U vodh dhe u plaçkit selia e parë e Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress, në fshatin, Krojmir

U vodh dhe u plaçkit selia e parë e Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress, në fshatin, Krojmir

Nga hajna e plaçkitës ende të pazbuluar, natën mes 1 dhe dy janarit 2022,  u thye dhe u plaçkit  Shtëpia-Muze e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Krojmir të Drenicës, të komunës  së Lypjanit.

Plaçkitësit kanë marrë një mikser pune, disa mjete teknike, ndërkohë që kanë thyer dyer e dritare të Shtëpisë. Kjo Shtëpi Muze është marrë formalisht në mbrojtje nga  Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sporte i komunës së Lypjanit, i cili më 25 shkurt të vitit 2019  iu ka përgjigjur pozitivisht kërkesës së Drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë, për ta marrë nën mbrojtje institucionale  shtëpinë e  Idriz Qeriqit, në fshatin Krojmir, ku ka qenë selia e parë e Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë së lajmeve Kosovapress, gjatë luftës së UÇK-së, në vitin 1998.

Në përgjigje të kërkesës thuhej se Drejtorati për Kulturë Rini dhe Sporte do të fillojë procedurën, në mënyrë   që objekti i caktuar  të përfshihet në planin lokal për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke sqaruar se komuna nuk ka kompetenca të nxjerrë ligje, por vetëm akte nënligjore dhe në këtë drejtim ajo do të angazhohet që kjo shtëpi të ketë përkujdesjen,  ashtu sikur e meriton. Deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje tjetër edhe pse kanë kaluar  afër tri vjet, pavarësisht se nuk ka munguar interesimi nga ana jonë.

Radio-Kosova e Lirë, qysh në vitin 2003 ka ngritur “Shtëpinë Muze” në fshatin Berishë, të cilën nuk e ka marrë në mbrojtje institucionale komuna e Drenasit, edhe pse ka qenë e obliguar  me vendim të Ministrisë së Kulturës me numër 2944/2008, lëshuar më 3. 11. 2008,  lidhur marrjen në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të kësaj Radioje të luftës e të paqes në Kosovë.

Kërkesa, prej vitit 2008 iu ka drejtuar secilës Qeveri, si edhe Qeverisë aktuale  por drejtoria e Radios-Kosova e Lirë ende nuk ka marrë një sqarim zyrtar, lidhur me refuzimin antiligjor që i ka bërë dhe po i bën kësaj kërkese  komuna e Drenasit.

Edhe Shtëpia-Muze në fshatin Berishë,  herë pas herë ka qenë objekt i  keqbërësve  dhe   plaçkitësve, të cilët nuk janë zbuluar  asnjëherë nga Policia e Kosovës.

Selitë e Radios-Kosova e Lirë vazhdojnë të jenë shënjestër  jo vetëm e hajnave të rëndomtë,  por edhe e qarqeve që e kanë urryer dhe vazhdojnë ta  urrejnë, zërin e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit, zë të cilin për çdo ditë e shpërndanë  në eter, Radio-Kosova e Lirë, ashtu si në kohën e luftës dhe në vazhdim,  qe 23 vjet, prej 4 janarit të vitit 1999 e deri tani, edhe pse në kushte tejet të rënda financiare.

Nuk presim ndihmë nga institucionet, sepse atë nuk e kemi gëzuar asnjëherë, por kërkojmë nga organet përkatëse të veprojnë në bazë ligjit, sepse objektet e Radios-Kosova e Lirë nuk janë të jashtëligjshme, në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

 

RKL  2. 1. 2022

Krojmir

Kontrolloni gjithashtu

Kandidati për kryetar të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka prezantuar platformën prej 10 pikave për zgjedhjet e 24 prillit

Bujar Osmani flet për përkrahjen e Albin Kurtit dhe rrëzimin e Taravarit në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë

Kandidati për kryetar në Maqedoninë e Veriut,  Bujar Osmani shpreh shqetësimin për ndërhyrjen e kryeministrit …