Brickos

Sulmi i armatosur në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës nxjerrë në sipërfaqe shumë segmente të pasigurisë së jetës në vendin tonë (RKL)

 


Sulmi i armatosur në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës në orët e vona të natës së 6 qershorit 2008, nxjerrë në sipërfaqe shumë segmente të pasigurisë së jetës së qytetarëve, madje edhe të kreut të shtetit. Nëse një hajn 19-vjeçar ka arritur të futet i armatosur në shtëpinë e kryeministrit Thaçi, kjo tregon se segmentet e sigurisë në Kosovë vazhdojnë të jenë të dështuara, pavarësisht retorikës rrahagjokse që i karakterizon ato.
Për shkallën e sigurisë dhe përgjegjësisë së policisë ndërkombëtare apo të SHPK-së, hajni i armatosur, do të futej në shtëpinë e kryeministrit, po të mos kishin qenë vigjilentë dhe të përgjegjshëm në detyrë, rojet e sigurisë së këtij objekti. Vetëm ky fakt, pa paragjykuar se kush mund të qëndrojë prapa këtij sulmi, jep informacione të bollshme për të konstatuar sesa e brishtë dhe krejt e dobët është siguria e njerëzve në Kosovë, madje edhe siguria e kreut më të lartë të shtetit të Kosovës.

Por sa janë të besueshme të dhënat e policisë se sulmin e paska kryer një hajn 19 vjeçar, i cili as paska ditur se e kujt është shtëpia. Kjo e dhënë është krejtësisht jo serioze dhe qesharake. Nuk ka plaçkitës në botë, i cili futet i armatosur me armë zjarri në shtëpi të huaj, pa e ditur se e kujt është shtëpia dhe pa i mësuar paraprakisht të dhënat elementare se kush mund të ndodhet në një shtëpi të tillë.
Po e zëmë se hajni qenka edhe përdorues i drogës, madje edhe i sëmurë, ( sikur ndodh rëndom në skenarët e filmave me temë të krimit) por nuk fshihet e vërteta se ai ka poseduar armë zjarri, të cilën edhe e ka përdorur në moment të caktuar, madje edhe duke goditur në shenjë, madje edhe ka plagosur një roje të sigurisë së objektit. Dhe, e dhëna tjetër, fare pak e besueshme se krimineli 19-vjeçar edhe pse i plagosur ka arritur të largohet nga vendi i krimit, pa qenë i ndihmuar nga askush.
Asgjë nuk përputhet në këtë rrëfim kriminalistik. Kjo intrigë mund të jetë sajuar paraprakisht nga ata, që qëndrojnë para këtij akti të krimit, meqë sulmi ka dështuar.
Në një rast të tillë, personi që ka marrë përsipër aktin e krimit, sikur ka ndërprerë rrjetin e të inkriminuarve të tjerë, po ashtu edhe motivin e sulmit. Nëse tërë ky rrëfim do të trajtohet si akt spontan i krimit, dhe nëse organet relevante të sigurisë dhe të drejtësisë nuk e hulumtojnë rastin seriozisht, tërë kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një kurdisje inteligjente të njëlloj bande, e cila me siguri se është në shërbim të interesave të Beogradit, edhe pse kryesit mund të jenë shqipfolës të Kosovës. Krime të tilla kundër shqiptarëve, Beogradi ka kryer qysh prej vitit 1912 dhe çuditërisht vazhdon të kryejë edhe sot e kësaj ditë, 9 vjet pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe.
Beogradi zyrtar kryeministrin Thaçi e trajton si person në kërkim, me qëllim për ta arrestuar, meqë 12 vjet më parë e ka dënuar me 20 vjet burg të rëndë dhe shumë herë ka kurdisur kurthe të armatosura për ta likuiduar, sidomos gjatë kohës së luftës së UÇK-së.
Natyrisht se edhe kjo dosje fare lehtë mund të mbulohet me vellon e zezë të dyshimit dhe me zvarritje pa kufi të trajtimit adekuat ligjor. Nuk është ky rast i vetëm, që ka ndodhur me zyrtarët e lartë të vendit. Në Kosovë nuk janë zbuluar qindra krime të tilla, madje edhe me pasoja fatale.
Dhe çuditërisht, ministri i Punëve të Brendshme dhe kryepolici i SHPK-së në vend se të japin dorëheqje, ata krijojnë një forcë tjetër të përbashkët për t’ u marrë me zbulimin e pasojave të këtij akti, dhe në asnjë mënyrë për të parandaluar akte të tilla të krimit. Madje edhe vetë Qeveria lavdëron punën e SHPK-së dhe të Ministrisë të Brendshme! Të përkujtojmë me këtë rast se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Rexhepi pat dhënë dorëheqje për shkak të vrasjes së dy protestuesve shqiptarë, në shkurt të vitit 2007 edhe pse ai nuk kishte kurrfarë faji, meqë ishin policët rumunë ata që vranë me armë zjarri dy shqiptarë dhe plagosën 80 të tjerë.
Përderisa nuk instalohet institucioni i përgjegjësisë ligjore por edhe morale, krimet do të ndodhin dhe kryesit do të mbesin të pandëshkuar.
Ky rast tregon mirëfilli se jeta e qytetarëve në Kosovë nuk është e sigurt.
Të sigurt janë vetëm bosët e krimit që rrethohen me kordone truprojash. Një shoqëri e tillë nuk mund të cilësohet demokratike as ligjore, por anarkike dhe kaotike. Kosova pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë dashur t’i marrë përsipër organet e sigurisë ose t’ iu bëje me dije qytetarëve se në këtë vend askush nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij, madje as kryeministri.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …