MIT KS
Fillimi / Opinione / Urim Krasniqi: UÇK-ja, VETERANI, KOMANDANTI DHE POLITIKANI!
Urim Krasniqi

Urim Krasniqi: UÇK-ja, VETERANI, KOMANDANTI DHE POLITIKANI!

Vlerat tona më të çmuara janë kombi, UҪK-ja dhe familja, por pa moral të pastër edhe këto vlera nuk kanë vlerë. Për të shkruar më nxiti një deklaratë e znj.Fitore Pacolli. Me këtë rast nuk kam për qëllim mbrojtjen e saj, as mbrojtjen e atyre që reaguan në favor të z. Ramush Haradinaj.

Unë mendoj, se nga ditët e para të pas luftës është shfrytëzuar dhe keqpërdorur në masë të madhe emri i UÇK-së. Dhe për pasojë kemi reagime të shumë “ushtarëve”, tani “veteranë të luftës” që dalin në mbështetje të komandantëve të luftës!

Këta komandantë pas luftës u kyqën në politikë dhe “armatën e veteranëve” e shfrytëzuan kryesisht në zgjedhje për mbledhje të votave.

Se këta komandantë i kanë shfrytëzuar për të mbledhur vota, dëshmon fakti i ndarjes së Kosovës në rajone!

– Hashim Thaçi, Drenicën,

– Ramush Haradinaj, Dukagjinin,

– Fatmir Limaj, Malishevën,

– Ahmet Isufi, Anamoravën etj…!

Këta komandantë për më keq shfrytëzuan edhe mirënjohjen e qytetarëve për mundin dhe sakrificën që bënë gjatë luftës.

Në këtë kuadër komandantët duke shikuar si primare interesin e tyre personal dhe klientelist, i afruan dhe afirmuan më së shumti ushtarët dezertorë apo edhe ata që e ndihmuan luftën në forma të tjera, por që asnjëherë nuk e kapën armën në dorë. Kjo klientelë për vite me radhë përfitojë shumëçka, madje përfituan edhe statusin e veteranit luftëtar! Në këtë mënyrë komandantët duke i keqpërdorë ndjenjat e luftës i përdhosën ato vlera.

– A gaboj znj.Pacolli?

Unë mendoj se shembulli më i mirë është familja Jashari, e cila edhe pse ka pasur dhe ka mundësi për të përfituar pandershmërisht nuk e bëri asnjëherë një veprim të tillë. Ndërkaq Ramush Haradinaj, (por edhe komandantë të tjerë pa përjashtim), duke gëzuar poste të larta në qeveri dhe në institucione shtetërore i kanë dhën vetes të drejtë ta keqpërdorin buxhetin e shtetit për përfitime personale, familjare apo për grupacione të caktuara! Këto sjellje kanë ndikuar shumë edhe në humbjen e besimit tek qytetarët.

Prandaj faji nuk është jetim, ka adresë!

*

Unë mendoj, se janë të pa pranueshme edhe dallimet që bëhen midis dëshmorëve me vlerat e tyre! Secili dëshmorë është i barabartë me tjetrin. Ne nuk duhet t’i dallojmë dëshmorët, veç pse është vëllau i deputetit, i ministrit, i kryeministrit etj…!

Si dëshmorë gradat i kanë të barabarta dhe nderimet duhet t’i kenë të barabarta, e jo t’i seleksionojmë vetëm se janë vëllezër, baballarë, apo të afërm të këtij apo atij komandanti që mban sot poste politike.

Do të ishte e ndershme që secili komandantë, të përcaktonte të ardhmen e tij, ose të qëndron veteranë i respektuar e me vlera kombëtare, ose të heq dorë nga kjo çështje dhe të merret vetëm me politikë të mirëfilltë. Kjo do t’i jepte vlera atyre, por edhe veteranëve të luftës, sepse nuk do të thirreshin më në emër të luftës, ndërkohë që luftës së UÇK-së do t’i rritej vlera dhe nderi nga të gjithë shtresat e shoqërisë.

*

Me këtë rast, edhe shoqatat e luftës nuk do t’i përjashtoja nga hargatllëku, nga të metat apo keqpërdorimet që i bëjnë bashkë me politikën! Politizimi i shoqatave të dalura nga lufta ka rritur përqarjen mes veteranëve të vërtetë. Shoqatat në vend se të merren me mandatin e tyre që përfaqësojnë, ato merren me qëndrimet dhe interesat e politikanëve të preferuar!

Grupacionet dhe interesat e tyre kanë bërë që vlerat e një dëshmori, invalidi e veterani të zbehen në shoqërinë tonë.

Prandaj është momenti i fundit që të ndalet ky maskarallëk, në mënyrë që të mbrohen vlerat e luftës së UҪK-së.

Roftë Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës!

Lavdi dëshmorëve, nderë e respekt për invalidët, respekt e përulje për veteranët e vërtetë!

Kontrolloni gjithashtu

Bardhyl Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Serbia jo vetëm që nuk e ka ndalur fushatën agresive kundër Kosovës, por e ka ngritur intensitetin

Përpara se të emërohej ambasadori Richard Grenell si i dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë ...