Për herë të dytë prej kur u prishën raportet për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe vetëm tri ditë pas samitit të NATO-s në Varshavë, në selinë e Aleancës në Bruksel është zhvilluar takimi i Këshillit NATO-Rusi në nivel të ambasadorëve. Mospajtimet rreth agresionit Rus në Ukrainë, vendimet e NATO-s nga samiti i Varshavës, zvogëlimi i tensioneve dhe para shikueshmëria e veprimeve ushtarake si dhe situata në Afganistan ishin temat e këtij takimi. Duke folur para gazetarëve pas këtij takimi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se Këshilli NATO-Rusi tash e 20 vite shërben si një forum për dialog dhe se është e rëndësishme që të ketë dialog edhe atëherë kur palët nuk pajtohen. “Ishte një takim i dobishëm me diskutime të hapura. Ukraina ishte tema e parë në rend të ditës. Kjo është e rëndësishme sepse veprimet e Rusisë në Ukrainë e kanë rrezikuar sigurinë Euro-Atlantike. Aleatët dhe Rusia kanë dallime të thella dhe të vazhdueshme rreth Ukrainës. Ky takim ishte një rast që të sqarojmë pozitat tona” tha ai. “Aleatët nuk e pranojnë e as nuk do ta pranojnë aneksimin ilegal të Ukrainës. Zgjidhja duhet të kërkohet përmes procesit diplomatik” ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stolenberg.
