U mbajt mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veteranit të UÇK-së, Ekrem Metushi

Të martën në ambientet e Teatrit “Adriana” nën organizimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj dhe mbështetjen e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së luftëtarit të lirisë, veteranit të UÇK-së, Ekrem Metushi që dje u nda nga jeta.

Me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, mes tyre edhe të familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, drejtuesve të organizatave të dalura nga lufta e UÇK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ish kryetar komune, drejtorë komunal, ish eprorë të lartë të UÇK-së, me fjalë rasti në emër të Kryetarit Aliu, të pranishmëve iu drejtua Nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu i cili kujtoi veprimtarinë e të ndjerit në luftën çlirimtare, spikati vlerat e tij atdhetare e njerëzore e gjithashtu ngushëlloi familjen, bashkëluftëtarët dhe të gjithë të pranishmit në këtë mbledhje komemorative.

“Është e pashmangshme dhembja, janë të pashmangshëm lotët e pikëllimi për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit tonë, por ama është krenaria për veprën e lavdishme që la pas vetes, ajo që bën të fortë familjen dhe gjithë shoqërinë e tij, të cilët jemi mbledhur sot së bashku, në kujtim të jetës dhe veprës së tij. Rrapi – kaloi në përjetësi, duke na dhënë lamtumirën e fundit, si një nga më të shquarit luftëtarë të lirisë, një nga të parët që formuan rreshtat e luftës për çlirim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ekremi ishte luftëtar i dalluar në betejat e luftës për çlirim, gjithmonë i matur, sypatrembur, i pathyeshëm e i palëkundur në përpjekjen tonë për liri. Ai, ishte nga të parët që formuan rreshtat e gjatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin tonë, duke qenë dalzotës e i gatshëm për çdo sakrificë në trajektoren e gjatë e plot gjak drejt lirisë. Në mes emrave të lavdisë, sakrificës për liri, shkëlqen krenar emri i tij. I tillë ishte Ekremi. Të tilla vlera barte mbi supe ai. E tillë ishte atdhedashuria e tij. Në portretin e lirisë që ndërtuan me gjak e sakrifica dëshmorët, invalidët e luftës, luftëtarët e lirisë, martirët, vepra e tij atdhedashëse, sakrifica e lufta për liri, zë një vend qendror. Ekrem Metushin – Komandant Rrapin siç e quanim ne bashkëluftëtarët, do ta kujtojmë si një intelektual të rrallë, si një qytetar të devotshëm, si një luftëtar të guximshëm, fjalëpak por të përkushtuar e të palëkundur në vizionin e tij për lirinë. Ai këtë e mishëroi në gjithë jetën e tij, gjatë luftës për liri, por edhe pas saj, deri në frymën e tij të fundit” tha mes tjerash Nënkryetari Aliu.

Mes emocioneve, evokimit të kujtimeve nga veprimtaria atdhetare, nga lufta për çlirim, vlerësimin e figurës së tij atdhetare e qytetare, për të ndjerin me fjalë rasti iu drejtuan të pranishmëve Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, mbesa e të ndjerit, Diana Metushi, ish Komandanti i Zonës Operative të Neredimes, Shukri Buja, miku e bashkëluftëtari i tij, shoku i pandashëm për dekada, Ylber Topalli dhe fare në fund të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti edhe i biri i të ndjerit, Trim Metushi.

Varrimi i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Metushi u bë sot në Varrezat e fshatit Koshare të Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Policia dhe nxënësit sensibilizojnë qytetarët për sigurinë në trafik në Malishevë

Sot, në Malishevë, u zhvillua një aktivitet i veçantë për rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë …