Vangjel Sako

Vangjel Sako: Burrat kapen nga fjalët, demat kapen prej brirësh

Pa përjashtim, të majtë, të mesit dhe të djathtë, politikanë dhe njerëz pa profesion, por oratorë të mbaruar madje edhe njerëzit më të thjesht bien dakord se këta 30 vjet të të ashtuquajturës demokraci në Shqipëri nuk kanë qenë gjë tjetër veçse dështim i qeverisë. Ky vlerësim është tërësor sepse kur vjen puna për vlerësim më individual dhe me emra të përveçëm të kësaj klase qeverisëse askush nuk pranon të futet në “listën e zezë”. Madje bëhet e kundërta. Ndonëse me “biografi” të shtjerrë,  në aq kohë sa kanë drejtuar dhe pa asnjë hap të dukshëm pozitiv, ata duan të hiqen sikur epoka e tyre, po të mos ndërpritej do të ishte më e ndritura në historinë shqiptare.

Ju kujtohet besoj “mjekroshi” Fatos Nano, një ekonomist që e mbante veten si kokë botërore në këtë drejtim e që meqë e pëlqente vetë bixhozin e ktheu gjithë Shqipërinë në një kazino të stërmadhe. Ushqyer me këtë ndjenjë edhe si partiak edhe si shtetar nuk i kurseu asnjëherë ironitë për miqtë e shokët dhe më shumë mendonte për këto se sa për punët e drejtimit qeverisës, duke harruar se po e hodhe pështymën lart ajo të bie në surrat. Hodhi poshtë shokët e idealit dhe ju ul në prehër atij që e kishte çuar me pranga në duar në Bënçë dhe rikthimi tek “thonjtë e pistë të Parisit” nuk i ka dhënë asnjë shkëlqim. Edhe nëse do të mundin t’ia japin kolltukun e presidentit siç ia kanë premtuar ka për të qënë më pa rezultat se këta që kanë qenë para tij. Vera, thotë populli bëhet uthull, uthulla nuk bëhet dot verë. Edhe Tosi i Maries nuk mund të bëhet dot më politikan i besueshëm. Por edhe pse i bixhozit dhe uiskit, Tosi është më i pastër në biografi se pasuesi i tij, Sali Berisha. Ndonëse nuk është mirë të merremi me të në këtë kohë kur mbi të bien vetëtimat dhe bubullimat amerikane, nuk mund ta shmangim në analizën tonë sepse duam s’duam ai është pjesë e historisë në këtë 30-vjeçar. Iu kacavor asaj në lindje dhe i mbeti si rrodhe edhe deri tani që i ka ardhur fundi politik, ndonëse ai akoma nuk e pranon dhe si ai ujku që mbetet vetëm më një dhëmb dhe bën të kafshojë, kërkon të na mbushë mendjen se një gjykatë në Francë do ta shpëtojë reputacionin e tij. Në këtë ndërkohë nuk u mjaftua me drejtim anakronik të shtetit, por i ndyu duart edhe me gjak. Aq akte korruptive dhe vrasje rëndojnë në kurriz të tij sa një njeri normal do të merrte malet dhe s’do bëhej i gjallë. Por siç thotë populli “Salës i ka plasur cipa” dhe nuk i bën asgjë përshtypje. Ai kujton se është siç ka qenë “mbret” i politikës shqiptare dhe se me një urdhër të tij, gjykatat japin vendime antilogjike dhe antinjerëzore. Ai harron se nuk të fut njeri lehtë në “çikrikun” amerikan ama po hyre aty, nuk ka bir nëne që të shpëton dhe hyn gurë i fortë e del miell i imtë. Po tipari i përbashkët i këtyre dy “udhëheqësve legjendarë” dhe këtyre të treve që ende i kemi nëpër këmbë ka qenë të luajturit me fjalën e dhënë dhe mos mbajtja asnjëherë e saj.

Ju është dhënë mundësia e të ngriturit në lartësinë e një burri shteti, por ata punët e tij i kanë parë me dylbi se nuk i kanë lënë manjakëritë e vogla për të vënë pak pasuri. Pasurinë mund ta vinin edhe duke drejtuar me autoritet shtetin, siç bëjnë edhe udhëheqësit e tjerë të botës moderne, por nuk i ka lënë grykësia për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejt për shtëpinë e vogël të tyre dhe jo për “shtëpinë e madhe”, Shqipërinë. Kjo e shkreta paska qenë burim i pashtershëm. Vidh e vidh e s’paska të sosur. Si s’doli një burrë i vërtetë në drejtim të mbajë fjalën se “kam ardhur në këtë post për Shqipërinë”. Se fjalë thonë shumë e stërbetime bëjnë sa herë ka zgjedhje, por ata s’janë burra dhe nuk e mbajnë fjalën. Harrojnë se burrat nga fjalët kapen, nga brirët kapen demat. Po këta fjalët i kanë bërë top pingpongu, hidh e prit.

Vetë presidenti në ikje Ilir Meta sa herë ka nxjerrë flakë nga goja si kuçedra ndaj kundërshtarëve politikë dhe më pas është ulur e ka pirë raki me ta. Pas rakisë ka bërë edhe kompromise vdekjeprurëse për vendin, por fitimprurëse për veten dhe familjen. Kishte harruar se rruga e ngushtë shkon nga shkon dhe në rrugën e madhe del. Tash ka hyrë edhe ai në darën amerikane dhe me sa duket nuk do të dalë dot prej saj. Tjetër dy liderët kryesorë që zaptojnë prej vitesh politikën shqiptare. Më serioz në të parë, i ranë këmbët në gjithë vendin kryeministrit shqiptar Edi Rama, por në sofrën e familjeve shqiptare ende ka vetëm bukë e djathë e domate. Në të shumtët, sepse ata që rrinë rreth tij e kanë mish e pilaf. Ëndërron të ishte rilindas, por kur e pa se s’ia doli dot u kthye përsëri në socialist. Ishalla bën hajër këtu dhe mban fjalët që ka thënë dhe në fund të mandatit të tretë të shikojmë një ditë të bardhë e të mos e kemi mendjen për t’ia mbathur nga vendi. Tjetër Lulzim Basha. Se kush i ka mbushur mendjen se të jesh udhëheqës i shquar mjafton të falësh pa kursim buzëqeshje dhe gënjeshtra dhe ai këtë po bën.

Si “babai i tij politik” Sali Berisha i është kacavjerrë pushtetit politik dhe nuk e lë me asnjë kosto. Harron në mëngjes se çka deklaruar mbrëmjen e kaluar. Shkon nga disfata në disfatë në luftën politike kombëtare, por i gëzohet fitores madhështore në subjektin politik që ia falën, por ai e mban me çdo çmim. Në paralelen midis suksesit vetjak dhe atij të subjektit që drejton për të ka rëndësi i pari. As që e vret ndërgjegjja se mijëra demokratë kërkojnë rikthimin në pushtet dhe kanë sakrifikuar kaq shumë për këtë parti dhe kanë vite pa parë një ditë të bardhë. Edhe për të nuk ka rëndësi se ç’ka deklaruar, fjalët i merr era, rëndësi ka që të rrijë në pushtetin partiak për të pritur radhën derisa të ngrihet edhe në pushtetin shtetëror. Si homologu socialist harron se burrat nga fjalët kapen se meshkuj ka shumë.

Me këtë rast dua t’ju tregoj një ngjarje që ma tregonte shpesh gjyshi kur isha i vogël dhe ka të bëjë me burrërinë. U përhap fjala në fshat se do të vinin të paudhët dhe do bënin reprezalje që e kishin bërë dhe herë tjetër dhe ata që rrezikoheshin, rrëmbyen ç’ mundën dhe ikën malit. Erdhën ata të paralajmëruarit dhe mblodhën fshatin. Asnjë burrë. Pyetën më të zonjën e fshatit. Ajo ua bëri të qartë me pak fjalë se burrat kishin ikur me punë malit. “Të gjithë” e pyetën ata dhe “të gjithë” u përgjigj ajo. Në atë kohë, nja dy tradhtarë se nga dolën dhe po vinin me duart lart drejt grumbullimit. Iu hakërruan plakës që foli se pse kishte gënjyer. Qetë-qetë ajo u shpjegoi se nuk kishte gënjyer. Ju më pyetët për burrat dhe unë ju thashë se kanë ikur malit. Këta nuk janë burra, u tha ajo, këta janë meshkuj.

Edhe në këtë Shqipërinë e sotme tonën mos vallë kanë ikur të gjithë burrat dhe kanë ngelur vetëm meshkujt? Jo për gjë, por ne i thurim vetes lavde pambarim si popull trim. Por siç po tregojnë edhe ditët e fundit ne trimërinë e kemi për të vrarë njëri-tjetrin edhe për pesë shezlongë dhe nuk e kemi për të drejtuar këtë të uruar Shqipëri që në letra është Zvicër e kaluar Zvicrës, por në realitet është kthyer në një vend kakofoni. Nuk e di se çfarë droge na japin që jashtë vendit jemi nga më të rregulltit në zbatimin e rregullave dhe sapo vëmë këmbën në tokën amë nuk njohim rregulla e ligje. Le të presim derisa të na qeverisë një “xhaje që ka biçak”. (Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: 1 Maji nuk duhet të jetë festë, por Protestë!

– Në Shqipëri thuajse nuk egzistojnë sindikatat që të organizohen punëtorët për të drejtat e tyre. …