Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Likoshani dhe Qirezi e zgjuan nga gjumi Prishtinën

Stina e pranverës për historinë  shqiptare ka qenë, në shumicën e rasteve, ndjellakeqe. Shumë ngjarje të liga kanë ndodhur  në muajt e parë të vitit. Këte e kam vërejtë edhe vet ,nga ngjarjet që i kemi përjetue, dhe nga mësimi i historisë tonë që nga Skëderbeu e këtej. Vdekja e Gjergj Kastriotit ndodhi në fillim të vitit. Në këtë stinë ndodhën edhe:                                                                                                                                                                                               –              Okupimi i Shqipërisë nga Italia fashiste,                                                                            –              Tërmeti me pasoja të ndjeshme në Shkodër dhe Ulqin,                                                                              –              Vrasja nga dora gjakatare e Jusuf Gërvallës njërit nga ideologët e luftës për çlirim nga Sërbia dhe Jugosllavia,                                                                                                                                         –              Suprimimi i autonomisë së Kosovës nën shtypjen nga tanket sërbe,                                                      –              Masakra e ushtrisë sërbe në Likoshan dhe Qirez  të Drenicës,                                                                     –              Lufta dhe rënja heroike e komandantit Adem Jashari  me familje  nga Prekazi,                                                                         –              Masakra e ushtrisë sërbe në fshatin Reçak të Shtimes,                                                                   –              Shpërthimi i hidhur në Gërdec afër Vorës ,                                                                                                dhe plot ngjarje të tjera të ngjajshme por të hidhura të kujtesës sonë historike.

 

              Kësaj here po ndalemi për ta përkujtua masakrën e Likoshanit dhe të Qirezit dhe ngjarjet që rrodhën pas kësaj masakre.

             Në muajin nëntor të vitit 1997 u vra mësuesi Fadil Geci në fshatin Llaush të Skenderajt.Pati shumë njerëz në varrimin e mësuesit. Për herë të parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht dhe e mbajti një fjalë rasti  tek varri i mësuesit Fadil. Nga ajo ditë popullit të Kosovës iu ngjall shpresa se tani e tutje nuk jemi të vetmuar. Rinia jonë trimëresh ka marrë pushkën në dorë dhe po i del për zot kësaj toke. Edhe përpara kishin bërë akcione dhe veprime luftarake por nga masat e gjëra,edhepse adhuroheshin këto akcione, shiheshin si me reservë jo pse dyshonin në këto akcione  por sepse dyshonin mos  janë vetëm grupacione të shpërndara dhe të paharmonizuara në mes veti. Për këto dyshime kishin edhe një arsye pak më të fortë sepse edhe forca politike më e madhe shqiptare në Kosovë,pra Lidhja Demokratike e Kosovës, nisi të propagandoj kundër qenjes së UÇK-së  duke e përbuzur atë dhe duke e quajtur  herë si dorë e zgjatur e UDB-së  dhe herë si nxitëse nga Sërbia për të bërë një masakër  të përmasave të mëdha mbi popullatën me të vetmin qëllim që ajo(pra UÇK-ja) të jetë e irituar nga masat e gjëra, të frikëhej popullata dhe të shuhej çdo pore e rezistencës shqiptare  ndaj Sërbisë. Kështu ndodhi edhe më 28 shkurt të vitit 1998 kur Robert Gerbaldi,diplomati amerikan, shkoi tek Ibrahim Rugova dhe i kërkoi atij që UÇK-ja të trajtohej si organizat terroriste. Dhe pikërisht ashtu edhe ndodhi.Në lajmet e mbrëmbjes po të asaj nate,pra me 28.shkurt të vitit 1998, në të gjitha televizionet u tha se Gelbardi dhe Rugova u pajtuan që UÇK-ja është terroriste.Bile agjencitë e huaja thojshin se këtë e tha politikani i moderuar shqiptar Ibrahim Rugova. Na kujtohet të gjithëve se po në të njejtën ditë Gelbardi kishte qenë edhe tek përfaqësuesi politik i UÇK-së  Adem Demaçi. Por bacin Adem nuk arriti ta bindë që edhe ky ta quante UÇK-në terroriste.Flitej se në atë takim baca Adem e kishte krahasue UÇK-në me Gjergj Washngtonin për të cilën gjë Gerbaldi kishte reague shumë ashpër. Nuk e dijmë a është rastësi  por në të njejtën ditë pra 28 shkurt të vitit 1998,u bë masakra e Likoshanit, në të cilën e pësuan familja Ahmeti dhe një musafir  e që mbetën të vrarë mbi dhejtë veta ,dhe masakra e Qirezit ku u vranë disa anëtarë të familjes Deliu dhe familjes Gjeli. Me gjasë kjo ka qenë edhe rezultat i të gjitha  deklarimeve të asaj paraditeje.

             Pas gjithë këtyre deklarimeve  të mbara dhe të mbrapshta për situatën e krijuar në Kosovë dhe për mundësinë reale që gjendja të përkeqësohej, të gjitha partite politike shqiptare dhe shoqatat e tjera qytetare vendosën që të nesërmen ,pra më 01.03.1998 të mblidheshin në Prishtinë dhe të mirreshin vesh për veprimet  politike sepse parashihej se një rrebesh i paparë do të vërsulej mbi Kosovë.Kështu më  një mars u mblodh Këshilli koordinues i partive politike të Prishtinës në Medresenë e qytetit.Në këtë takim muarrën pjesë të gjitha partite politike,sindikata e pavarur , shoqata e të burgosurëve politik ,shoqata e gruas etj. Në kohën kur referuesi i parë del tek foltorja për të marrë fjalën një qytetar hyn  me vrap, si i pa frymë ,në holin ku mbahej takimi , dhe me një zë gati trishtues thot: “Nuk është më koha e fjalimeve sepse në Drenicë po masakrohet  popullata”.Aty u ndëgjua nga të pranishmit për herë të parë për masakrën e Likoshanit e të Qirezit. Dhe, vërtetë,më fjalimet nuk kishin kuptim.Tubimi mbaroi pa u fillua fare.Nga një përfaqësues i partive dhe i shoqatave të ndryshme u mblodhën në një sallë tjetër dhe u muarrën vesh për veprimet konkrete  në pajtim me situatën e krijuar. U vendos pa as më të voglën hamendje që të nesërmen,më dy mars,të organizohej një protestë popullore në Prishtinë e në shenjë rrevolte për masakrën e Likoshanit e të Qirezit dhe për hatanë që pritej të ndodhte në tërë Kosovën. U zgjodh një këshill organizativ i protestave, me pjesëmarrës nga secila  parti apo shoqatë,e cili kishte me i drejtue ato.Në krye të këshillit shtatë anëtarësh u zgjodh Isa Kastrati (tashmë i ndjeri,dëshmorë i kombit dhe njeriu i cili jetoi,veproi dhe ra vertikalisht për lirinë e Kosovës ) sepse njëherit ai ishte edhe kryetarit i Këshillit koordinues i  partive politike të Prishtinës.Në mbledhje u hodh propozimi që të mirret edhe pëlqimi nga kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova për protestën e dy marsit. Pati propozime dhe mendime të ndryshme rreth këtij pëlqimi.Njëri nga anëtarët e këshillit tha se nëse e pyesim kryetarin e Kosovës për protesta ai nuk do të na lejoi sikurse që nuk i lejoi as protestat e studentëve të 01. tetorit të vitit 1997 për lirimin e objekteve shkollore. Bile ai(kryetari )atëherë nuk i pranoi për bisedë studentët e as rektorin  e universitetit të Kosovës,tani të ndjerin,Ejup Statovci. Pas disa propozimeve u miratua  vendimi që të shkoi tek kryetari një delegacion prej tre anëtarësh dhe ta njoftojnë ate për protestën që do të mbahet nesër. Po atë ditë këshilli vendosi që protesta të filloi nga zyra e e degës së tretë të LDK-së në Velani dhe këshilli protestues,në çdo rrethanë të jetë në rreshtin e parë dhe të iu prijë protestave. Të njejtën ditë u muarrën parullat dhe pankartat nga studentët protestues të 1 tetorit të vitit të kaluar,të cilët na pritën me përkushtim dhe na dhanë udhëzime të domosdoshme për mbarëvajtjen e protestës.

              Në këshilin e protestave kishte anëtarë të të gjitha moshave dhe të gjitha profesioneve.Kishte njerëz edhe me përvojë nëpër protesta  e demonstrata që nga 27 nëntori i vitit 1968 e deri në vitet e  nëntëdhjeta kur vrulli i protestave u shua pas  daljes në skenë të LDK-së. Protestat e fundit ishin mbajtur në shtator të vitit 1990 dhe të organizuara nga Bashkimi i  Sindikatave të pavarura të Kosovës  Pas një pushimi ose plogështie afër dhjetëvjeçare  protestat e para u mbajtën  nga rinia studentore më 01.tetorit të vitit 1997 dhe tani këto të 02.marsit të vitit 1998. Ishte  bindja se protestave  të rinisë studentore nuk do të iu bashkangjiteshin qytetarët   sepse për gati dhjetë vjet u mboll  një psikozë e frikës  dhe inferioritetit ndaj pushtuesit. Por vrulli i ndrydhur për kaq vite shpërtheu në përkrahje të studentëve më  01.tetor të 1997 dhe më pas edhe më  02 mars 1998. Partitë politike dhe shoqatat të cilat e përkrahnin luftën e UÇK-së kishin për qëllim që problemin ta bartënin nga periferia(pra nga luftimet nëpër fshatra) në qendër pra nëpër qytete e sidomos në Prishtnë,kurse LDK-së kjo situat i levërdiste.Pra  LDK-së i pëlqente që në fshatra dhe periferi të lufohej nga pak por qytetet mos të përfshiheshin në luftime në mënyrë që opinion i jashtëm të krijoi përshtypjen se në Kosovë ka qetësi e në disa vende të izoluara ka ngapak konflikte sporadike.Bile Kryetari Rugova bashkë me partitë  tjera satelite të LDK-së i shpallën zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të mbaheshin më  22.mars.të vitit 1998 edhepse në Kosovë luftoj dhe vdisej për liri. Ato zgjedhje,madje quheshin të lira dhe demokratike. Mbaj mend rastin kur një polic sërb në Kodrën e Trimave e ndali një të ri,ditën e zgjedhjeve dhe ndër të tjera e pyeti se a kishte  votua ende dhe kur i riu i tha se nuk do të votonte fare polici e rrahu të riun duke i thënë se ti qenke me Partinë Palamentare të Adem Demaçit e prandaj nuk voton.

               Pasi i patëm bërë të gjitha pregatitjet,të nesërmen më dy mars,u mblodhëm të gjithë protestuesit  në Velani,para selisë së degës së III-të të LDK-së, dhe filluam marrshin e protestës drejt qendrës së qytetit.Rrugëtimin e bëmë nga rruga e Matit tek ish ndërtesa e Sllovenia sportit, në rrugën Agim Ramadani, në drejtim të Kuvendit të Kosovës,pas ndërtesës së komunës dhe dolëm në rrugën për tek ish kino Rinia.Në rrugëtim e sipër na u bashkangjitën një masë shumë e madhe qytetarësh.Aty tek sheshi para kino Rinisë e mbajtëm një fjalim rasti të cilin e lexoi kryetari i këshillit të protestës Isa Kastrati. Shumë qytetarë kishin dalë me iu bashkangjitë protestës andej nga Ulpiana dhe Kodra e diellit por kishin hasë në kordon të policisë të armatosur deri në dhëmbë. Tek sheshi para fakultetit filozofik turmën e protestuesëve i kishte ndalë policia.Bile qendra e reagimit të policisë kësaj rradhe kishte qenë para sheshit të fakuletit sepse aty i kishin pa disa profesor dhe, duke mendue se ata janë krerët e protestuesëve, kishin fillue përleshjet mes policies dhe protestuesëve ku ka patur shumë të rrahur,të pëgjakur dhe të plagosur.Në rrugën që shpije nga salla e sporteve 1 tetori e deri tek Instituti albanologjik disa civil sërb kishin ndezë makinat dhe turreshin me i shkelë  protestuesit.Njeni sërb e ndezë një buldozher dhe e lëshon ate në teposhtëzen kah menza e studentëve vetëm  për të tremb dhe plagos masën e protestuesëve. Atë ditë u bë rrëmujë e madhe në qytet. U hodh shumë gas lotsjellës dhe ujë nga cisternat. Pati shumë të rrahur dhe të plagosur. Protesta u përcoll nga të gjitha agjencitë e huaja dhe morri një jehonë në opinionin e jashtëm.Me këtë protestë u dha porosia e saktë se Kosova po vlon në të gjithë hapsirën e sajë.

              Në të njejtën ditë ,në mbrëmje, u takova me një vlla të shokut tim.Fjala e parë, dhe para përshëndetjeve të zakonshme,që më tha ishte “more shoq kush do të përgjigjet për gjithë këto masakra mbi popullatën dhe për këto demonstrate të pakohë që po i nxitni ju…”. Në fillim më zuri ngusht sepse nuk e pritësha këtë reagim prej tij mirëpo shpejt e morra veten dhe iu përgjigja “ e po ,sipas teje dhe juve,mbi kë do të bije përgjegjësia nëse ne mbetemi gjithmonë në robëri dhe do ta kemi Sërbinë mbi kokë  tërë  jetën”. “ Këjo që thua kurr nuk më ka shkua ndër mend “  më tha bashkëbiseduesi dhe u ndamë.Shpejt u këndella dhe e kuptove për kend e kishte fjalën ai shoku me këto akuza të rënda.Fjalën e kishte tek Adem Demaçi dhe UÇK-ja që po ua  prishnin “qetësinë” para zgjedhjeve të 22 marsit. Sipas tij pas zgjedhjeve do të bëheshim me institucione “demokratike” me të cilat do të mund të luftohej  Sërbia me mjete institucionale dhe pa dhunë.Bashkëbiseduesi e përcillte mendësinë pacifiste të LDK-së të cilës tani më i kishte kaluar koha.         27.02.2014 Prishtinë                                           Sylejman  Krasniqi

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …