Dr. Zymer Neziri

XHEMAIL PECI: ARBRESHA KELMENDI-RAMADANI DHE PRIVILEGJI I DRITËS SË FJALËS III

Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme.  (K. Gurakuqi, publicist dhe iluminist shqiptar, Dashunija për gjuhën shqipe, 1942)

Biseda me Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirin

Një figurë tjetër emblemantike shpaloset në një prizëm sa të shumanshëm po aq edhe kuptimplotë: ‘Zymer Neziri është i ftuari i radhës në emisionin ‘Special One’ Me Arbresha Kelmendin. Në pjesën e parë të intervistës, ai flet për shkollimin dhe arsyet e largimit nga puna. Ai tregon se ku qëndrojmë ne si Kosovë sa i përket shkencës, për punën në Institutin Albanologjik dhe tregon se a ka qenë i vështirë botimi i epikës gojore shqiptare në Harvard dhe a ka pasur mbështetje institucionale. ‘

Arbresha Kelmendi e prezanton në mënyrë të plotë portretin intelektual të Prof. Dr. Zymer Nezirit: ‘E në studio tash kam të ftuarin e Special One, është profesor doktor Zymer Neziri, epikolog i cili ka bërë disa koleksione arkivore me këngë folklorike, ka disa vepra të botuara, ndër to edhe botimin e epikës gojore shqiptare, siç e përmenda edhe më herët, pra në Harvard dhe Harvardi tashmë ka një libër shqip. Zotëri Neziri ka qenë profesor në universitete të ndryshme, si në vend po ashtu edhe jashtë, hulumtues i koleksioneve për foklorin, letërsinë, etnologjinë etj. Për këto e shumçka tjetër do të na flet vetë profesori.

Zymer Neziri është sa arismdashës po aq edhe arsimdhënës, gjithmonë i etur për dritë e për dije, si një ëndërr e përjetshme e një trashëgimie familjare me ndjenjën e theksuar për dritën dhe lirinë:

‘Ne ishim brezi që na thonin: S’po rrini mirë! I angazhuar në Lëvizjen Kombëtare, unë i takoj atij brezi të Republikës, brezi i ‘68, brezi i Kushtetutës.’ Zymer Neziri thekson se ia kishte zënë rrugën shtetit, sepse shteti ia kishte zënë atij dhe brezit të tij hisen e diellit.

Ai flet me pietet për profesorët e tij, për pasojat ‘të cilat do të zgjasnin 20 vjet’, për veprimtarinë e tij të vrullshme atdhetare, për çka ishte arrestuar disa herë, i diferencuar e i izoluar.

E veçanta e veprimtarisë së tij atdhetare është fakti se aty ku është flamuri është edhe profesor Zymeri. Ai i bën një analizë mjaft të hollësishme reprezaljeve që ka bërë pushteti barbar jugosllav:

‘Mes dy luftërave botërore kishim rreth 30 mijë vjet burg të rëndë (sipas Oliver Shmidt), pra rreth 300 shekuj, përkatësisht 666 shekuj për një popull sikur t’i kishim 66 milion e ne s’i kishim as 3 milion (sipas Institutit të Historisë nga Dr. Sabile Keçmezi-Bashës).’

Kujtimet e tij për rrathët e burgut të hapur jugosllav dëshmojnë se këta rrathë ishin si rrathët e ferrit dantesk:

‘Burgu ishte i hapur. Lëvizja kombëtare nuk është ndalur asnjëherë, lëvizja kombëtare ka qenë gjithmonë e gjallë dhe s’e ka ndalur asnjëherë ndjenjën për shpresën se vërtetë do të ketë ndryshim, ndjenjën për shpresën se do të ketë çlirim, ndjenjën për shpresën se do të ketë bashkim…Dhe brezi ynë e nisi me Republikën që pastaj Republika të forcohet, e që s’e kemi forcuar ende mirë por që është në rrugë të forcimit, dhe pastaj dera e bashkimit hapet natyrisht dhe është e hapur historikisht, sepse është derë e natyrshme sepse nuk është derë e shpikur nga një brez por përkundrazi, është e shpikur prej se na ka krijuar siç thonë Zoti, na ka lënë kështu bashkë, por të ndarë në 6 shtete të Ballkanit, pa llogaritur edhe diasporën.’

Prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, e sheh lëzvijen kombëtare dhe çlirimin si luftë në kontinuitet: ‘Lufta e UÇK-ës krahas betejës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë-Beteja e Nokshiqit, janë betejat më të suksesshme, sepse beteja kemi pasur shumë, por beteja të humbura.’

Duke e bartur bisedën në një rrafsh tjetër, shtrohen përpara pyetje që kanë të bëjnë me të kaluarën e hidhur por edhe me problematikën e tashme:

‘Ke paur një kohë kur ke punuar edhe pa dëshirën tënde mund të them, keni punuar si përkthyes, si lektor, në bankë më duket. Pse? Institutin e ke dashur dhe e don akoma, ku je i angazhuar ende. Ku renditemi si vend në fushën e studimeve albanologjike. A ka investime për shkencat albanologjike?’

Edhe në këtë rrafsh të bisedës, profesor Zymeri është i prerë në mendime dhe i thellë në gjykime: ‘Rrathët e albanologjisë janë të pakta. Luftën e madhe do të duhej ta bënim në albanologji. Nuk kemi kuadro. Instituti ka 20/25% më pak (kuadro) se pas lufte. Gjendje e rëndë është edhe në Tiranë, gjendje shumë shqetësuese. Jmi ashtu siç jemi. Shpresoj shumë se këto dy qeveri do të kthehehn nga vetvetja, nga albanologjia.’

Në konstantimin e tij për gjendjen e studimeve albanologjike sot, profesor Zymer Neziri sikur vë përballë dy realitete, realitetin e së djeshmes me zemër-thirrjen e njohur se gjuha shipe po pret Kristoforidhët e ri, si dhe realitetin e së sotmes me zemër-klithjen: ‘Kurrë ky vend nuk i ka pasur tri ditë të mira, por kanë shpresuar. Duhet t’i kthejmë sytë ka albanologjia. Instituti Albanologjik duhet mbushur me djem e varza të reja. Kuadri i ri ka mbetur ai vjetri!’

Krahas kësaj, nuk mungon as vlerësimi me vend që e pohon Arbresha, e cila parapëlqen që megjithatë të mos bjerret shpresa: ‘Gjithçka po sillet rreth politikës. Punët me pushtetin kurrqysh! Shpresoj se institucionet do të vetëdijësohen dhe të marrin masa që të ndihmojnë në çafarëdo mënyre.’

Edhe nga kjo bisedë, sa interesante po aq edhe domethënëse, del sërish në pah fakti se prof dr. Zymer Ujkan Neziri ka shkruar dhe ka kontribuar në përmasën e një akademiku të mirëfilltë, në fushën e studimeve të epikës dhe lirikës sonë gojore. Nuk ka dyshim se me studimet e tij të shumta ai është një figurë emblematike. Por si për paradoks ai nuk është në Akademi! Ai nuk është në një çati me akademikët, por ai është në një qiell me kreshnikët. Ai nuk është në Akademi, sepse ai as nuk ka qenë e as është në parti. Ai nuk i ka takuar kurrë të së përkoshmes, sepse ai e ka pasur për trashëgim të ligjshëm që t’i takojë gjithmonë të përjetshmes. Ai nuk ka lakmuar për të pasur librezë të partisë, sepse ai e ka pasur dhe e ka, sot e mot, për vizion dhe mision të tij, idealin e lirisë. Ai nuk është pjesë e kësaj Akademie, dhe kjo nuk është kurrfarë çudie. Prof. dr. Zymer Ujkan Neziri nuk është mësuar të rrijë kurrë nën hije, sepse koha ia ka këkuar atij dhe shokëve të brezit të tij, që të jenë në ballë, në lëvizje e me lëvizjen. Ai ka qenë dhe është gjithmonë, me turmën dhe jo me konjukturën, me masën dhe jo me nomenklaturën.

Prandaj, sikur të kishte një sistem vlerash të mirëfillta, në mos për asgjë tjetër, Zymer Ujkan Neziri do të mund të ishte pjesë e Akademisë, qoftë edhe për vetëm tri perlat e publicistikës së tij kombëtare: Biografia për Zhuj Selmanin, biografia tjetër për kreshnikun e penës Ramiz Kelmendin, si dhe tabloja epike për Betejën e Nokshiqit.

Këto tri perla, janë sa biografi po aq edhe vepra monumemntale që ai ka skalitur me penën e tij të denjë. Ai ka ngritur tre lapidare, ai ka lartësuar tre obelisqe, ai ka përjetësuar trinomin e shenjtë pena-pushka -qëndresa kolektive.

Zanat shqiptare që lindin në bjeshkë e thërrasin në legjenda janë amazonat e lashtësisë, zëdhënëse sa të njerëzve në tokë edhe të perëndive në qiell, ka shkruar poeti disident Agim Shehu. Ndërkaq, albanologu Maximilian Lamberci ka shkruar se: ‘Heronjtë shqiptarë janë luftëtarë të përjetshëm të Urdhrit të Kreshnikëve, të mbledhur rreth tryezës së rrumbullakët të bjeshkëve’.

Një njeri si Zymer Neziri, që ka ushqyer dhe ushqen dashuri për një Shqipëri, është ushqyer me botën e kreshnikëve, të atyre që kanë në sfond Mujin dhe Halilin, por edhe të atyre që si Zhuj Selmani e Adem Isufi, u bënë digë e pakëprcyeshme për hordhitë e egra barbare.

Nuk është rastësi pra pse ai ka një ndjeshmëri për atdhedashuri dhe jo për parti. Nuk është rastësi pse ai nuk është në Akademi, sepse ai parapëlqen më parë tryezën e rrumbullakët të bjeshkëve me këngët e dashura epike, sesa teserat e partive politike. Ai nuk është në radhën e akademikëve, sepse ai e ka për krenari të jetë bashkudhëtarë i Urdhrit të Kreshnikëve. Padyshim një titull dhe një epitet që herët a vonë, sot apo nesër, atdheu dhe koha ua jep vetvetiu njerëzve që flakën e shenjtë të dashurisë për atdheun e kanë në mendje, në zemër dhe në shpirt, duke e bartur atë nëpër breza, duke e shtruar nëpër sofra e fusha pajtimi dhe bashkimi, duke e shpalosur me urti nëpër oda, me mençuri nëpër libra, me dhunti nëpër vepra, me madhështi në këngë e valle kreshnikësh, dhe gjithsesi me krenarinë e ligjshme prej pinjojve të denjë të breznive orëmira.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …