Wesley Clark pas vendimit në Hagë: Jam i shokuar, nuk pashë prova që e justifikojnë

Gjenerali amerikan dhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke thënë se është i shokuar nga vendimi. Clark, i cili ishte dëshmitar i mbrojtjes në këtë proces, ka deklaruar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN se gjatë dëshmisë dhe shqyrtimit të rastit nuk kishte parë prova që, sipas tij, do ta justifikonin një vendim të tillë. “Jam i shokuar dhe i zemëruar. Nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi”, ka thënë Clark. Ai ka kujtuar bashkëpunimin e tij me UÇK-në gjatë luftës dhe takimet me Thaçin, përfshirë ato gjatë konfliktit dhe në Rambuje. Clark ka vlerësuar se lufta e UÇK-së ishte një rebelim kundër një regjimi autoritar dhe ka thënë se, bazuar në atë që kishte parë, nuk e konsideronte Thaçin person që duhej të dënohej për krime lufte. Gjenerali amerikan ka përmendur gjithashtu shqetësimet për tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve gjatë luftës, duke thënë se Thaçi, sipas tij, kishte punuar për mbrojtjen e popullatës së pafajshme serbe. “Kam pasur shqetësime për atë që mund të ndodhte më tej, por nuk mund të thosha se Thaçi ishte dikush që duhej të dënohej për krime lufte”, është shprehur Clark.

Kontrolloni gjithashtu

Le Monde për verdiktin e Hagës: Thaçi dënohet me 25 vjet, gjykata përballet me kritika për provat nga Beogradi

Gazeta franceze “Le Monde” aktgjykimin e Hagës e cilëson si një vendim që pritet të …