Nuk kishin nevojë të shkonin në ato objekte, nuk kishin ndonjë vlerë dhe tashmë janë gati te zbrazura. Albin Kurti duhet t’i largojë kryetarët nga objektet komunale, duhet të largojë Policinë nga ndërtesat dhe pastaj urgjentisht, urgjentisht të fillojnë diskutimet për punën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë Escobar.

Dhe ja si u shpreh Albini i fjalëve të mëdha

Unë kryeministri, Albin Kurti, nuk mund të bëj kompromise për Republikën demokratike të Kosovës. Nuk mund të bëj kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar dhe trajnuar nga Perëndimi. Presidenti Vuçiç është një autokrat që nuk i lejon serbët në Kosovë të kenë më shumë se një parti. Serbët në Kosovë përbejnë 4% të popullatës ndërsa populli i Kosovës 93% , kemi edhe minoritete të tjera të neglizhuara nga komuniteti ndërkombëtar. Pra 4% e popullsisë serbe kanë drejtimin e 10 nga 38 komunat, kanë 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës dhe qeveria jonë e ka të detyrueshme që në kabinet të kemi një ministër serb. Unë e kam atë ministër, është Nenad Rashiç. Ai nuk është në partinë e Vuçiqit dhe sot është personi më i urryer në Serbi, tha Albin Kurti. Njeriu më i urryer në Serbi, është i njëjtë për Serbinë, sikur ishte dikur Rrahman Morina, miku më i madh i serbëve dhe më i urryeri, në Kosovë, për më shumë ai ishte edhe dhëndër i Serbisë.

 Ja çfarë ka deklaruar emisari amerikan,  Gabriel Escobar, për kryeministrin, Albin Kurti  në një intervistë për gazetën austriake, “Die Presse”. Ai ka folur rreth tensioneve të fundit në pjesën veriore dhe kërkesës së Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për Asociacionin, Escobar ka thënë se kjo nuk është një temë ndërmjet kryeministrit,  Albin Kurtit dhe  atij të Serbisë, Vuçiq por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky asociacion do të vijë. Pyetja është: a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore? Gabriel Escobar ka ritheksuar se Asociacioni nuk do të jetë një Republika Serbe por që është një obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë mbi vete. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një angazhim ndërkombëtar, ligjërisht i detyrueshëm. Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. Ne jemi duke pritur. Escobar ka folur edhe për sanksionet e fundit të vendosura ndaj Kosovës, por edhe për raportet me Beogradin zyrtar. Ka një ndryshim të madh në marrëdhëniet tona me Serbinë dhe Kosovën. Tradicionalisht, Kosova ka lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe ne i dëshirojmë ato gjithashtu. I themi Kosovës: asociacioni i komunave nuk është koncesion ndaj Serbisë. Bëhet fjalë për mënyrën se si Kosova e trajton grupin e saj etnik serb. Nga këndvështrimi ynë, mosgatishmëria e Prishtinës për të lëvizur këtu tregon mungesën e vullnetit për t’u përpjekur për pajtim me vendin tonë, deklaroi Escobar.

Albin Kurti edhe kësaj radhe duket se ka vendosur të shpërfillë kërkesat amerikane, duke luajtur lojën e rrezikshme, “krejt ose hiq”. Të ishte sa për Albin Kurtin si politikan, kjo nuk do të kishte fare rëndësi, por këtu bëhet fjalë për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, për pasoja të  mbarë popullit  dhe jo vetëm për ata që ia kanë dhënë besimin, Albin Kurtit.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 6. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …