Xhevat Bislimi: HESHTJA E "DETYRUAR" E SHQIPTARËVE!

Xhevat Bislimi: Të majtë e të djathtë apo shqiptarë e “kosovarë”? I

Debat i madh është hapur në Kosovë midis shqiptarëve dhe “kosovarëve” për “miqësinë e përjetëshme” me Amerikën! Ky debat i ndezur dhe i “sponzorizuar” nga qarqe antishqiptare, që deri dje i rrinin me “lepe e me peqe” pushtuesve jugoserbë, ka për qëllim të parë largimin e vëmendjes nga marrëdhëniet e rrezikshme dhe kërcënuese që ka ndërtuar koalicioni i “madh”, LDK-PDK-AAK (bosët e këtyre partive!) me Serbinë, në njërën anë, dhe ruajtjen e pozitave, privilegjeve dhe, sidomos, pasurive të fituara duke bërë politikë për hesap të tyre e në kurriz të Kosovës shqiptare! Nuk është pa rol e pa ndikim në qëndrimet e tyre mjerane edhe Gjykata Speciale, që po u rrinë si ‘shpata e Demokleut mbi kokë”, të cilën e themeluan vetë (koalicioni LDK-PDK-AAK)!

  Mediet e shkruara dhe elektronike, duke përfshirë edhe portalet dhe OJQ-të kozmopolite “kosovare”, janë në duartë e atyre individëve dhe grupeve që ndër breza ishin shtrat i butë i pushtuesve. Prej tyre ka edhe të tilla medie, portale e OJQ, që janë themeluar e mbahen me fonde të huaja tepër të dyshimta! Se mos i “kontrollon” kush?! Këto medie kanë marrë përsipër ose, më mirë me thënë, janë ngarkuar që ta “dekonstruktojnë” qenien shqiptare të Kosovës, identitetin e pastër shqiptar dhe vullnetin e popullit të saj për t’iu bashkuar, herët a vonë, Trungut nga i cili u shkëput pa dëshirën dhe vullnetin e tij: me dhunë, me terror, me zjarr e hekur, me gjenocid dhe me spastrim e sllavizim të tokave të pushtuara të Shqipërisë. Këto medie e OJQ kameleone herë marrin ngjyrën amerikane, herë marrin ngjyrën gjermane, herë atë angleze, herë panevropiane!… Varësisht kush sa i paguan! Këto janë si defatoret dikur: i bien defit sipas dëshirës së atij që jep lekun! Mirëpo, po t’i grisësh pak e sheh ngjyrën e tyre të vërtetë: antishqiptarizmin!

   Janë këto medie dhe këto OJQ hibride e kameleone në formë, dhe antishqiptare në përmbajtje, që edhe debatin e “shpikur” “për” e “kundër” Amerikës po këmbëngulin ta paraqesin si “debat midis të majtëve dhe të djathtëve”!! Me të majtët, ato kuptojnë dhe i “portretizojnë” shqiptarët, kurse me të djathtët “kosovarët”, që në fakt janë titistët e jugokosovarët (pjellë bastarde e kohës së gjatë në robëri)!! Manipulim par exellance me publikun e pa informuar e të pa formuar në këtë “fushë”! Sikur këto medie e këto OJQ të mos e kishin mbështetjen e parezervë të koalicionit, LDK-PDK-AAK, krerëve të tij, sigurisht që nuk do ta meritonin vëmendjen time…

 

Përpjekje për “dekonstruktimin” e qenies shqiptare  

 

   Koncepti për një Kosovë “kosovare” (“kosovocentrizëm!”), të “dekonstruktuar” nga identiteti i saj puro shqiptar, është përfaqësuar që në themelim nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Në thelb të këtij koncepti është një Kosovë e “kosovarëve”, e deshqiptarizuar, dhe me një prani të “kamufluar” të Serbisë dhe kurrë (!) me Trungun e saj, Shqipërinë!! Krerët e PDK-së dhe të AAK-së, duke qenë të papërgatitur e të paformuar për t’u ngjitur në majat e partive dhe të politikës dhe, sidomos, duke qenë të papërgatitur, të paformuar dhe pa pjekurinë e duhur politike për punët e shtetit, rrëshqitën në prehrin e LDK-së dhe përqafuan, me a pa vetëdije, konceptin e saj për “Kosovën kosovare”!! Për t’ia veshur këtë “kostum” të shëmtuar e ngulfatës Kosovës shqiptare kjo elitë politike e LDK-PDK-AAK-së, këto medie e këto OJQ të mercenarizuara, deri dje e ftonin në ndihmë dhe e kishin në krah Evropën (BE-në)! Në Rambuje e nisën, e vazhduan në Vjenë dhe e “përfunduan” në Bruksel!

   Këto marrëveshje për një “Kosovë kosovare” dhe me një prani “të kamufluar” të Serbisë janë bërë me BE-në dhe me shtetet e saj!… Ishit ju, që për interesat tuaja meskine dhe për hesape të huaja e antishqiptare, e vonuat Shpalljen e Pavarësisë, shkëputjes së Kosovës nga Serbia, të paktën 6 vite!! Shkëputja e Kosovës edhe de jure mund të bëhej që në vitin 2001 a 2002… Kohë ideale. Të gjitha rrethanat rajonale e ndërkombëtare ishin në favor të Kosovës shqiptare. Nuk e bëtë, sepse shkëputja e Kosovës nga Serbia nuk ishte prioritet i juaji! Kjo vonesë i ka kushtuar, po i kushton e do t’i kushtojë Kosovës dhe popullit të saj shqiptar! Pse u vonuat?! Apo u ndalonte Amerika?!

  

Amerika ishte për pavarësinë dhe shkëputjen e Kosovës nga Serbia

 

   Jo, zotërinj “kosovarë”! Amerika (SHBA-të) ishte dhe angazhohej për një Kosovë të shkëputur e të pavarur nga Serbia dhe me sy nga Tirana! E harruat thirrjen monumentale publike të Kryetarit të Amerikës, Gjergj Bushit, gjatë vizitës së Tij në Tiranë: “Ktheni sytë nga Tirana! Këtu e keni Kryetarin, këtu e keni Qeverinë”, u bëri thirrje Bushi krerëve të politikës dhe të institucioneve në Prishtinë dhe u kërkoi të takoheshin urgjentisht me krerët e Tiranës zyrtare e të koordinoheshin për çdo gjë… Çfarë ndodhi? Si e zbatuan këtë POROSI të Amerikës këta pseudomiqtë e saj? Bën një takim midis tyre në Kukës dhe me kaq mbaroi!! Iu kthyen POROSISË së Evropës, që sot bëjnë sikur ia kanë kthyer shpinën e nuk flasin më me të!?

   A nuk ishte Amerika që u detyrua t’u bënte thirrje krerëve të Kosovës që të bënin kujdes me marrëveshjen e drejtësisë, që e bënë në Bruksel?! “Kujdes se po krijoni një Republika Serpska”, u detyrua të ndërhynte botërsiht Amerika, sepse këta nuk e dëgjonin Amerikën dhe porositë që i merrnin prej saj në takime të mbyllura! A nuk ishte Amerika, Ambasadorja e saj, që u detyrua t’ju thoshte publikisht: “E keni bërë m…”! Apo kjo nuk ishte Amerika e vërtetë, Amerika juaj?!      Ishte Amerika (ky është “sekret publik”!) që e rrëzoi marrëveshjen tuaj anti Kosovë dhe antishqiptare të Brukselit me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ju kishit negociuar e kishit nënshkruar me Serbinë krijimin e një minishteti serb, një Serbie të vogël në zemër të Kosovës shqiptare!! Apo edhe këtë e harruat?! Jeni ju që nga pesë komuna “serbe”, që i krijuat në Vjenë me Ahtisarin e me Serbinë, i bëtë 10 të tilla në emër të decentralizimit!! Ishit ju që e ndatë edhe qytetin e Mitrovicës dhe i krijuat mbi 40 “zona të mbrojtura dhe eksterritorialitete serbe”!! Jeni ju që gjuhën serbe e bëtë të barabartë me gjuhën shqipe!! Çfarë do të mund të bënit më keq se kaq?! Kurse ishte Amerika që e njohu Republikën e Kosovës në kufijtë e saj dhe bëri fushatë “derë më derë” për ta njohur edhe 100 e sa shtete tjera shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Ishte Amerika që ndikoi fuqishëm që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë t’i jepte plotësisht të drejtë Kosovës që Shpalli Pavarësinë-shkëputjen e saj nga Serbia… Njohja dhe bekimi më i madh ndërkombëtar! Kjo ishte VULA ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Ishit ju që, pas kësaj VULE ndërkombëtare, i vendosët fusnotën shtetit të Kosovës!! Prandaj, ndaluan njohjet dhe nisën çnjohjet e Kosovës! O tempora, o mores!

   Ishte Amerika që ju jepte porosi që të bënit sikur po i hetonit dhe dënonit “krimet e luftës”, pa dallim në Kosovë! Po ku kishit kohë ju të merreshit me punëra të tilla! Mirëpo, ishit ju (LDK-PDK-AAK) që patët kohë për krijimin e Gjykatës Speciale për t’i hetuar dhe dënuar specifikisht dhe vetëm “krimet” e shqiptarëve e të Luftës së tyre Çlirimtare-UÇK-së!!! Turp e faqja e zezë! Ashtu siç ishit ju që provuat, përkundër porosive të qarta të Amerikës, ta shfuqizonit Gjykatën Speciale që e votuat me dorën tuaj, duke i dhunuar e duke u bërë presion e shantazh disa deputetëve e deputeteve që nuk do ta kishin votuar kurrë me dëshirë e vullnet!

   A nuk jeni ju, që bashkë me UNMIK-un e me vende të caktuara të Evropës, e bëtë rrushekumbulla pasurinë e Kosovës, duke e grabitur dhe trafikuar me e pa Agjencinë e Privatizimit?! Jeni ju, besoj nuk keni harruar, që me politikat e juaja kullufitëse e degraduat skajshmërisht mjedisin, ku jetojmë ne e do të jetojnë edhe pasardhësit tanë! Nuk ka lumë, përrua a përroskë në territorin e Kosovës që nuk është ndotur me ujëra të zeza e që nuk është shndërruar në “deponi” plehrash!! Sepse ju po ndërtonit e po asfaltonit autostrada e rrugë ku manipulohet me miliona e me dhjetëra miliona! Autostrada Prishtinë-Hani Elezit (60 km) i ka kushtuar Kosovës, deri sot, para të thata, 700 milionë euro! Kjo autoudhë, po të mos bëhej për punë përfitimesh personale e grupore, mund të bëhej edhe me koncesion, mund të bëhej, tash për tash, edhe një rrugë më modeste që do t’i plotësonte nevojat tona. Me 700 milionë, pa përmendur edhe qindra milona tjerë që mund të përdoreshin për projekte me interes imediat dhe afatgjatë, mund të ndërtohejë gati për çdo qytet e qytezë (komunë) nga një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, që e kanë ndotur ujin, tokën dhe ajrin tonë rrezikshëm dhe për kohë të gjatë! Mund të ndërtoheshin qendra për trajtimin e plehrave, mbeturinave, që kanë vërshuar përrojeve, luadheve, fushave e maleve!! Po ta donit pakëz këtë vend, siç po shtireni, gjatë këtyre dy dekadave do të ndërtohejë ndonjë digë, ndonjë liqe artificial a ujëmbledhës për të mirën e mjedisit, të njeriut e të tokës! Po shëndetësia? Pus pa fund! Po arsimi dhe ato universitetet në çdo qytet, që nuk e kalojnë nivelin e arsimit të mesëm?! Dhe nuk skuqeni fare! Shitni edhe amerikanizëm!? Pastaj, a nuk ishit ju, LDK-PDK-AAK, që ia falët Malit të Zi 8 200 hektarë tokë shqiptare?!! A ka shqiptarë që do të besonte se ju nuk do t’i përsëritnit pazaret në kurriz të tokës shqiptare e në kurriz të pavarësisë e të sovranitetit të Republikës së Kosovës?! Po t’ju besonin nuk do të iknin masivisht nga vatrat e nga Kosova e tyre nga sytë këmbët! Keni dhënë shumë prova se jeni DORËLIRË me tokën, me lirinë, me pavarësinë dhe me sovranitetin e Kosovës shqiptare!

    Ka shumë e shumë pyetje të këtilla për koalicionin e madh LDK-PDK-AAK, do të duhej një libër voluminoz!… Po e vë gjithnj LDK-në përpara, sepse ajo ishte me përvojë të gjatë në këto “marifete”. Ajo ishte akademi e kolaboracionizmit, e koncesioneve ndaj pushtueve e ndaj aleatëve të tij, e zhvatjes dhe e kontrabandimit të pasurive të Kosovës, që ua mësoi edhe krerëve të rinj të PDK-së e të AAK-së! Sigurisht që nuk hoqi shumë për t’ua mësuar këto “marifete”, se pse këta ishin nxënës me inteligjencë dhe me zell të madh!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …