Veli Veliu

Veli Veliu: Erina Rrahmani, një botë e veçantë në lirikën shqipe

Nga brezi më i ri krijues Erina Rrahmani pa dyshim është njëra ndër poeteshat më të talentuara në letërsinë shqipe për fëmijë! Ajo rrjedh nga një familje e shquar shkrimtarësh që erdhën herët nga krahina e Llapit në Prishtinë! Qëllimisht po them nga hapësira e Llapit, sepse nga ky vend kemi shumë shkrimtarë të talentuar që letërsisë sonë i dhanë vepra me vlera të larta letrare e estetike në gjini të ndryshme! Gjatë leximit të poezive të saj kam vërejtur menjëherë se magjia e së bukures në art e ka rrëmbyer në moshë të hershme! Ajo misionit të shkrimtares i ka hyrë me përkushtim të madh, si asnjë krijuese e re deri më sot! Erina Rrahmani me botimin e përmbledhjeve me poezi lirike për fëmijë ka zënë vend në mesin e poetëve më të mirë të letërsisë sonë! Mënyra si i percepton dukuritë dhe fenomenet shoqërore dhe të natyrës është një qasje e veçantë që i karakterizon vetëm shkrimtarët e talentuar në letërsinë shqipe! Poetesha përmes fjalës artistike e koncepton në mënyrë origjinale dhe transponon mjeshtërisht temën që e trajton në poezinë e saj!

SI TA BËSH NJË POEZI

Gjithçka në këtë botë,

Të dashur fëmijë,

Kur e prek shpirtin

Bëhet poezi!

Poezia e saj, analizuar nga rrafshi artistik, për nga forma është tradicionale, por e re në përmbajtje dhe shumë tërheqëse për lexuesit e vegjël. Ajo lehtësisht depërton në thelbin e gjerave, i shpalos me fjalë të figurshme dhe mesazhi që nxirret prej saj është i qartë për lexuesit e moshës që i dedikohet!

Erina frymëzimet e veta i gjen në mjedisin e vet jetësor, ndjenjën e hollë e ka për të qenë zhbiruese në hulumtimin e temave dhe ideve në botën e fëmijëve! Për ta parë me sytë e vet të padukshmen në realitetin e sotëm. Shqetësimin shpirtëror e hasim në mënyrën e qasjes në jetën e fëmijëve! Nuk i mungon vendosmëria për ta parë lëvizjen e fëmijës në çdo vend, brenda dhe jashtë ambientit të lojës! Ajo është aktive në jetë dhe hulumton nën shtresat e heshtjes, kur pushon fëmija dhe kur e ngrit zërin me kërkesat e shumta për ta njohur më mirë botën përreth! Jeta pulson aty ku ka gjallëri dhe frymëmarrje të gjerë, me shpresë për një të ardhme më të mirë!

Jeta dinamike e pasluftës jashtë rrjedhës së kohës i ka lënë emra të shquar të letërsisë sonë! Shpesh herë bëhet zhurmë me krijues jo aq të talentuar dhe të imponuar dhe mbesin në harresë ata që kanë kapacitet më të madh krijues! Erina Rrahmani me vlerat e saj poetike që të rrëmbejnë e joshin shpirtin duhet të ketë një trajtim më të mirë nga  gjenerata e shkrimtarëve të afirmuar dhe nga institucionet e  kulturës në nivel lokal dhe atë qendror në Prishtinë!

Ajo si krijuese që ka bërë emër në letërsinë tonë, jo vetëm që ka nevojë për një hapësirë më të gjerë afirmimi në mjetet e informimit dhe në kanalet televizive, por edhe e meriton me vlerat letrare që i ka afruar në veprat poetike! Është për keqardhje që sot kemi më pak studiues e kritik të letërsisë se sa kishim para disa dhjetëra  vitesh në Prishtinë e në Tiranë, e kështu ndoshta mund të thuhet edhe në Shkup! Specialistët e letërsisë secilit krijues do t’ ia tregonin vendin, ndërsa sa i përket Erinës gjithsesi do t’ ia jepnin një përkrahje më të madhe! Letërsia jonë, edhe sa i përket gjinisë femërorë duhet të japë një emër të shquar, siç e kanë letërsitë e vendeve fqinje! Erina, poete me plot kuptimin e fjalës në Prishtinë, ma kujton krijuesen e shquar Adelina Mamaqin në Tiranë, e cila në letërsinë shqipe për fëmijë është emër i veçantë! Ajo, tani në moshë të shtyrë na bën të krenohemi për kontributin që ka dhënë deri në këtë kohë në letërsinë shqipe!

Një poete e talentuar Erina Rrahmani e ushqyer me qumështin e nënës duke i treguar përralla fëmijërie,  e rritur dhe e formuar në shtëpinë e librit me gjyshin e saj shkrimtar i njohur, Nazmi Rrahmani e axhën Zejnullah Rrahmanin, dua që këto fjalë të mia me zërin e sinqertë të tingëllojnë sa më larg hapësirës që na rrethon në jetë, për ta tërhequr sa më shumë vëmendjen e lexuesve, por edhe të qarqeve të kulturës te ne!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …