Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Është koha që të mbledhim mendjen për komb e atdhe

(Në pritje të Vitit të Ri) Vështrim retrospektivë

   Ka do vite që muaji dhjetor është bërë muaj ters për ne shqiptarët. A thua se na e ka fajin muaji që vazhdon të quhet “dhjetor”?! Shkëndijat e para të konfrontimeve, përplasjeve, bojkotimeve, dhunës e vandalizmave ishin të muajit dhjetor 2018. Dikush këto “shkëndija” i quajti si “paralajmërim i pranverës shqiptare”! Ishte ky një mendim koti i dikujt apo ishte dikush që po i lidhte fijet e celulat e një lëvizjeje politike destruktive, sidomos në Tiranë. Po, po, në Tiranë, sepse aty është themeli, aty është çatia dhe aty është boshti kurrizor i kombit shqiptar. Aty duhej dhënë goditja që të paralizohej e gjithë Shqipëria (jo vetëm ajo politike) dhe i gjithë kombi shqiptar. Pse a nuk ndodhi kështu në vitin 1990? Në kohën kur çështja shqiptare po hynte në një fazë të re zgjidhjeje, kurse Jugoserbia po shkërmoqej, pikërisht atëherë iu dha goditja Tiranës, shtetit shqiptar.

   “Dy korriku” i vonuar i Kosovës shqiptare mbeti nën hijen e 2 korrikut të Tiranës! Ndonjëri mund të thotë se ishte rastësi. Mundet. Koha do ta vërtetoj me hulumtime, dëshmi e fakte. Por, edhe po të ishte koincidencë (aspak e besuar), ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Tiranë në thelbin e tyre ishin të dëmshme për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Këto ngjarje ishin paraprirë nga ngjarjet e dhjetorit 1989 në Tiranë! I gjithë zhvillimi, të gjitha efektet e atij dhjetori gjatë gjithë këtyre tri dekadave provojnë se dhjetori i vitit 1989 ishte TERS! Përmbysja e “madhe” nuk kishte synim të vetëm ndryshimin e sistemit ekonomik e politik, por synim thelbësor kishte rrënimin e shtetit shqiptar në një kohë kritike për shqiptarët e pushtuar, që nuk ishin pak, por dy të tretatë e kombit e të Atdheut!

   Çuditërisht lëvizja demoanarko-vandaliste e Sali Berishës dhe “fuqive” që qëndronin prapa tij, tërhoqi pas vete ose më saktë mori me vete edhe shqiptarët e Shqipërisë së pushtuar që kishin menduar, vepruar e jetuar për hesap të pushtuesve dhe pushteteve të tyre shtypëse e terroriste. Nisi një fushatë e paparë dhe e padëgjuar kundër shtetit shqiptar, nën maskën e “luftës kundër komunizmit, diktaturës e enverizmit”! Po t’i lexoje shkrimet e tyre në atë kohë (ato mund të lexohen edhe tash) do të “bindeshe” se shteti i Enver Hoxhës kishte qenë “ferri” i shqiptarëve! Me shkatërrimet, djegiet dhe vandalizmat që ndodhën me muaj e me vite ishte qëllimi të “dëshmohej” teza e tyre e “shtetit ferr”! Ky “shteti ferr” i Enver Hoxhës, sipas kuzhinave të Beogradit e të qendrave tjera antishqiptare duhej të paraqitej e të “dëshmohej” se kishte qenë “ferr” edhe për shqiptarët e trevave të pushtuara të Shqipërisë, që kishin ikur atje në kërkim të “kopshtit me lule”! Këtë ‘mision” antishqiptar e kishin marrë përsipër mediet e financuara nga para dhe qarqe të dyshimta e antishqiptare. Erdhi puna deri aty sa shqiptarët e pushtuar më shumë t’i qanin “hallin” shtetit shqiptar se Kosovës së pushtuar e të terrorizuar nga Jugoserbia!!

Kalemxhinjtë e këtyre medieve villnin helm kundër NËNËS Shqipëri më shumë se ç’kishte vjellur Beogradi në gjuhën serbe. Serbia dhe qendratë  tjera antishqiptare e kishin të qartë se propaganda në gjuhën serbe dhe nga serbët nuk u “ngjitej” shqiptarëve. Prandaj, propagandën Serbia duhej ta bënte me shqiptarët e saj dhe në gjuhën e tyre! Kështu i porosiste edhe Azem Vllasi, i cili thirrjen se “luftën kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar mund ta fitojmë vetëm me shqiptarët” e kishte bër refren të tij! Krah i fortë i kësaj propagande u bënë edhe disa “intelektualë” (Mr., Dr. E Akademikë!) të kapur me kohë e të “shkolluar” e “graduar” nga Jugoserbia! “Harronin” këta maskarenj se shteti AMË ishte dhe mbeti e vetmja mbështetje (bënte detyrën…) e Kosovës shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore… Në kurthin e kësaj propagande ranë e nuk dolën më edhe disa shqiptarë të njohur si “patriotë”, që ishin të persekutuar e të dënuar edhe me shumë vite burg nga Jugoserbia ose që ishin pjesë e grupeve a organizatave atdhetare të kohës! Dikush shkoi aq larg sa guxoi të shkruante (më duket te “Bota Sot”) se “Shteti shqiptar ka qenë pushkë e ngrehur kundër Kosovës që nga viti 1912 e deri sot”! S’e besoj që e ka shkruar a thënë dikush në Beograd a Athinë një “kualifikim” si ky! Apo pse e dinin që nuk pinte ujë po ta thonin ata… kjo duhej thënë e duhej shkruar me gojën e me dorën e një shqiptari në gjuhën shqipe! Deri këtu arriti shqiptarziu!

Viti 2019 dhe dhjetori i tij

   “Pranvera shqiptare” e paralajmëruar nga dikush në dhjetor të vitit 2018 erdhi me demonstrata të mëdha e të dhunshme, që organizoheshin jo nga studentët e nga populli, por nga Partia Demokratike e Lulëzim Sali Berishës! PD-ja e Sali Berishës bëri atë që s’e kishte bërë kush pas Luftës së Dytë Botërore: u largua nga Kuvendi, duke dorëzuar – djegur mandatet! Një rast i papresedan! Ky veprim kishte si qëllim thellimin e krizës, përplasjen civile dhe rrëzimin edhe njëherë të shtetit shqiptar! Kjo parti, PDSH-ja, nuk mori pjesë as në zgjedhjet vendore të qershorit të vitit 2019, me shpresë se do ta shembte sistemin kushtetues e politik të vendit, me synim edhe përplasjen ndërqytetare! Në krah të tyre ishte edhe Ilir Meta (kryetar shteti!) bashkë me gruan e tij! Ishte ndërhyrja energjike e SHBA-ve (pastaj edhe vendet tjera evropiane), që ua “preu këmbët” dhe e shpëtoi situatën! Pas zgjedhjeve vendore “opozita e rrugës” u shtrëngua t’ia fuste pushimit. Po të mos ishte “tërmeti i shengenit ballkanik” kjo opozitë do të ishte akoma në gjumë! Terapia që kishte marrë nga SHBA-të (sidomos) dhe nga shtetet evropiane ishte e rëndë…

Shengeni ballkanik, Edi Rama, shteti shqiptar

   Nisma për një shengen ilirik (ballkanik) nuk është e Serbisë, nuk është e Edi Ramës dhe as vetëm e Tiranës zyrtare. Kjo ishte nismë e nxitur nga shembulli i BE-së (si parapërgatitje për t’u anëtarsuar në BE). Nisi me Malin e Zi, Maqedoninë tonë, Shqipërinë politike (Bamir Topi) dhe Kosovën shqiptare (Fatmir Sejdiu). Pati edhe takime tjera me të cilat u “kornizuan” marrëveshjet për njëfarë bashkëpunimi ndërballkanik, duke lehtësuar qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, etj. “Me procesin e Berlinit” nismës për një Iliri (Ballkan) pa kufij iu bashkua edhe Serbia. Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës nuk patën kundërshtim. Madje, këta kishin dialoguar kurrë pa ndalë me Serbinë gjatë këtyre 20 viteve (politika e vjetër edhe para lufte kishte biseduar e i kishte shërbyer Jugoserbisë me përkushtim e përulësi!) dhe kishin bërë me dhjetra marrëveshje me Serbinë e Gjingjiçit, të Koshtunicës, të Nikoliçit e të Vuçiçit! Po të shikohet e analizohet (nuk duhet shkollë e madhe) produkti i këtyre marrëveshjeve të Vjenës e të Brukselit kuptohet lehtë se ato janë arritur dhe janë zbatuar në dëm të Kosovës shqiptare. Këto marrëveshje kanë cenuar dhe cenojnë rëndë qenien dhe identitetin e popullit shqiptar në Kosovë, që përbën shumicën absolute (93 %)! Këto marrëveshje i kanë mohuar Kosovës shqiptare edhe të drejtën historike e kombëtare dhe të drejtën e garantuar edhe me dokumente ndërkombëtare për t’u bashkuar me shtetin e saj, me TRUNGUN e saj, duke i mohuar edhe FLAMURIN e saj kombëtar!! Lista e marrëveshjeve që kanë rrezikuar tërësinë tokësore të Kosovës së mbetur, të drejtatë themelore të popullit të saj shqiptar, sigurinë e Kosovës shqiptare, dinjitetin e saj, arsimimin, shëndetin publik, mjedisin, pasuritë kombëtare, etj., etj., është e gjatë!…

   Kur erdhi puna që Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Tirana zyrtare, që ishte dhe është “kibla” e çdo shqiptari në Iliri e në botë, u takuan me vendet tjera  ilirike, përfaqësuesit e dobët të Republikës së Kosovës nuk pranuan të shkonin në këtë takim me arsyetimin absurd se ishte edhe Vuçiçi në tavolinë! Dhe kush e thoshte këtë? Ata që takoheshin e ishin takuar natën e ditën, hapur e fshehur me Vuçiçin dhe të dërguarit e tij! Pa u bërë 24 orë, Kryetari i Republikës së Kosovës, që nuk shkonte në takimin e Ohrit se ishte Vuçiçi i Serbisë, udhëtoi në Paris (me ftesë të Makronit francez) për ta takuar kokë më kokë Vuçiçin e Ohrit!! Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, që i kishin humbur zgjedhjet, po kërkonin të kapeshin pas kartës së “nacionalizmit” e “atdhetarisë’ që i kishin braktisur motiii!

   Për shumë vite me radhë Kosova kërkonte me ngulm ndonjë mik a lidhje për t’u ulur në tavolinat rajonale, sepse nuk e pranonte Serbia. Madje, kur ia delte Kosova që të ulej në tavolina rajonale Serbia ngrihejë e ikte, duke protestuar. Tash, kur Kosova do të duhej të ishte në pozitë më të mirë, duke patur në krah shtetin e saj AMË, Maqedoninë e Malin e Zi i bojkoton takimet rajonale! Paradoksale!

   Refuzimi i krerëve në dorëheqje ose me zgjedhje të humbura të Kosovës për t’u ulur në tavolinën rajonale u pasua me një fushatë të tërbuar mediatike e politike! Një mal me fyerje, ofendime, epitete, shpifje, sharje vulgare e banale në llogari të Kryeministrit shqiptar, Edi Ramës! Nuk mbahet mend që këto tridhjetë vite dikush të jetë sulmuar, sharë e ofenduar kaq paturpsisht nga fundrrina titiste e jugokosovare dhe nga esadistët e Tiranës! Por, populli thotë: “Mos shiko çka tha, por shiko kush e tha”. Dhe po të shikosh kush e shau e kush po e shanë Kryeministrin shqiptar bindesh se kjo klasë kolaboracionistësh, nostalgjikësh e shërbëtorësh jugokosovarë, të mpleksur me klasën politike mafioze e të korruptuar në Prishtinë e Tiranë, edhe me qendrat e huaja antishqiptare, janë kërcënim i përhershëm për bashkimin e kombit shqiptar. E gjithë propaganda gebelsiane e tyre nuk po bëhet kundër Edi Ramës (s’e kanë fare me te), por po bëhet për ta mbjellur e kultivuar farën e përçarjes ndërshqiptare, për ta thelluar hendekun që ka krijuar copëtimi i tokave të Shqipërisë e armiqtë e saj dhe, synim jetikë i tyre dhe i atyre që janë mbështetja e fuqishme e tyre, është “përjetësimi” i copëtimit të kombit dhe Atdheut, Shqipërisë! Për këtë qëllim këta bastardë edhe sot, me propagandën e tyre, duan ta thellojnë bindjen në kokatë e shqiptarëve të zakonshëm se “Serbia është shumë më superiore dhe më e fuqishme se ne”, ajo na gllabron! Në vend se të frikësohet Serbia nga heqja e kufijve midis shqiptarëve në tokën e tyre, politikanë të korruptuar e të dyshimtë në Tiranë e Prishtinë dhe mediet e tyre mercenare po i trembin shqiptarët dhe po u thonë se “heqja e kufijve midis jush është e rrezikshme”! Kjo klasë politike dhe këta kalemxhinj mercenarë e batakçinj duan që shqiptarët të jenë gjithmonë në defanzif dhe inferioritet në raport me fqinjët e tyre, sidomos me Serbinë!!… Kështu që, sipas kësaj logjike absurde dhe antishqiptare, më mirë na bie të ikim nga ky vend të gjejmë një copë bukë nën sofrën e vendeve të zhvilluara kapitaliste, në vende të huaja, se sa të matemi me Serbinë në treg, në ekonomi e, nëse e kërkon mbrojtja e Atdheut, edhe në luftë!

   Viktimë e kësaj fushate të turpshme kanë rënë edhe disa shqiptarë të mirë që s’i lidhë asgjë me këto banda mercenarësh. Ka edhe nga ata, disa i njoh, që vijnë vazhdimisht nga Serbia (“rruga e vjetër”!) në vendlindje dhe kalojnë para policëve serbë pa pikën e dinjitetit, ndonjëherë edhe duke gëlltitur të shara me nënë, dhe “shesin” patriotizëm ekstrem në rrjetet sociale, duke e akuzuar Edi Ramën për “tradhti” e duke e sharë ulët!

   Qytetarët e tyre presin nga dhjetë orë në kufijtë e Serbisë (me hy e me dalë), kurse krerët e korruptuar e mashtruesë të Prishtinës dhe mediet e tyre antishqiptare akuzojnë Edi Ramën për “shitje të interesave të Kosovës”!! E cili na qenka interesi i Kosovës? Ta mbaj e ta përjetësoj kufirin mes përmes tokave shqiptare?! Ani kush? Ata që e kishin bërë ortake Serbinë në Kosovë deri në atë masë sa e rrezikuan edhe ekzistencën e pavarësisë së Kosovës? Ata që 20 vite ua mbushën barkun qytetarëve të tyre, shqiptarëve, me ushqime, me pije, me barrëra e me të gjitha prodhimet tjera serbe! Serbisë që u shkatërroi e dogji shtëpi e katandi shqiptarëve, përveç masakrave e gjenocidit, ia mundësuan që ta mbush tregun me tulla, blloka, hekur e material tjetër ndërtimor për t’i rindërtuar shtëpitë e shqiptarëve! Patriotizëm se jo mahi! Këta që popullin shqiptar (93%) e barazuan me 5 përqindshin serb në Kosovë po na shesin patriotizëm sot?! Sa “xhevahire” të këtyre ka nuk i nxen një libër me mbi njëmij faqe e jo më një shkrim si ky…

   Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe partia e tij, bashkë me PDSH-në e Berishës, kanë mëkate tjera për Kosovën. Tirana zyrtare, edhe pse ishte e lodhur dhe buzë katastrofës kombëtare e shtetërore, nuk do të duhej kurrë që çështjen e Kosovës shqiptare ta lente dhe trajtonte si çështje midis Beogradit e Prishtinës. Ajo duhet t’ua bëj të qartë dhe t’i ndërgjegjësoj “jugokosovarët” dhe sojin e tyre në Tiranë se Kosova dhe çdo pëllëmbë toke shqiptare është çështje e saj dhe e askujt tjetër… Kosova dhe çdo pëllëmbë e tokës së Shqipërisë së pushtuar është çështje e Tiranës, është çështje shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë nuk është shpallur vetëm për ato 28 740 km katrore, por për 90 000 km katrore, për gjithë Shqipërinë. Edi Rama ka mëkate tjera, por nuk mund ta akuzosh për “tradhti” e për “shitje të interesave të Kosovës”!… Interesat e Kosovës shqiptare po rrezikohen e po shiten pak nga pak nga klasa politike e “kosovarizuar”, e korruptuar dhe e kriminalizuar deri në rrëshqitje kolaboracioniste…

 

URIME VITIN E RI 2020! GJITHMONË GËZIME PËR SHQIPËRINË DHE PËR SHQIPTARËT KUDO QË JANË! GËZUAR!

 

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami

Bedri Islami: Nga do të shkojnë dhe si do të votojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Votimi i parë për presidentin e Maqedonisë së Veriut dëshmoi atë që ishte pritur: shqiptarët …