Veton Surroi

Veton Surroi: Kosova Republikë është kërkesë armiqësore për krijimin e Shqipërisë e Madhe (Rilindja 4. 3. 1989)

Janë të shumta shkrimet dhe qëndrimet antikombëtare të Veton Surroit, birit të ambasadorit të Titos, i cili ishte betuar në ideologjinë jugosllave, me moton, “Shoku Tito ne të betoheni se nga rruga jote ( as pas vdekjes) nuk do të largohemi” .  Mbase për hir të shumë jugo-nostalgjikëve që kanë uzurpuar shtetin e Kosovës ia vlen që këtë moto t’ia përkujtojmë edhe në serbisht, sepse tingëllon në mënyrë më autentike: (Druze Tito mi ti se kunemo, da sa toga puta ne skrenemo). Jo rastësisht, Veton Surroi edhe veprat e veta i përkthen në gjuhën serbe dhe i përuron, në Beograd.   Tani ka arritur një marrëveshje me Aeroportin e Prishtinës, që veprat  e tij dhe botimet “Koha”, të jenë të pranishme për të gjithë pasagjerët, në ambientet e Aeroportit, për lexim dhe shitje, duke përjashtuar të gjitha botimet e botuesve të tjerë të Kosovës apo të Shqipërisë. E dinë, apo nuk e dinë këtë drejtuesit e Aeroportit dhe sa ka qenë i drejtë një veprim i tillë, mbetet për t u parë.

Surroi, asnjëherë, me asnjë veprim apo qëndrim nuk anashkaloi rrugën e Jugosllavizmit, rrugën e babait ambasador, xhaxhait komunist shqiptar-vrasës dhe klasës kosovare titiste, e cila po përpiqet me mish e shpirt të mos ndahet nga Serbia. Në shkrimin që do ta sjellim më poshtë shihet qartë  qëndrimit politik dhe qëndrimi   patriotik jugosllav i Veton Surroit pikërisht në kohën kur Serbia kishte marrë masat e fundit për pezullimin edhe të asaj autonomie që kishte Kosova.

Në një koment,  botuar në Gazetën “Rilindja” të 4 marsit të vitit 1989, Veton Surroi bënte përpjekje t’i qartësonte opinionit se kërkesa për “Kosovën Republikë” ishte kërkesë nacionaliste, shoviniste dhe prekte themelet e Jugosllavisë. Krijimi i një Republike të tillë, sipas Surroit ishte një veprim krejtësisht i papranueshëm, që nuk do të duhej të lejohej, në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim. Ai mohonte kategorikisht përkatësinë shqiptare të Kosovës dhe kërkesën gjithë popullore për Kosovën Republikë e trajtonte si kërkesë për Shqipërinë e Madhe.

Nacionalistët e irredentistët shqiptarë, së pari, duke u shërbyer në radhë të parë me praninë numerike të nacionalitetit shqiptar, vendin  ku ata jetojnë e punojnë e shpallin si „truall shqiptar“, duke vënë në rangë të „mysafirëve“ të gjitha nacionalitetet e tjera, gjë që është padrejtësi e madhe ndaj tyre, pra edhe ndaj shqiptarëve,  që ndajnë të mirën dhe të keqen së bashku me to. E sa larg mund të shkojë kjo tezë mbi truallin e gjakun nuk shihet vetëm në histori, sepse ç`do të ndodhte në këtë Jugosllavi  po të cilësohej „territor kombëtar“ hapësira ku jetojnë një shumicë e theksuar numerike kombëtare. Ç`do të ishte Kroacia pos „territorit kroat“ ç`do të ishte Maqedonia pos „territorit maqedonas“ e fundja, ç`do të ishte Jugosllavia pos „territorit serb“, sepse në RSFJ popullata më e madhe numerike është e nacionalitetit serb. Por sipas të gjitha gjasave, as që mendohet për Jugosllavinë kur flitet për „territoret shqiptare“, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së madhe, edhe ky, sikundër çdo nacionalizëm shtetmadh, nuk mund të durojë kufi tjerë pos atij etnik, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet „lufta përfundimtare“ për shkëputje nga Jugosllavia. (Surroi)

( Veton Surroi:  Rojat e Kushtetutës… „Rilindja“  4 mars 1989)

Shkrimi i plotë:

Protestat e fundit dhe greva politike e shkurtit në Kosovë, tashmë hasen në reagime të ndryshme si në vend, ashtu edhe në botë. Imazhet e klasës punëtore në protestë tejkaluan kufirin Jugosllav e evropian dhe tërhoqën vëmendjen, e në këtë mënyrë shtruan edhe pyetje të opinionit botëror, që manifestoi shqetësim për ngjarjet e fundit në Jugosllavi. Mu në çastin kur pasojat e intensitetit të një protestë  ë tillë ende nuk janë eliminuar, në skenën politike të rrugëve të Evropës Perëndimore u lajmëruan grupet emigrante, me dëshirë që të japin përgjigje, e që janë paraqitur dhe paraqiten nga pozitat e nacionalizmit shqiptar. Për këtë dëshmojnë edhe dy sosh nga vargu i demonstratave që janë organizuar kohëve të fundit. Edhe në këto, siç shihet në mënyrë evidente, nëpërmjet  të gjoja përkrahjes së klasës punëtore zhvillohet  një proces  i agjitimit të një programi politik që në thelb s`ka të bëjë me klasën punëtore kosovare.

Kështu, në demonstratën e Gjenevës, në të cilat brohoritet lart se organizohen për hir të përkrahjes së punëtorëve kosovar, harrohet e dhëna se në të njëjta valë të protestës nuk morën pjesë punëtorët e nacionalitetit serb e malazias. Çfarëdo shpjegimi që të jepet, e është evident se duhet shpjeguar se përse arrihet gjer te ndasia e plotë e klasës punëtore  në një moment kur artikulohen kërkesat politike, megjithatë nuk mund të eliminohet fakti se protestat e fundit, sado që përfshinin shumicën  dërmuese të klasës punëtore kosovare , megjithatë lanë pa përfshirë pakicën e manifestuar ekskluzivisht nga përkatësia nacionale.

Metodologjikisht ky nuk është gabimi i parë, por me të vijnë edhe të tjerët. E ashtuquajtura „përkrahje punëtorëve“ në Gjenevë u përcoll me brohoritjen e parullës nacionaliste „Kosova Republikë“, e kjo gjë është për t`u habitur, kur dihet se pos në disa raste të rralla të brohoritjes  gjatë protestave të nëntorit, klasa punëtore shqiptare, turke e myslimane nuk u paraqit me këso parulla e as që e përkrahu. Sikundër që nuk u paraqit as gjatë protestave të fundit dhe grevës politike.
Por rasti i Gjenevës nuk qe i izoluar dhe faktikisht tregoi  më përafërsisht se për çka është fjala. Në Bruksel po ashtu në emër të përkrahjes së klasës punëtore, demonstrantët nga pozitat e nacionalizmit shqiptar arritën të bëjnë një kësi  konstrukti të palogjikshëm  politik. Nga njëra anë, siç thanë ata, u angazhuan që të mos ndërrohet Kushtetuta e vitit 1974, e nga ana tjetër u angazhuan për „Kosovën Republikë“. Nuk ka nevojë të madhe për elaborim e për të shpjeguar se janë në kundërshtim të plotë ruajtja e Kushtetutës së vitit 1974, ku saktësisht definohet pozita e Kosovës si KSA, me parullën „Kosova-republikë“, e cila angazhohet mu për ndryshimin  e bazave themelore kushtetuese. E nëse nevojitet edhe ndonjë ilustrim pse të mos përmendet fakti se nacionalistëve  shqiptarë mu Kushtetuta e vitit 1974 u pengonte dhe tentuan që me metoda të ndryshme jo institucionale e të dhunshme ta ndërrojnë.

Dashuria e re ndaj Kushtetutës së vitit 1974, pra ndaj Kushtetutës së sotme, kundër së cilës qysh dje u sulën grupe nga këto pozita sipas elaborimit të mëtejmë të strategjisë së tyre politike, është çdo gjë tjetër pos dashurisë. Bashkangjitur me programin politik, në kreun e të cilit është parulla „Kosova –republikë“, nacionalistët shqiptar u shpërndan gazetarëve të huaj edhe një hartë , siç thanë ata të territoreve shqiptare në Jugosllavi. Plotësisht në përputhje me ideologjinë nacionaliste të „truallit dhe gjakut“  këto grupe manifestuan  jo vetëm se si e shohin gjeografikisht Jugosllavinë, por si e shohin edhe fatin e nacionalitetit shqiptar.

Së pari, duke u shërbyer në radhë të parë me praninë numerike të nacionalitetit shqiptar, vendin  ku ata jetojnë e punojnë e shpallin si „truall shqiptar“, duke vënë në rangë të „mysafirve“ të gjitha nacionalitetet e tjera, gjë që është padrejtësi e madhe ndaj tyre, pra edhe ndaj shqiptarëve që ndajnë të mirën dhe të keqen së bashku me to. E sa larg mund të shkoj kjo tezë mbi truallin e gjakun nuk shihet vetëm në histori, sepse ç`do të ndodhte në këtë Jugosllavi  po të cilësohej „territor kombëtar“ hapësira ku jetojnë një shumicë e theksuar numerike kombëtare. Ç`do të ishte Kroacia pos „territorit kroat“ ç`do të ishte Maqedonia pos „territorit maqedonas“ e fundja, ç`do të ishte Jugosllavia pos „territorit serb“, sepse në RSFJ popullata më e madhe numerike është e nacionalitetit serb. Por sipas të gjitha gjasave, as që mendohet për Jugosllavinë kur flitet për „territoret shqiptare“, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së madhe, edhe ky, sikundër çdo nacionalizëm shtetomadh, nuk mund të duroj kufi tjerë pos atij etnik, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet „lufta përfundimtare“ për shkëputje nga Jugosllavia.

Sa janë konsekuent „rojet e Kushtetutës „, shihet nga kjo që u tha. Megjithatë, ata në demonstratat e fundit shtrojnë sërish një habi të re : „Nëse ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, do të ketë luftë qytetare“. Dihet se cilit rang i përkasin ideologjitë që kërcënohen me luftë, rangut totalitar, e kështu mund të kuptohen edhe kërcënimet e këtyre grupeve nacionaliste.


Animoziteti i tyre militant, megjithatë, u ka bërë që të harrojnë disa gjëra:

Së pari, se nuk kanë kurrfarë autorizimesh nga populli për ruajtjen e rendit kushtetues, aq më pak të drejtë morale, kur qenë dhe janë kundër këtij rendi.

Së dyti, se për ruajtjen e themeleve të Kushtetutës së vitit 1974 janë deklaruar shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës dhe këtë kërkesë, në kushte elementare demokratike që do pasur, e në saje të konsultimit të plotë të bazës, duhet ta artikulojnë edhe delegatët e Kuvendit të KSA të Kosovës. Sado që atmosfera e krizës, si dhe ajo e porsakrijuar me ngjarjet e fundit lë pasoja objektive presioni, përgjegjësinë për ndryshimet kushtetuese e marrin delegatët në procedurë institucionale, e jo grupe demonstrantësh të cilët, siç pamë, as që e kanë afër mendsh këtë Kushtetutë, as shqiptarët e as Jugosllavinë.

Ky ishte Veton Surroi në vitet e para luftës, por edhe më  pr0jugosllav  u tregua përnjëherë pas luftës, në verë të vitit 1999, kur luftën e UÇK-së e etiketoi si luftë fashiste e revanshiste kundër serbëve. Vetoni vajtonte fatin e 14 serbëve të vrarë në Grackë të Lypjanit, në gusht të vitit 1999, tetë prej tyre pjesëtarë të MUPI-it të Serbisë, të cilët  kishin masakruar shqiptarët në fshatrat: Sllovi, Reçak, Hallaq dhe kudo në Kosovë. Marrja në mbrojtje e kriminelëve serbë, pa ditur kush ishin vrarësist, por duke paragjykuar UÇK-së, tregonte faqe botës, se, cili ishte Veton Surroi me të cilin, për mjerimin më të madh koketuan dhe koketojnë   jo vetëm politikanët shqiptarë me origjinë dhe ADN politike jugosllave, por edhe të tillë me prejardhje nga lufta jonë çlirimtare, anit serbe dhe anti jugosllave.

( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …