Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë së Tiranës ka miratuar unanimisht propozimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, që katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës. Propozimi, i shqyrtuar nga komisioni i titujve të kryesuar nga historiani Pëllumb Xhufi, vjen në një periudhë të ndjeshme për katër ish-drejtuesit e UÇK-së. Sipas motivacioneve të paraqitura, nderimi lidhet me kontributin e tyre në luftën çlirimtare, përfaqësimin politik të Kosovës dhe procesin drejt lirisë e pavarësisë, si dhe me lidhjet e tyre me Tiranën. Motivacionet për drejtuesit e UÇK-së: Hashim Thaçi; Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kadri Veseli: Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe përkushtimin ndaj afrimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Jakup Krasniqi: Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e tij të hershme me Tiranën, si një nga qendrat e mbështetjes politike e qytetare për Kosovën. Rexhep Selimi: Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën, kryeqytetin që në ditët e luftës qëndroi pranë Kosovës dhe popullit të saj. “Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë”, është shprehur kryetari Erion Veliaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
