Ylli Mece

Ylli Mece: KUR HELMI ANTISHQIPTAR SHPËRNDAHET VULLNETARISHT

Kam lexuar për antishqiptarë të kalibrit të rëndë, kam lexuar edhe për kriminelë shqiptarë në ditarët e tyre, kur na hidheshin si diversantë nga toka, deti dhe ajri. Ata tashmë, për shkak të viteve që kanë kaluar, nuk jetojnë më, por kanë mbetur derivatet e para e të dyta të sojit dhe sorollopit të tyre. Një prej më të spikaturve, i cili sot nxjerr vrer nga goja, është një farë Nexhmedin Spahia, i cili, për fat të keq, ligjëron në gjuhën shqipe – gjuhë e tij kjo – por që e vë në shërbim të shovinistëve serbë.

Këtë personazh, sa të paditur aq edhe të egër në antishqiptarizmin e tij në fushën e politikës dhe të filozofisë, e kam hasur që herët. Kam menduar se ndonjëherë njeriu mund të lajthisë, por kur më pas e vëren se gjuha e tij nuk ndryshon, kupton se ai vërtet ha bukë të prodhuar nga duar shqiptarësh, por për fat të keq bën politikë që i shkon për shtat vetëm Serbisë. Madje, aq sa edhe vetë Çubrilloviçi me Aleksandër Rankoviçin do të mbeteshin me gisht në gojë për egërsinë e antishqiptarizmit të tij.

Ai mundohet e strëmundohet që, për të qenë sa më “origjinal” dhe “interesant” për publikun, të hedhë baltë mbi shqiptarët dhe përpjekjet e tyre për liri, pavarësi e identitet kombëtar. Sigurisht, si kofini pas të vjelit, sepse meqenëse nuk hodhi dot asnjë armë kundër armikut kur e kërkonte interesi i Dardanisë shqiptare, dhe pasi konsumoi ide pa asnjë vlerë, madje përçarëse, si ajo e “dy kombësive”, ai sot, thjesht si një vëzhgues i luftës së Kosovës, pa ia shkrepur asnjëherë në shënjestër, ka filluar të qëllojë mbi trupin e nënës Shqipëri me deklarata, shkrime dhe intervista.

Në një intervistë të transmetuar dikur në TV “Klan”, ai shprehet:
“Qysh mundet me pas perspektivë një shtet që në varrezat e dëshmorëve valon flamuri i një shteti tjetër?!”

Pra, Nexhmedini mohon jo vetëm tërësinë territoriale të Dardanisë shqiptare, por edhe gjuhën, kulturën dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve. Madje, flamurin shqiptar e konsideron “flamur tjetër”. Ai vazhdon duke thënë se dëshmorët janë gjë e shenjtë dhe varrezat duhet të respektohen, edhe nëse aty vendoset flamuri i Shqipërisë dhe jo ai i Kosovës.

Sipas tij, rezulton se shqiptarët e Dardanisë nuk janë shqiptarë, por “kosovarë”, dhe se Evropa, jo rastësisht, nuk pranoi flamurin shqiptar, por projektoi një tjetër flamur për ta.

Kundër këtyre pikëpamjeve kanë shkruar edhe të tjerë para meje, por ai vazhdon në rrugën e tij me një gjuhë të helmët. Kohët e fundit ai jep edhe një deklaratë të rëndë, duke thënë se, meqenëse Shqipëria nuk po distancohet nga Lufta Nacional-Çlirimtare, atëherë duhet t’i paguajë Kosovës dëmshpërblime për vrasjet dhe masakrat e kryera nga partizanët shqiptarë në vitet 1944–1945.

A ka thirrje më të ulët se kjo, të kërkosh që Shqipëria dhe shqiptarët të distancohen nga lufta e tyre heroike Nacional-Çlirimtare, e cila ka qenë dhe do të mbetet një nga epopetë më të lavdishme të historisë sonë? O tempora, o mores!

I kujtoj këtij antishqiptari se kjo është një shtrembërim i qëllimshëm i historisë dhe i shërben vetëm përçarjes, duke nxitur shovinizmin e fqinjëve tanë, sidomos të Serbisë.

Shqipëria dhe gjithë populli shqiptar renditen ndër popujt më krenarë për atë faqe të lavdishme të historisë sonë – Luftën Nacional-Çlirimtare kundër okupatorëve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Sa për “Tragjedinë e Tivarit”, ajo nuk është vepër e shqiptarëve, as e PKSH-së dhe as e formacioneve partizane shqiptare. Ajo është një masakër e kryer nga shovinistët jugosllavë për të mbjellë terror në Kosovë. Edhe dokumentet arkivore e dëshmojnë këtë.

Ky pseudoanalist nuk flet për sakrificat e shqiptarëve, për rreth 600 partizanë e partizane që ranë për çlirimin e Kosovës dhe më tej. Nuk flet as për Konferencën e Bujanit, e cila parashikonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e që më pas u tradhtua nga vetë jugosllavët.

Është e qartë se ky njeri, edhe nëse nuk është i rekrutuar drejtpërdrejt, mbetet një shpirt i shitur, që helmin antishqiptar e shpërndan vullnetarisht.

Dhe ai nuk është i vetmi. Bashkë me uraganin e atdhetarizmit, gjithmonë kanë ecur edhe elementë antikombëtarë, me flamurin e tyre të rreckosur në shërbim të armiqve tanë shekullorë.

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani

Milaim Sylejmani: Kur Vota shndërrohet në mall pazari!

Kah shkuan 349.5 milion?! Në prag të proceseve të njëpasnjëshme zgjedhore, financat publike u përballen …