Thellohet bashkëpunimi minerar në mes Kosovës dhe Shqipërisë

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, ka pritur në një takim zëvendësministrin e Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Gëzim Musabelliu, me të cilin ka diskutuar për thelluar bashkëpunimin në fushën minerare në mes dy vendeve.

Me këtë rast, zëvendësministrja Gashi e ka informuar homologun e saj për të arriturat, respektivisht angazhimin e Qeverisë së Kosovës në fushën minerare si dhe asaj të gjeologjisë.

“Në kuadër të reformave ligjore dhe plotësimit të legjislacionit sekondar MZHE, ka paraparë që në sektorin minerar të ketë investime në kapacitete hulumtuese shkencore, të cilat do të ndikojnë në hapjen e perspektivës së re në ngritjen e kapaciteteve të shfrytëzimit”, ka thënë Zogaj-Gashi, duke pohuar se bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë fushë është i kënaqshëm dhe se dy Qeveritë do të intensifikojnë këtë bashkëpunim.

Sipas saj, prioritet i Qeverisë së Kosovës është mbështetja dhe nxitja e investitorëve në hulumtimin dhe shfrytëzimin e këtyre resurseve.

Numri dy i MZHE-së, duke folur për bashkëpunimin e Shërbimeve Gjeologjike të dy vendeve tha se tashmë  ky bashkëpunim po jep rezultatet e duhura.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe atij të Shqipërisë ka sjellë edhe përgatitjen  e projektit, i cili është me interes i dy institucioneve  për konkurrim në projektin Horizont 2020, të financuar nga Komisioni Evropian, i cili me 5 prill  do ti paraqitet Komisionit Evropian”, është shprehur Zogaj- Gashi.

Ndërsa, nga ana e tij zëvendësministri Gëzim Musabelliu, tha se bashkëpunimi në fushën minerare dhe gjeologjike për dy vendet është i rëndësisë së madhe, i cili do të zhvillonte ekonomitë e dyja vendeve.

“Të dyja vendet Shqipëria dhe Kosova, kanë pasuri minerale  dhe bashkëpunimi në këtë fushë do të ndihmonte ekonomitë e dy vendeve. Po ashtu duhet shikuar bashkëpunimin edhe në fushën e përgatitjes së kuadrove të reja  në dy vendet“, është shprehur Musabelliu.

Ndërsa, zëvendësministrja Gashi ka njoftuar Musabelliun që tashmë Qeveria e Kosovës ka formuar Komisionin, i cili do të harton projektligjin për Trepçën proces ky i drejtuar nga MZHE.

Ndryshe, dy palët janë dakorduar për intensifikimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën minerare dhe atë gjeologjike.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …