Ylli Meçe

Ylli Meçe: Idiotët “donkishotianë” që sulmojnë komunizmin

Sot për sot në fushën e filozofisë, ideologjisë, në problemet ekonomike dhe në politikë zhvillohet një luftë e ashpër midis ideologjisë borgjeze dhe asaj komuniste që në thelb përbëjnë luftën më të madhe ideologjike midis kapitalizmit dhe socializmit. Aktualisht socializmi, si rend ekonomiko-shoqëror dhe në luftën e ashpër midis kapitalizmit dhe vetë atij, përfundoi përkohësisht me fitoren e kapitalizmit mbi socializmin. Po si është e mundur, kur pranohej se socializmi fitimtar ishte një rend triumfues mbi kapitalizmin dhe se triumfi i tij mbështetej pikërisht mbi ndryshimin e raporteve ekonomike? Pikë së pari kritika ime fillon kundër “empirikëve” (fillestarëve në konceptimet ideologjike), kundër atyre që anatemojnë “Lindjen” (nënkupto Rusinë e Leninit) duke nënvizuar se pikërisht idetë socialiste u projektuan për herë të parë nga “socialistët utopikë franceze” në shek. XVlll, Sharl Furie, Sen Simon etj.

Sigurisht që mendimi i tyre teorik ishte njëkohësisht dhe dëshirë shekullore e njerëzimit, për një jetë të barabartë sociale, por ata gabonin rëndë sepse realizimin e teorisë e së tyre e bazonin në edukimin gradual “filantropik” të pasanikëve, në gatishmërinë, zemërbutësinë dhe humanizmin e tyre, sëbashku me elitën aristokratike dhe njerëzit e ditur, për të kaluar me vullnet të mirë e në mënyrë paqësore në socializëm. Pra, nga pikëpamja teorike ata nuk e kuptonin se klasat në rrugën e gjatë të formimit të tyre kanë karakter jo vetëm historik, por ata si klasë nuk u formuan vetë, por ishin marrëdhëniet ekonomike në prodhim faktori vendimtar i formimit të tyre dhe me marrëdhënie në prodhim kuptojmë raportet ekonomike. Ky raport ekonomik në thelb shpreh se të kujt janë mjetet e punës të prodhimit, kush i vendos në lëvizje ato për prodhimin e produktit të gatshëm dhe ky prodhim si shpërndahet? Për punë të barabartë në njësinë e kohës a kemi shpërndarje të barabartë? Si është e mundur që një masë e madhe punëtorësh marrin shumë herë më pak se pronari (kapitalisti) dhe administrata në shërbim të tij (borgjezia ku përfshihen gjithë nëpunësit bashkë me gardianë, policë, noterë, sekserë, juristë etj. etj.)

Ata që përcaktuan saktësisht dhe që i bënë anatominë deri në qelizë sistemit kapitalit ishin Marksi dhe Engelsi. Duke analizuar në mënyrën më gjeniale mar rëdhëniet kapitaliste të punës dhe prodhimit ata përcaktuan saktësisht se lufta e klasave që zhvillohet ka patur dhe ka karakter ekonomik dhe se pa përmbysje të marrëdhënieve kapitaliste me anë të dhunës për të ndryshuar këto marrëdhënie, kurrë nuk do të zhdukej kapitalizmi. Pra dhe historikisht ata vërtetuan se si rezultat i përleshjeve të armatosura (dhunës klasore) rezultonte që jo vetëm ishin ndërruar sistemet, por njëkohësish ato kishin kaluar nga një stad më i ulët në një më të lartë duke filluar që nga komuniteti primitiv, skllavëria feudalizmi e deri te kapitalizmi, kështu që duke kritikuar ashpër teoritë e “pajtimit klasor” të socialistëve francezë, Marksi dhe Engelsi e transformuan socializmin e ëndërruar në shekuj, nga utopia – në shkencë. Pra sikurse vërehet dhe vetë Marksi e Engelsi nuk ishin nga “Lindja”, por nga zemra e Europës. Ai i cili e realizoi për herë të parë në historinë e njerëzimit profecinë e Marksit, për ndryshimin e raporteve ekonomike dhe vendosjen e një rendi ekonomiko-shoqëror pa shtypje shfrytëzim klasor të njeriut nga njeriu ishte Lenini i Rusisë.

Fakti i kalimit në socializëm me anë të revolucionit socialist (me dhunë të armatosur e të organizuar) nuk do të thotë se komunistët janë barbarë gjakësorë? Përkundrazi Revolucioni është akti i fundit i luftës së armatosur, i cili zhvillohet pikërisht që të evitohet një herë e mirë barbaria dhe gjaku që i pinë punëtorëve dhe shtresave të gjera të popullit. Revolucioni është akt i dhunshëm dhe shkalla më e lartë e diktaturës së proletariatit, i cili zhvillohet pikërisht në momentin e kalimit nga një rend shtypje shfrytëzimi në një rend barazie sociale, është një hop i madh cilësor, i cili shprehet me kalimin nga një cilësi e vjetër në një më të re. Kështu janë zhvilluar dhe revolucionet borgjeze. Kështu ka ndodhur në Francë, në Gjermani, në Angli kështu dhe në Shqipëri me revolucionin demokratik të Nolit më 1924. Veçse karakteristikë e Revolucioneve borgjeze është se në krye të tyre del borgjezia, e cila është pjellë që e kërkon kapitalizmi duke përdorur proletariatin dhe që finalizohet përsëri me shtypje e shfrytëzim ekonomik, pavarësisht se në raport me marrëdhëniet feudale është një hap i madh përpara. Ndërsa në revolucionin socialist, karakteristikë e tij është se në krye të tij qëndron proletariati, i cili i ka marrë në duart e veta fatet e tij e që në pararojën e tij, në këtë rast del Partia Komuniste.

Në revolucionin Socialist të Tetorit 1917 u përmbys Cari dhe carizmi dhe feudo borgjezia ruse. Veçse kundër këtij revolucioni u ngrit jo vetëm reaksioni i brendshëm bjellogardistët e Vrangelit, Kollçakut e Denikinit, por dhe vetë Europa aplikoi kundër rrezikut komunist “kordonin sanitar” për mos përhapjen e tij, duke organizuar intervencionin e madh të Antantës kundër Rusisë, sepse nën shembullin dhe modelin e bolshevikëve rusë në atë kohë shpërthyen dhe revolucionet në Bavri të Gjermanisë në Hungari etj., por që nuk rezistuan gjatë. Lufta e Dytë Botërore, e nisur nga Hitleri e Mussolini për një “rend të ri” përfundoi me mposhtjen e nazifashizmit dhe jo vetëm me fitoren e forcave antifashiste, por me fitoret e arritura disa vende sidomos të Europës Lindore kombinuan luftën kundër nazi-fashizmit dhe me luftën kundër klasës shtypëse ekzistuese, e cila u bë palë me armikun. Mbas vitit 1945 shumë vende përveç BRSS nëpërmjet revolucionit popullor kaluan në socializëm sikurse ishin Çekia, Sllovakia, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Rumania, Jugosllavia (kjo e fundit kaloi në një socializëm specifik që në thelb krijonte kastën e re të borgjezisë… me komunistë), por kjo nuk zgjati shumë sepse si rezultat i tradhtisë, sidomos te B. Sovjetik të gjitha fitoret e arritura u sabotuan në mënyrë të tillë nga vetë kasta drejtuese saqë jo vetëm në BS dhe vendet e tjera ish-socialiste e devijuan tërësisht teorinë e Marksit dhe Leninit mbi revolucionin proletar, por ata goditën në këtë mënyrë shumë rëndë duke përmbysur socializmin dhe diktaturën tij të proletariatit.

Duhet theksuar se dëm dhe goditje po kaq të madhe nuk mori vetëm socializmi i këtyre vendeve, por dhe per forcat revolucionare dhe të gjitha Partitë Komuniste kudo në botë. Këtij fenomeni regresiv nuk iu shmang dot as Shqipëria. Gjithë bota e reaksionit në bashkëpunim me kastën e degjeneruar të PPSH mbas vdekjes së Enver Hoxhës, në aleancë me klasën e përmbysur që fërkonte duart nga gëzimi, priste me ankth e nga çasti në çast përmbysjen e socializmit në Shqipëri. Edhe pse Enver Hoxha e kuptonte dhe e kishte fare të qartë se nëse nuk do të kishte një parti revolucionare e konseguente deri në fund, nëse partia shkonte drejt burokratizmit, teknokratizmit, liberalizimit, nëse ajo shkëputej nga populli, atëherë domosdoshmërisht ekzistonte rreziku i kthimit mbrapa dhe rivendosjes së kapitalizmit, pikërisht ai rrezik që gjunjëzoi dhe B. Sovjetik. Ramiz Alia që socialistët e sotëm (kupola e tyre) e mburrin se gjasme ai bëri “kalimin butë-butë e pa gjakderdhje” nuk e kuptojnë se Ramizi kishe kohë, që bashkë me një shumicë drejtuesish të partisë e të shtetit, kishin qenë ata të parët që patën kaluar nga komunistë në – antikomunistë, nga luftëtarë e çlirimtarë, në frikacakë e dezertorë nga përfaqësues të klasës punëtore në simpatizantë dhe admirues të kapitalizmit, fillimisht Gorbaçiovan për të përfunduar në atë euro-amerikan. Kasta e re që kishte filluar format e saj embrionale që në kohën e Enverit dhe që ai i luftonte me ashpërsi të madhe, ishte dhe u bë rreziku më i madh për socializmin në Shqipëri.

Taktika dhe strategji e tyre e përdorur nuk ishte të godiste hapur Enver Hoxhën dhe socializmin, por të sabotonin rëndë ekonominë duke ulur nivelin e jetesës dhe ashtu veproi paçka se betohej e përbetohej për rrugën e vazhdimësisë duke maskuar kështu rrugën e tradhtisë së tij të deklaruar hapur në vitin 1988, nga ku në një mbledhje të Byrosë Politike ai parashtron platformën se si komunistët (nënkupto tradhtinë dhe degjenerimin e kupolës së PPSH-së dhe jo komunistët e ndershëm) do të kalonin në kapitalizëm. Të jetë e vërtetë kjo?! Po dhe shumë e vërtetë! Mbledhja që ai organizoi me të ashtuquajturit intelektualë (të zgjedhurit e tij që ai i njihte mirë si Berisha, Kadare, Nano etj) kishte si qëllim të legalizonte platformën e tij, por me këtë rast dhe një atakim e mësim për komunistët e ndershëm, që Ramizi i konsideronte konservatorë e dogmatikë. Me këtë rast ata kishin përgatitur terrenin e përpunimit psikologjik se ja gjithë intelektualët e vendit janë për ndryshime rrënjësore.

Por ndryshim rrënjësor do të thoshte të sulmohej në teori e në praktikë dhe të silurohej tërësisht vepra e Enver Hoxhës. Ngjarjet e mëvonshme treguan se si kishte asfiksuar tërë frymën revolucionare të Partisë së Punës (ketë e tregoi Kongresi i 10 -të i saj ose Kongresi i hapur i tradhtisë) sikurse dhe buzëqeshja e tij që nga Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Shqipërisë socialiste u konvertua në President i Shqipërisë kapitaliste. I gëzohej dhe faktit që nuk e pësoi si N. Çaushesku. Tashmë rrufjanët politikë mbasi shinë, vodhën, vranë dhe batërdisën Shqipërinë akuzojnë njëritjetrin duke i konsideruar “komunistë” Saliun, Nanon, Ramën, Ruçin, Kadarenë. Po a ka gjë të përbashkët “komunizmi” i tyre me komunizmin e vërtetë? Do të ishte budallallëku më i madh shkalla më e lartë e injorancës (paditurisë). Është e vërtetë se tashmë forcat e revolucionit në mbarë botën si rezultat i kësaj tradhtie të madhe që filloi me B. Sovjetik, Kinën dhe gjithë ish-vendet e demokracive popullore, janë në tërheqje të përkohshme, tërheqje kjo që më tepër është një veprim taktik, por vendin që i ka rezervuar historia kapitalizmit, kurrë nuk do të mundin dot që hienat e borgjezisë shqiptare dhe ato botërore të mund ta shpëtojnë. Idiotët “donkishotianë” që anatemojnë njëri-tjetrin në fjalimet elektorale apo podiumet e Kuvendit me termin “komunist” e dinë fare mirë se kolegët e tyre të vjedhjeve e të krimit nuk janë komunistë. Komunistët dhe proletarët në kohë revolucioni janë si shqiponjat që sulmojnë dhe qiejt. Tashmë PKSH-ja aktualisht nuk është ende në atë gjendje “që po ta bënë benë” ju të mallkuar gjeni vend ku të futeni apo folenë. Këtë nuk e themi ne e thotë internacionalja për një botë tjetër, për një botë më të mirë – për një botë të re. ( Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …