Në shtetin dhe në kombin e lirë , askush nuk i ka faj popullit nëse zgjedh keq dhe gabon.
Në demokraci vetëm një shoqëri e papjekur politikisht dhe e korruptuar zgjedh vazhdimisht politikën e keqe dhe të korruptuar.
Individi dhe populli në një shtet fitojnë dhe marrin atë se çfarë punojnë e veprojnë. Kjo vlen edhe për pushtetin, edhe për qeverisjen.
Pra, njerëzit e meritojnë qeverisjen, sepse dhe pasi nga vota e tij vjen edhe qeverisja. Pra, si është populli vjen edhe qeverisja.
Nëse vota popullore gabon dhe zgjedh e voton gabueshëm atëhere mos ua vini fajin pastaj as Europës dhe as Amerikës, sepse në Kosovë nuk votojnë ata, dhe as nuk zgjedhin ata,por votojnë e zgjedh populli i Kosovës.
Indiferenti ndaj të keqes qeverisëse, politike e publike është shume afër saj, por indiferenti është edhe frikacak i cili pajtohet me të keqen.
Shkoni në votime dhe leni fjalët e forta të patriotizmit, burrnisë e trimnisë nëpër lokale, çajtore e kafeneve!
Më i dëmshëm dhe pa dinjitet është ai që e shet votën se sa ai që ia blen atë.
Ndëshkojeni me votë, dhe mos e falni kurrë politikën e tradhëtisë, as mashtrimet, as gënjeshtrat, as krimin dhe as korrupsionin e politikës dhe pushtetit!
Bëjuani gjyqin atyre!
Nëse nuk i ndëshkoni ato ditën e votimit, atëhere nuk keni pse të ankoheni prej tyre pastaj.
Prandaj, votoni lirshëm, por ama mendueshëm dhe gjykueshëm se për kë dhe për çfarë votoni!
Për Ju intelektualë!
Jo për ju intelektualët servilë, sejmenë e puthadorë të pushtetit, jo për intelektualët frikacakë që i bëjnë fresk çdo lloj pushteti, se nga ju nuk ka çfarë të pritet.
Por për Ju intelektualët e mirëfilltë e të vërtetë, pasi Ju duhet të dukeni, mos rrini në pritje dhe indiferentë, por angazhohuni fuqishëm në politikë sepse vetëm kështu Ju nuk lejoni që talentin , aftësinë dhe kompetencat e kapacitetet tuaja intelektuale e patriotike t’ua rrëmbejnë injoranca, paaftësia dhe harbutizmi politik.
Angazhohuni sepse duke u angazhuar triumfon intelektualizmi pozitiv, professional, intelektualizmi i pa korruptueshëm dhe patriotik i cili duhet të gjejë veten atje ku e meriton kompetenca e tij, dhe për të cilin ka aq shumë nevojë Kosova.
Durrës, 3 Tetor 2019