leoni

U mbajt Akademi solemne e Koncert Memorial në nderim të Dëshmorëve të Kombit

Mbrëmë tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, është mbajtur akademi solemne dhe koncert memorial për shënimin e 28 shtatorit-Ditës së Dëshmorëve. Në këtë akademi solemne, ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe mysafirë të shumtë. Në hapjen e kësaj akademi, Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka thënë se Ferizaj ka sot, datë lavdie!

“ Janë këto ditë që kulmuan me kthesën e pakthyeshme drejt lirisë. Janë ditët kur u kurorëzua ngadhnjimi ynë e dita kur kujtojmë e përkulemi për të rënët për liri. Është 28 Shtatori i Dëshmorëve të Kombit! Kjo ditë e 28 e shtatorit të vjeshtës, është pranvera jonë e lavdisë për lirinë. Është i thellë pikëllimi, po aq e shtrirë është mërzia, sa e gjerë e sa e pashlyeshme është krenaria e lavdia. Janë bijtë e bijat, që kombit iu bënë dëshmorë, për ta mbrojtur, për ta mbjellë farën e lirisë, me gjakun e tyre, me trimërinë e tyre. Sot, kur lotët e nënave dhe baballarëve, bijve e bijave të Dëshmorëve të Kombit, rrokullisen faqeve, të bëra tok dhembje e krenari, gjejnë forcën që ballin ta mbajnë lartë, në frymën e freskët të lirisë, se lirinë e sollën, bijtë e baballarët e tyre. Ngado të kthesh kokën, kudo që të shkosh, gjen emrat e tyre, gjen ngrehina lavdie, gjen gjakun që çeli lulen e lirisë, gjen heroizmin që ndër breza frymëzon. Ata prekën përjetësinë e bashkë me kujtimin e heroizmin e tyre, mbeten të pavdekshëm”, ka thënë Kryetari Aliu.  Numri një i qytetit të Ferizajt, në fjalën e tij ka thënë se fundshekulli XX, gjeti Kosovën të ndryrë nën prangat e robërisë serbosllave. Sipas tij, Kosova e përvuajtur për shekuj, kishte afër orën e zgjimit të saj. “Atdhedashuria, ëndrra e lirisë, ishin zgjimi ynë, forca që ushqente dejtë e çdo shqiptari. Ne guxuam të ëndërrojmë lirinë, ne guxuam ta përbuzim vdekjen. Triumfi ishte i pashmangshëm. Ishte flamuri e kombi, votra, gjuha e gjaku ynë, thirrja që t’i dalim zot.  Këmbanat e lirisë, po ftonin në radhët e saj, horizontet e shpresës po hapeshin. Liria po trokiste në derën e çdo shqiptari, për tu bërë rresht, në të pafundmin lum njerëzish, që i falën eshtrat, gjakun, sakrificat e tyre, tokës së Kosovës. Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lufta jonë çlirimtare, që nga beteja në betejë, nga një hap i luftëtarit të lirisë tek tjetri, një krismë pushke tek tjetra, ato që sollën më afër, më të prekshme, më të dëlirë, lirinë e Kosovës. E kaluara jonë ndër shekuj, është e përgjakshme, është e dhembshme, por krenare e me trimëri të papërkulur. Nga këto deje, buroi gjaku i Dëshmorëve, martirëve ndër breza. Liria ka një emër, por sinonim ka emrin e secilit dëshmorë, secilit martirë, ka emrin e secilit luftëtarë”, tha Aliu, duke shtuar se si sot, 25 vite më parë, pak kilometra nga këtu, udhëkryqet e historisë, morën në faqet e saj të lavdisë, Ferizajn – Epopenë e lavdishme të UÇK-së në Jezerc. “Blerimi jetëdhënës i Jezercit, majet e grykat që armikut i kallën tmerrin, guximi i pashoq i luftëtarëve të lirisë, ishin lajmëtare se liria është afër. Nga maje malesh të Jezercit, luginat e kodrat e Neredimes, si edhe nga çdo pëllëmbë toke, frynte era e lirisë. Epopeja e Jezercit, me veprën lavdiplote të Dëshmorëve të Kombit dhe luftëtarëve të lirisë, heroizmin që skaliti në këtë vend lapidar lavdie, mbetet nga më sublimet, më krenaret, beteja për lirinë”, tha Aliu. Gjatë fjalimit të tij, Kryetari Aliu, është shprehur se sot, luftëtarët e lirisë dhe mbarë populli ynë, jemi dëshmitarë të përpjekjes për rishkrimin e historisë. “Gjykimi absurd i kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, me stisje, të pavërteta, nxjerr edhe njëherë në krye të radhës, luftën e drejtë, të pastër e të lavdishme çlirimtare. Drejtësia e mirëditur nga të gjithë, beteja e fundit për liri, do të triumfoj sërish, ndërkombëtarisht. Lufta e një populli për çlirim, nuk njeh zmbrapsje por ngadhnjim. Liria, Republika janë fryti i sakrificës ndërshekullore, ngadhnjyer me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato janë vepër e heronjve, dëshmorëve, martirëve, të rënëve për liri. Sot e gjithmonë, rrugën e tyre, duhet të ndjekim, për komb e Republikë. Ferizaj, si e gjithë Kosova, njohu dhembjen e sakrificën për liri, njohu edhe përparimin e frytet e lirisë. Sot, jemi krenarë për gjithë çfarë bëmë, por këmbëngulës në synimin drejt së ardhmes, për ta ndërtuar edhe më mirë, edhe më shumë, për ta zhvilluar çdo pore të shteti e shoqërisë, të ndërgjegjshëm se kemi rrugë të gjatë në këtë synim. Me dashuri, me ndershmëri, përgjegjshmëri detyre e përbetim në vlerat më fisnike që shquajnë shoqërinë tonë, të vetëdijshëm për sakrificat e panumërta për të sotmen, nuk ka forcë që i ndërron rrugën këtij synimi. Dëshmorët, luftëtarët, martirët, me veprën e tyre na sollën lirinë e na dhanë si komb, përjetë lavdinë. Ne ia kemi borxh brezave, ta bartim ndër ta, më të pastërtën atdhedashuri. Me krenari për të kaluarën lavdiplote, me sytë drejt së ardhmes, të përkushtuar e pa kursim të ndajmë nga vetja më të arrirën, do t’ia dalim. Kujtojmë gjithmonë, Dëshmorët e Kombit, ëndrrat e rinisë së tyre, kujtimet që na lanë pas, guximin e pashembullt, buzëqeshjen e ngadhnjimit nga qielli lartë, për ta ndriçuar rrugën tonë, veprat tona, amaneti i tyre, na vjen gjithmonë pas”, ka përfunduar Kryetari i Komunës Agim Aliu. Me një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar edhe Gafurr Bytyqi, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve. Ai ka vlerësuar lartë sakrificën e gjithë dëshmorëve të rënë për liri. Në fund u shfaq një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, orkestra popullore si dhe recitali me nxënës të shkollave të mesme, përgatitur nga artisti Heset Maliqi – Quza.

May be an image of 1 person, oboe, clarinet, microphone, dais and text

May be an image of lighting, night and text

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …