leoni

Vazhdon zija politike në Kosovë

 


15 ditët e zisë politike në Kosovë po nxjerrin në sipërfaqe mbetjet e mentalitetit profan, me pretendime që nga praktika si i tillë të përfitohen sa më shumë favore politike, kësaj radhe në emër të kryetarit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Rugova për të gjallë të vet kishte treguar një kujdes të veçantë ndaj shpalljes së zisë, mirëpo asnjëherë nuk e kishte kaluar kufirin e arsyeshëm të kohëzgjatjes së zisë, edhe pse zija e shpallur prej tij, në të shumtën e rasteve, qe shpallur për personalitete të LDK-së, që u vranë në rrethana gjithnjë enigmatike dhe gjithnjë të pasqaruara.
Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë respekt për të vdekurit, madje edhe kur këta janë kundërshtarë, sepse ky është një kodeks i vjetër njerëzor i mirësjelljes, që kalon mbi kanunet dhe traditat fetare. Mirëpo shpallja 15 ditë zi, tejkalon të gjitha përmasat e arsyes dhe na përkujton zinë që kanë mbajtur për më të dashurin e tyre, Josip Broz Tito: haxhibabët e sotëm shqiptarë, dikur anëtarë të devotshëm, deri në neveritje, të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë, të Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë, veteranët dhe invalidët e LANÇ-it, qindra hoxhallarë e qytetarë projugosllavë.
25 vjet kanë kaluar nga ajo kohë kur autoritetet komuniste jugosllave kishin shpallur zinë dyjavëshe dhe kishin ndërtuar memorialin e Titos në Dedinje, ku i detyruan ose shkuan vullnetarisht miliona qytetarë, të cilët iu gjunjëzohen për së vdekuri prijësit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Duke parë atë non sens të masave të manipuluara, sidomos të masave të manipuluara shqiptare nga më besnikët e Titos, si: Azem Vllasi, Ali Shukriu, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina e satrapë të tjerë, veprimtari politik në mërgim, Jusuf Gërvalla në “Lajmëtarin e lirisë” këtë kategori njerëzish i përkufizonte si “viktima që glorifikonin xhelatin e tyre”.
Mirëpo në rastin konkret nuk kemi të bëjmë as me një xhelat as me viktima, por me një zi politike të shpallur nga krerët e partisë më të madhe në Kosovë, të shpallur me qëllim, që gjatë këtyre 15 ditëve të zisë të konsolidohen radhët, ose të ndodh shkizma, sikur kishte ndodhur pas vdekjes së Titos, ashtu edhe pas vdekjes së prijësit komunist shqiptar, Enver Hoxha.
Nuk e ka merituar Rugova si njeri që të ngrihet të kult të rrejshëm, në idhull pa kokë, sepse mitet e tilla, që i krijon politika e ditës, kanë një fund tragjik dhe të tmerrshëm. Të paktën kështu ka ndodhur me të gjitha rastet e derisotme. Rugova, ashtu sikurse e njohim ne, nuk ka qenë njeri i kultit, aq më pak i nivelit të diktatorit dhe aspak i nivelit të autokratit, Josip Broz Titos. Mirëpo tash askush nuk e pyet Rugovën. Tash është koha kur pjesa e autoritetit të Rugovës do të përvetësohet nga klanet e rrezikshme, të cilat nuk kishin ngritur krye kundër Rugovës për së gjalli, por tash secili sikur kërkon pjesën e vet të simites. Në anën tjetër të medaljes, fenomeni i zisë nuk është kategori e moralit fetar islam, edhe pse anëtarët e LDK-së dhe përkrahësit e verbër të Rugovës tërësisht janë myslimanë, të paktën me emra, me ndonjë “shehadet” apo “kulhuvallah”, të cilin mund ta kenë mësuar “ezber”.
Zija nuk pranohet në islam dhe nuk i përket fesë islame, edhe pse disa shtete arabe vasale, e kanë praktikuar dhe e praktikojnë për qëllime politike.Për më tepër islami ndalon rreptësisht përkuljen e njeriut para të vdekurit dhe kjo është një blasfemi e pafalshme për çdo mysliman, i cili i di, iu përmbahet dhe i respekton shartet e Imanit dhe të Islamit. Mirëpo ja që të këtillë janë myslimanët e tipit “haxhibabë” sikur i kishte përkufizuar Ukshin Hoti. Të tillët, islamin e kanë një maskë për të përfituar, për t’ u treguar namusqarë edhe kur janë të pamoralshëm, për t’ u treguar besimtarë edhe pse përkulen para idhujve, për t’u paraqitur të devotshëm në aspektin fetar edhe pse përkulen të “ruqu” dhe në “sexhde” duke mos ditur se a po i falen Allahut, apo Krishtit, apo një njeriu të vdekshëm.
Në rastin konkret, parakalimi para arkivolit me trupin e Ibrahim Rugovës, kryetar i 50 përqindëshit të shqiptarëve, që e kanë zgjedhur president të një entiteti vasal sikur është Kosova, (që nuk ka as status autonomie, as është e pavarur, por është një koloni e OKB-së), parakalimi si i tillë nuk tregon ndonjë nostalgji, apo respekt të veçantë, parakalimi i tillë ishte thjesht parakalim politik i përmasave të një populizmi naiv, apo i yshtjes dhe nxitjes për diçka të tillë nga klanet e caktuara politike.
Zija 15-ditë është shpallur me qëllim të krijimit të një kulti, për përdorim politik, të paktën tash kur LDK-ja dhe elektorati ndodhen para sfidave, jo pak të rrezikshme, sepse të gjithë duan të zhvatin nga Rugova i vdekur, atë nuk arritën ta zhvatin nga Rugova i gjallë. Ata, duke e ngritur kultin për Rugovën si burrë shteti, si luftëtar të lirisë dhe pavarësisë, si një personalitet në të gjitha shkallët krahasuese sipërore, me apo pa qëllim do ta komprometojnë edhe atë Ibrahim Rugovë, të cilin e kemi njohur të gjithë, kush më shumë e kush më pak, me të mirat dhe të metat e tij.
Zija në media Për raste të zisë, edhe pse nuk ekziston ndonjë rregullore e veçantë për media, ish drejtuesit titistë-rankoviqistë të mediave, kanë trashëguar rregulloret e kohës së komunizmit jugosllav. Ata zinë e kuptojnë si fenomen, kur në gazeta duhet të afishohet shiriti i zi, ndërsa në media duhet të emetohet vetëm muzika klasike, edhe pse janë të shumta veprat muzikore klasike, të cilat nuk kanë fare përmbajtje, që i akordon zisë. Në praktikë anashkalohen emisionet argëtuese e sportive, anashkalohet deri diku edhe pornografia në ekrane dhe perversitetet nëpër radiostacione.br> Edhe pse zija është përkufizuar vetëm me ndalimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive, shumica e mediave në Kosovë vazhdojnë të bëjnë gara se kush do ta mbajë në mënyrë më “dinjitoze” zinë për më të dashurin, duke treguar jo njerëzi dhe ndjenja fisnike njerëzore për njeriun e vdekur, por duke nxjerrë në sipërfaqe përkushtimin skllav, të tillë sikur e kishin shprehur 25 vjet më parë për Josip Broz Titon. Madje RTP-ja e asaj kohe, për disa vjet të transmetimit të programit pas vdekjes së Titos e deri te koha e regjimit të Milosheviqi, kishte hapur programin me moton:
“Druzhe Tito mi ti se kunemo,
da sa tvoga puna ne krenemo”
Shoku Tito ne të betohemi,
se nga rruga jote nuk do të largohemi!
Këtë përzgjedhje të neveritshme ideopolitike, me qëllim për ta përjetësuar komunizmin e tipit titist jugosllav, e kishin ndërmarrë me preferencë të Azem Vllasit dy nga drejtuesit e tri TV-ve aktuale që emetojnë program në Kosovë. Natyrisht se mendësia e tillë skllavëruese politike vetëudhëhiqet, jo aq shumë nga nostalgjia, por nga mendja dhe zanati i robit, që vështirë harrohet. Në rastin konkret kemi edhe një paradoks tjetër, po ashtu të neveritshëm. Për Rugovën mbajnë zi edhe disa drejtues mediash që nuk kanë lënë fjalë të zezë pa folur, apo pa shkruar për të. Të tillët, do të duhej të skuqeshin nëse vërtet kanë fytyrë. Sepse të mbash zi 15 ditë, ta përfillësh zinë pasi ke sharë 7 apo 15 vjet, kjo punë nuk është e moralshme, por është një hipokrizi e neveritshme. Të tillët, manipulonin edhe me pamjen fizike të Rugovës, duke ia nxjerrë në shesh dhëmballën në formë groteske. Të tillët tash rrinë “sus” para varrit të tij. A thua këtë e bëjnë sinqerisht për Rugovën, apo për diçka tjetër.
Kush nuk mbajti zi për Rugovën Zija nuk mund t’ i imponohet asnjë njeriu. Njeriu mban zi për të afërmit e vetë dhe për atë që e respekton. Megjithatë për përfaqësuesin e institucionit të presidentit t Kosovës, Ibrahim Rugova, disa njerëz kanë mbajtur dhe po mbajnë zi sa për sy e faqe. Mirëpo, nuk pati gatishmëri të të gjithë komandantëve të TMK-së për të marrë pjesë në zi, apo për ta ulur flamurin në gjysmë shtizë. Nuk kanë mbajtur zi: Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së. Nuk ka mbajtur zi Garda Kombëtare e Kosovës, as kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nuk ka mbajtur zi Radio-“Kosova e lirë”, Radio “Drenica”, Radio :Drenasi” e ndonjë tjetër. Me sa dimë ne nuk ka mbajtur zi as Bashkësia Islame e Kosovës dhe asnjë nga xhamitë e Kosovës, sepse sikur dihet botërisht, feja islame përjashton në vetë fundamentin fetar çdo formë të zisë. Kjo tregon se zija ka qenë e imponuar, e manipuluar djallëzisht dhe ishte një shpallje zie e stërzgjatur, në radhë të parë për përfitime politike, për qëllime politike dhe krejt pak për qëllime humane, dhembjeje apo përkushtimi për të ndjerin Rugova e familjen e tij.A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …