U botua libri: “Strateg-bota në anekdota III” i autorit, Selman Dervishi

Radio-Kosova e Lirë ka nxjerrë në dritë  librin: “Strategbota në anekdota” i autorit, Selman Dervishi. Ky është libri i 19-me radhë i këti autori tashmë të njohur në vend e më gjerë. Edhe pse ai jon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me Kosovën dhe problemet aktuale me të cilat po ballafaqohet vendi ynë dhe shqiptarët përgjithësisht. Libri ka 490 faqe, shtypi, “Shkrola”, në Prishtinë

Krijimtaria e Selman Dervishit, substrat poetiko-prozaik i veçantë në letrat tona

Krijimtaria e Selman Dervishit është krejt e veçantë në tërësinë e saj, sidomos në përpjekje për ta bashkuar prozën me poezinë, jo thjesht si prozë poetike, por si substrat, poetiko-prozaik.  Në këtë drejtim, ai ka arritur që në shkrimet e tij ta manifestojë një formë krejt autentike të diskursit krijues, i pazakonshëm në krijimtarinë tonë, por i latuar me shumë sukses nga kredoja krijuese e poetit dhe prozatorit tashmë të njohur.  Në rrugë për ta krijuar origjinalitetin krijues, poeti e prozatori, Selman Dervishi,  ka arritur më shumë sesa mund të vërehet në dukje të parë. Them kështu, sepse krijimtaria e tij, nuk del si rezultat i provës për të shkruar ndryshe, apo  i ndonjë eksperimenti letrar, apo i një rudimenti arkaik, por del thjesht si rezultat i botës së brendshme shpirtërore, për ta rrëfyer realitetin kompleks me tërë një kompleksitet fjalësh, shprehjesh, sintagmash, me tërë një botë, që gufon në çdo varg, në çdo fjali e periudhë, në fjali të bashkërenditura e të nënrenditura, të cilat po ashtu duken të ngatërruara nëse lexohen shkarazi, por janë mjaft të lidhura e të stisura në kuadër të brendësisë së çdo teme, të cilën ai e ka trajtuar dhe e trajton përmes fjalësh….

Trilogjia, “Strategbota në anekdota”, (tani pjesa e fundit), i jepet lexuesit e studiuesit të letërsisë shqiptare në formë lapidare, si një kështjellë të ngihet me gurë, të vegjël të mëdhenj, të latuar por edhe të palatuar, të radhitur me kujdes, të lidhur mirë mes veti, në tërësinë e ndërtimit të të gjitha segmenteve që përbëjnë tërësinë krijuese artistike.

Substrati poetiko-prozaik i Selman Dervishit, është kompleks dhe kaotik, kompleks në paraqitjen e problemeve, të cilat i shqyrton sipas bindjes dhe pikëpamjeve të tij, dhe, kaotik në trajtimin e kaosit që ka mbretëruar dhe po mbretëron ndër shqiptarë. Si intelektual që ka përjetuar shumë nga katrahurat, me të cilat është ballafaquar kombi në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, autori i ka vënë vetes për detyrë të bëjë jo vetëm vrojtuesin, rrëfyesin, stigmatizuesin e të ligave dhe nopranive, por edhe kujdestarin e  rojtarin e përjetshëm në mbrojtje të idealeve të shenjta kombëtare, në mbrojte të shqiptarisë së bërë e të pabërë, në mbrojtje të figurave madhore kombëtare, duke veçuar nga ky mes dy më të mëdhenjtë, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe Legjendarin Adem Jashari.  Në këtë rrugëtim krijues intelektual, autori ka degdisur shpirtin e tij nëpër të gjitha ngjarjet dhe epokat e historisë, në rrëfimet për bëmat heroike, por edhe bëmat e liga të skllavërisë, tradhtisë e ndeshtrashave tona kombëtare.  Vargu i tij godet të ligën, madje e godet nga të gjitha anët me rrufe shprehjesh të përsëritura me një mimikri mallkuese, drejtuar babëzisë, dhunës, okupimit, përpjekjeve për zhvlerësimin e vlerave kombëtare dhe vlerave të UÇK-së.  Në luftën e tij të pakursyer për të mbrojtur vlerat kombëtare, ai nuk kursen asgjë, nuk kursen mallkimin, stigmatizimin, përqeshjen, fudullëkun, prapësitë, të ligat, dobësitë dhe tërë konglomeratin e të këqijave që na kanë kapluar duke qenë të ndarë në gjashtë shtete dhe të përçarë e të degdisur në 60 e sa parti, në qindra klane e mijëra bastione bajraktare të feudalizmit të kaluar  e të sotëm.

Pjesa e tretë e Trilogjisë, “Strategbota në anekdota”, shënon kondensim të theksuar të rrugës specifike të autorit   në krijimtari. Në krahasim me dy vëllimet e para, në këtë vëllim autori tashmë ka krijuar veçantitë e shprehjes, në të gjitha segmentet e paraqitjes dhe ndërtimit të anekdotës të llojit të veçantë, të llojit “sui generis”, e cila e ka bazamentin në anekdotën tipike drenicase, por nuk rrëfehet në formë arkaike, tradicionale, por në formë poetike, në një formë të kondensuar, ku rolin kryesor e luajnë fjalët e përsëritura, madje të stër-përsëritura, herë me qëllim të krijimit të kakofonisë, herë me qëllim të stigmatizimit, që është karakteristikë e shumicës së anekdotave të tij të veçanta, qoftë në thurje, qoftë me elemente përcjellëse.

Ai i lakon fjalët në të gjitha format e finesat, në të gjitha trajtat gramatikore, në format analoge të komunikimit duke ndërtuar fjalë të reja, të ndërshtëna, të plota e të mangëta, të kuptueshme në esencë, vetëm nëse lexohen në nëntekst e në kontekst. Në dukje të parë kemi të bëjmë me radhitje fjalësh, idiomash, të cilat forcojnë qendërsimin e motivit. Ato  janë në funksion të tregimit, të tërësisë së skicës apo rrëfimit.

Përsëritjet e fjalëve, blla-bllatë e shumta, klishetë,  kalimi nga një fjalë apo shprehje në tjetrën, qoftë për efekte rime, qoftë duke radhitur fjalë në kapërcim nga një temë në tjetrën, nganjëherë shkëputin edhe fillin e mendimeve, por ato janë në funksion të narracionit si tërësi. Në shumë krijime të tilla hetohet një aritmi, apo  dis-ritmi e theksuar, që duket se fjalët  dalin vetvetiu, me qëllim të pacaktuar. Në disa anekdota hetohet lodhja, shtangimi, konfuzioni,  kaosi, që janë karakteristika të përditshmërisë, mbase edhe me bazë fizike e psikike. Lexuesi i vëmendshëm i veprave të Selman Dervishit, pa dyshim se gjatë leximit zbulon një botë të veçantë krijuese, një krijimtari të një idealisti të mirëfilltë, një atdhetar të kulluar, i cili preokupim kryesor ka kombin e atdheun, madje edhe tani që po hyn në vitet e pleqërisë, madje edhe me probleme shëndetësore, ai nuk ndalon, por kritikon, fshikullon dobësitë e babëzitë, të cilat “si do rrogëza të zeza e të liga iu kanë kapur kombit dhe duan t ia marrin edhe shpirtin”, ashtu sikur thoshte Fishta i Madh.

Ahmet Qeriqi

Janare 2016

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …