Trende pozitive në rritjen e të hyrave nga ATK

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, vizitoi Administratën Tatimore të Kosovës ku u prit nga drejtori i përgjithshëm Sakip Imeri, me bashkëpunëtorë.

“Kemi trende pozitive të rritjes së të hyrave edhe tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili grumbullohet brenda, edhe Tatimi në të Ardhurat e Korporatave, edhe Tatimi në të Ardhurat Personale. Ka ecuri të mirë edhe sa i përket implementimit të Ligjit mbi Faljen e Borxheve, ka ecuri të mira sa i përket fiskalizimit. Por, konstatuam bashkërisht se ne do të punojmë edhe më tutje këtu sa i përket veçmas fiskalizimit të njësive që merren me tregtimin e naftës dhe derivateve të saj”, tha kryeministri Gjatë takimit është biseduar edhe lidhur me strukturimin dhe rritjen e efikasitetit.

Kryeministri Mustafa tha se u konstatua bashkërisht se duhet të vlerësohet performanca dhe profesionalizmi i çdo punonjësi pasi është fjala për bizneset, të cilat, siç tha ai po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për Kosovën, për punësimin e njerëzve.

“Ne po ashtu do të vazhdojmë së bashku me Ministrinë e Financave që të punojmë në fushën e reformave fiskale karshi kërkesave dhe nevojave që po i prezantojnë bizneset. U sigurova se ne kemi një staf të përgatitur edhe të inspektorëve, edhe të punonjësve tjerë të Administratës Tatimore, të cilët po e bëjnë dhe mund ta bëjnë punën e tyre mirë, në mënyrë ligjore, por gjithashtu mund të krijojmë kushte që stafi mund të lëvizet gjithmonë duke i respektuar të drejtat e tyre, të lëvizet vetëm në pikëpamje të krijimit të kushteve për të rritur efikasitetin e grumbullimit të të hyrave dhe për të ulur evazionin fiskal, te i cili kemi trende pozitive, sidomos në pjesën e veriut, sepse edhe atje kemi tani një fiskalizim mjaft të mirë, që matur me një pjesë tjetër të vendit, nuk ndryshon shumë në situatën e tanishme”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i ATK-së, theksoi partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme të kryeministrit Mustafa dhe ministrit Hoti për të gjitha aktivitetet e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Jemi zotuar se për të gjitha detyrat që na obligon ligji ne do të jemi të përkushtuar dhe do t’i kryejmë detyrat për të cilat jemi të thirrur. Trendi i të hyrave është pozitiv. Është një trend i mirë i të hyrave në raport me të kaluarën në të gjitha llojet e tatimeve. Po ashtu edhe çështja e menaxhimit të stafit është një menaxhim i mirë, është një përkushtim në punë dhe një prezantim i rezultateve nga puna e gjithë tatimpagueseve që përmbushin në mënyrë vullnetare tatimet”, tha Imeri.

Gjatë konferencës për media u trajtuan edhe temat që lidhen me bashkimin e dy agjencive, ATK-së dhe Doganave si dhe fiskalizimin e bizneseve në pjesën veriore të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …