UNDP

UNDP: Krizat e shumëfishta ndalojnë progresin ndërsa 9 nga 10 vende bëjnë hapa mbrapa lidhur me zhvillimin njerëzor

Krizat e shumëfishta ndalojnë progresin ndërsa 9 nga 10 vende bëjnë hapa mbrapa lidhur me zhvillimin njerëzor, raporton UNDP-ja me shqetësim. Bota duhet ta shkundë veten nga paraliza e vet globale për të siguruar të ardhmen e njerëzve dhe planetit, duke rindezur trajektoren e vet të zhvillimit

8 shtator 2022 – Nju JorkBota po zvarritet nga kriza në krizë e zënë si në çark në një cikël ‘fikjesh zjarresh’ dhe e paaftë të trajtojë rrënjët e telasheve me të cilat përballemi. Pa një ndryshim të fortë të kursit, mund të jemi duke shkuar drejt edhe më shumë privimi dhe padrejtësie, paralajmëron UNDP-ja.

Raporti i fundit i Zhvillimit Njerëzor, “Kohë të Vështira, Jetë Jo të Qeta: Formësimi i së Ardhmes Sonë në një Botë që Transformohet”, i paraqitur sot nga UNDP-ja jep argumente se shtresat e pasigurisë po shtohen dhe po ndërveprojnë duke shqetësuar jetën në mënyra të papranishme më parë. Të paktën dy vjet patën ndikim shkatërrimtar për miliarda njerëz në botë, ndërsa krizat, si ajo e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, u zhvilluan njëra pas tjetrës dhe ndërvepruan duke sjellë ndryshime rrënjësore shoqërore dhe ekonomike, ndryshime të mëdha planetare, dhe rritje masive të polarizimit.

Për herë të parë në 32 vitet e matjes nga UNDP-ja, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (IZhNj), që është matje e shëndetësisë, arsimit dhe standardit të jetesës së një kombi, ka pësuar rënie në nivel botëror për dy vjet radhazi tashmë. Zhvillimi njerëzor ka rënë në nivelet e vitit 2016, duke kthyer pas shumë përparime të bëra drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ky kthim është thuajse universal, duke qenë se 90% e vendeve kanë shënuar rënie të vlerës së IZhNj-së në vitin 2020 ose në vitin 2021 dhe më shumë se 40 % kanë shënuar rënie në të dy vitet, duke sinjalizuar që për shumë vende kriza është ende në thellim.

Ndërkohë që disa vende po fillojnë të rimëkëmben, kjo rimëkëmbje është e pabarabartë dhe e pjesshme, duke thelluar më tej pabarazitë gjatë zhvillimit njerëzor. Amerika Latine, Karaibet, Afrika Sub-Sahariane dhe Azia e Jugut janë ndikuar veçanërisht rëndë.

“Bota po rreket t’u përgjigjet krizave të njëpasnjëshme. Te krizat e kostos së jetesës dhe të energjisë kemi parë se megjithëse mund të jetë tundues përqendrimi në korrigjime të shpejta si subvencionimi i lëndëve djegëse fosile, taktikat e lehtësimit të shpejtë po vonojnë ndryshimet afatgjata sistemike që duhet të ndërmerren,” u shpreh Achim Steiner, Administrator i UNDP-së.

 

“Jemi të paralizuar kolektivisht në kryerjen e këtyre ndryshimeve. Në një botë të kapluar nga pasiguria, kemi nevojë për një kuptim të rinovuar të solidaritetit botëror për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe të ndërlidhura.”

Raporti shqyrton përse nuk po ndodh ndryshimi i nevojshëm dhe lë të kuptohet se ka shumë arsye për këtë, përfshirë dhe mënyrën se si pasiguria dhe polarizimi ushqejnë njëra-tjetrën për të parandaluar solidaritetin dhe veprimin kolektiv që na nevojitet për të trajtuar krizat në të gjitha nivelet. Për shembull, përllogaritjet e reja tregojnë se ata që ndihen më të pasigurt janë po ata që kanë gjasa të kenë këndvështrime politike ekstreme.

“Edhe përpara shpërthimit të COVID-19-ës, po shihnim paradokse binjake zhvillimi të përbëra nga pasiguria dhe polarizimi. Sot, ndërkohë që vetëm një e treta e njerëzve në të gjithë botën ndihen të stresuar dhe më pak se një e treta e njerëzve në botë u besojnë të tjerëve, përballemi me pengesa të mëdha për zbatimin e politikave që funksionojnë, si për njerëzit, ashtu edhe për planetin,” u shpreh Achim Steiner. “Kjo analizë e re mendimndjellëse synon të na ndihmojë ta thyejmë këtë ngërç dhe të caktojmë një kurs të ri për të lënë pas pasigurinë aktuale botërore. Kemi një mundësi të vogël për të rinisur sistemet tona dhe për të siguruar një të ardhme të ngritur mbi veprime klimatike vendimtare dhe mbi mundësi të reja për të gjithë.”

Për caktimin e një kursi të ri, raporti rekomandon zbatimin e politikave që përqendrohen tek investime (nga energjia e ripërtëritshme deri te përgatitja për pandemitë) dhe sigurime (përfshirë mbrojtjen sociale) me qëllim përgatitjen e shoqërive për uljet dhe ngritjet e një bote të pasigurt. Ndërkohë, novatorizmi me format e veta të shumta, si ajo teknologjike, ekonomike, kulturore etj., mund të krijojë dhe kapacitetet për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që do të hasim në të ardhmen.

“Për tejkalimin e pasigurisë, duhet të mbështetemi edhe më fort te zhvillimi njerëzor dhe të shohim përtej përmirësimit të pasurisë apo shëndetit të njerëzve,” thotë Pedro Conceição nga UNDP-ja dhe autori kryesues i raportit. “Këto janë padyshim të rëndësishme. Por, duhet edhe të mbrojmë planetin dhe t’u sigurojmë njerëzve instrumentet që u nevojiten për t’u ndier më të sigurt, për të rifituar kontrollin e jetës së vet dhe për të pasur shpresë për të ardhmen.”

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …