Ylli Rakipi: Pse po i japim udhë çmendurisë individuale dhe çmendurisë tonë të përbashkët?

Ylli Rakipi: Pse po i japim udhë çmendurisë individuale dhe çmendurisë tonë të përbashkët?

U mbyll një javë, që kolegët e mi, gazetarë të shumtë, miq, të afërt dhe të largët, më telefononin orë e çast dhe më flisnin vetëm për Blendi Fevziun. “Mitoman, i rrjedhur, i çmendur, i ikur nga kjo botë… si s’ka turp… si s’ka cipë…” Të them të drejtën nuk kam dëgjuar kurrë kaq fjalë kundër një njeriu, dhe të mendosh që gjithë kjo shfryrje, ky lumë sharjesh, kjo batare e papërmbajtur, bëhet kundër njeriut të mirë dhe të pafajshëm Blendi Fevziu. Se për të qenë të saktë, duhet të themi që Fevziu është vërtet një njeri i mirë.

Mesditën e sotme, deri në orët e para të mëngjesit, Blendi Fevziu ka filluar të festojë 20-vjetorin e emisionit të tij “Opinion”.

Në fakt, festa dhe përvjetorë të tillë, njerëzit e kësaj bote bëjnë dendurisht, por festa e Fevziut nuk është thjesht një festë e madhe. Kjo festë, ka kohë që ka filluar dhe i kalon të gjitha përmasat e një feste. Ky 20 vjetor i “Opinion”-it të Blendi Fevziut, ka marrë gjatë këtyre ditëve dhe në vijim, më shumë kohë dhe hapësirë se inaugurimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo festë, nuk ngjan aspak me përmasat e dasmës së Bes Kallakut, apo festat e panumërta të Konsullit të Nderit të Meksikës, Ylli Ndroqit. Kjo që ndodhi dhe po ndodh, këto 24 orë në Shqipëri, në 20-vjetorin e “Opinion”-it të Blendi Fevziut, nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë, në asnjë vend të botës demokratike dhe jo demokratike.

E, megjithatë, të gjithë këtë teprim le ta quajmë për një moment normal. Teprimet janë pjesë e kësaj bote të shkujdesur dhe shpesh qesharake. Por, kjo ngjarje nuk është thjesht një teprim. Kjo është një marrëzi. Në këtë festë, njeriu i mirë dhe i pafajshëm, Blendi Fevziu, ka thirrur dhe ka vendosur në rresht, mbarë botën shqiptare.

Parlamenti i Kosovës ka anuluar për ditën e sotme, seancën për formimin e qeverisë së re, vetëm që krerët të ishin të pranishëm në festën e Fevziut. Në këtë festë është e pranishme e gjithë qeveria e Republikës së Shqipërisë, edhe kjo ende e pamandatuar, me në krye Edi Ramën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vrapuar të jetë në krye të festës së Fevziut. Kryeministri i qeverisë në formim të Kosovës, Ramush Haradinaj, krerët shqiptarë të Maqedonisë. Ilir Meta, që sigurisht nuk mungon në asnjë festë apo ditëlindje. Kryetari, tashmë i shkrirë i opozitës, Lulzim Basha. Njerëzit më të famshëm dhe më të kamur të botës shqiptare, elitat politike dhe intelektuale të vendit. Dhe jo vetëm kaq.

Për 20-vjetorin e “Opinion”-it, po gatuajnë gjellëbërës dhe kuzhinierë të ndritur, po sfilojnë vajza të përndritura. Dhe sigurisht nuk mungon Henri Çili, këtë herë me një gjetje origjinale, me të gjithë të gjallët që janë prezent në 20-vjetorin e “Opinion”-it, por edhe të gjithë të vdekurit që kanë parakaluar në emision këto 20 vjet. Shqipëria ka ndalur frymën para Blendi Fevziut.

S’ka ndodhur një pjesëmarrje dhe solemnitet i tillë, që nga koha e vdekjes së Enver Hoxhës. Lajmet për çmendurinë e Liderit Suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, kanë kaluar në plan të dytë dhe kjo, sepse çmenduria, siç thonë, del me çmenduri. Një çmenduri më e madhe ka përfshirë sot gjithë botën shqiptare, në rajon dhe më gjerë. Lajmet me stuhitë dhe uraganet, që kanë pushtuar Amerikën kanë ndaluar. Uragani Irma, është zëvendësuar nga uragani Fevzi.

Sandri është detyruar të bëjë atë që nuk ja ka marrë mendja kurrë, ka ndaluar për 24 orë novelat turke. Është nata e njeriut të mirë dhe të pafajshëm Blendi Fevziu… Them i pafajshëm, sepse një njeri, qoftë ky edhe Blendi Fevziu, mund të çmendet.

Mund të çmenden edhe dhjetë apo njëqind njerëz. Kështu është kjo botë. Por, kur është çmendur e gjithë kjo që ne i themi elita e Shqipërisë, kur është çmendur Edi Rama, Hashim Thaçi, Ilir Meta, oligarkët, ministrat, si mund të ngarkojmë me faj dhe të dënojmë Blendin tonë të mirë?!

Paralel me 20-vjetorin e “Opinion”-it të Fevziut, rastisi edhe 20-vjetori i emisionit të famshëm të BBC-së, “Hard Talk”. Në BBC, nuk pati festë, por vetëm një episod 30 minuta, me gazetarët Tim Sebastian, Sarah Montague, Stephen Sackur dhe Zeinab Badawi, gazetarë të famshëm, të cilët kanë drejtuar ndër vitë këtë program. Vetëm në 30 minuta ata e përkujtuan këtë përvjetor.

Në Britani nuk u paraqit as Mbretëresha Elizabetë, as kryeministrja May, dhe as kuzhinieri më i mire i botës, Gordon Ramsey. Në Angli nuk u çmend askush. Ndërsa këtu në Shqipëri, në Kosovë, në rajon, ndoshta dhe më gjerë, Fevziu na ktheu të gjithëve në një pavijon të marrësh.

Si mund të ndodhë që gjithë këta njerëz, të rreshtohen në mënyrë kaq hipokrite dhe kur dalin jashtë fillojnë të tallen me Fevziun. Si nuk e kuptojmë, që para se të tallemi me Fevziun, jemi tallur me vetveten?! Çfarë hipokrizie! Çfarë maskarade!

Unë e kam mik Blendi Fevziun. E kam pranuar ashtu siç ai është, siç më ka pranuar edhe ai mua, kështu siç jam dhe ndoshta kjo më detyroi, që unë t’i shkruaj këto pak radhë, së pari për mikun tim Fevzi, por mbi të gjitha këto fjalë unë i shkruaj për të gjithë ata njerëz që e rrethuan Fevziun, duke i dhënë udhë çmendurisë së tij dhe çmendurisë tonë të përbashkët.

Duke ndjekur të gjithë këto skena që ndodhin vetëm tek ne, skena kaq qesharake dhe të çmendura, së brendshmi klitha: O Zot, shpëtoje Blendi Fevziun! Por, më kot… Askush nuk mu përgjigj… Ndoshta edhe vetë Zoti, nuk është aq i fuqishëm, sa të na shpëtojë të gjithëve nga marrëzia e madhe që na ka pllakosur.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …