Zamira Çavo: Atdheu s’ mund të jetë pronë e qeverive, ato duhet të jenë në shërbim të tij

           Në Shqipëri biznesi më fitimprurës është politika. Hyn pa një kacidhe dhe bëhesh miliarder për të mos e lëshuar më vendin e politikanit. Kështu ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve demokraci. Politikanët tanë, në të shumtën e rasteve, janë bërë të “fuqishëm” në pasuritë e tyre, sa arrijnë të blejnë votat, madje edhe partitë. Kush merret me këto pasuri? Shteti ka krijuar një institucion për deklarimin dhe verifikimin e pasurive. Por kush i emëron këta njerëz? Kush e kontrollon në fund të fundit këtë strukturë? Qeveria! Atëherë si mund të pres unë që ky institucion vërtet funksionon? Kush e ka verifikuar deklarimin qesharak të pasurisë së Berishës, Nanos, Bashës, Metës, Ramës apo dhe deputetëve që aktualisht na përfaqësojnë?


 


Shteti është dhe duhet të jetë në mbrojtje të lirisë së individit. Prandaj dhe është krijuar si i tillë. Por shteti mund të shndërrohet në një “përbindësh” kur tenton të përqendrojë pushtetin. Në këtë rast, kontrolli ynë mbi qeverinë është absolutisht i domosdoshëm. Qeveria nuk është padroni ynë. Ajo është dhe duhet të jetë mjeti me të cilin çdo individ realizon lirinë e tij. Nga ana tjetër, Atdheu është bashkim i njerëzve të lirë që mendojnë e punojnë për të realizuar lirinë e tyre. Atdheu nuk mund të jetë pronë e qeverive, por qeveritë janë e duhet të jenë në shërbim të tij. Kjo do të thotë që qeveria nuk mund të më “joshë” mua si popull, duke kërkuar patriotizmin tim në pagesën e taksave në një kohë kur pabarazia në shpërndarjen e të mirave është në kulm. Unë e respektoj shtetin. Kam 25 vjet që paguaj çdo taksë që ai më ka vënë mbi shpatulla. Dhe unë kam shkuar drejt varfërisë në një kohë kur politikanë, të vjetër e të rinj, sot konsiderohen me pasuri përrallore. Nuk e di nëse paguajnë taksa. Dikush mund të thotë se jetojmë në kapitalizëm ku ka pabarazi. Po, kapitalizmi ka pabarazi që vjen për shkak të shpërblimit sipas punës … Nuk është kjo pabarazia që e sjell sistemi, për shkak të fitimit që merr nga puna që bën. Më së shumti, në perceptimin popullor, kjo pabarazi në shpërndarje rrjedh nga keqpërdorimi i pushtetit.


Kush e ka verifikuar deklarimin qesharak të pasurisë së Berishës, Nanos, Bashës, Metës, Ramës apo dhe deputetëve që aktualisht na përfaqësojnë? Askush!


 


Mendimi im personal, por besoj se shpreh dhe një mendim të një grupi më të gjerë njerëzish, politikanët janë njerëzit më të pasur! Dhe ky është një paradoks i madh që nuk ka lidhje me kapitalizmin, por me ne si shoqëri. Le ta analizojmë qoftë dhe sipërfaqësisht problemin.


 


Dikur e kam thënë se në Shqipëri biznesi më fitimprurës është politika. Hyn pa një kacidhe dhe bëhesh miliarder për të mos e lëshuar më vendin e politikanit. Kështu ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve demokraci. Politikanët tanë, në të shumtën e rasteve, janë bërë të “fuqishëm” në pasuritë e tyre, sa arrijnë të blejnë votat, madje edhe partitë. Kush merret me këto pasuri? Shteti ka krijuar një institucion për deklarimin dhe verifikimin e pasurive. Por kush i emëron këta njerëz? Kush e kontrollon në fund të fundit këtë strukturë? Qeveria! Atëherë si mund të pres unë që ky institucion vërtet funksionon? Kush e ka verifikuar deklarimin qesharak të pasurisë së Berishës, Nanos, Bashës, Metës, Ramës apo dhe deputetëve që aktualisht na përfaqësojnë? Lexuesi i nxituar sërish mund të thotë: “Po ky është ligji, ç’t’i bëjmë”? Po ligjin kush e miraton? Si mund të mendojmë se të gjitha “përfoljet” që OSBE-ja paraqiti kinse në publik, ishin thjesht dashakeqësi e tyre apo thashetheme të shtypit shqiptar? Dhe nëse ishin të tilla, ato tregojnë për një perceptim popullor. Dhe politika në fund të fundit është perceptim. Më ç’të drejtë ti mund të burgosësh një këpucar a berber dhe ndërkohë nuk ke bërë as më të voglin hap për të kundërshtuar publikisht me fakte deklaratat e OSBE-së? Kush mund të më thotë se sa para ka marrë në jetën e tij një politikan i lartë, që nuk ka bërë asgjë, veç të qenët deputet dhe sot ka së paku disa shtëpi e vila? Kush do t’ua bëjë llogarinë e të ardhurave të marra ndër vite, me pasurinë aktuale? Si do ta justifikojnë ata këtë pasuri?


 


Ka një ligj që i detyron zyrtarët e lartë të deklarojnë pasuritë e tyre dhe të afërmve të tyre. Po a nuk ishte ky ligj që duhej të vepronte dhe për Ndokën apo Prengën apo …? Pse duhet pritur dorëheqja apo arrestimi që institucioni i deklarimit të pasurive të shikonte se ish-deputetët kanë miliarda në pasurinë e tyre? Zoti Berisha, që u deklarua si njeriu më i ndershëm që nuk i paska borxh kurrkujt në këtë jetë, a na e ka treguar pasurinë e tij apo të fëmijëve të tij? Sigurisht, borxh ndonjë individi nuk i ka, pasi ia ka shpërblyer me pushtetin që i kemi dhënë ne dhe që ai e ka përdorur për përfitime personale, por borxh na i ka ne popullit. Po të njëjtën gjë do të thosha edhe për dy bashkëqeverisësit, Rama dhe Meta. Kush do t’i krahasojë deklarimet e tyre me pasuritë e vërteta që ata disponojnë dhe që janë të dukshme? Kush do t’i bëjë ndonjëherë llogaritë për vilat e tyre luksoze? Pale, nëse flasim dhe për transfertat e parave në bankat e huaja.


 


Politikanët tanë nuk kanë as sensin e pushtetarit të përgjegjshëm dhe as sensin e kapitalistit të zakonshëm. Kapitalisti, fitimet e tij i investon sërish në vend me synim fitimin më të madh, duke qenë i ndërgjegjshëm se duhet të paguajë taksa. Këta politikanët tanë i kanë fshehur pasuritë nën emra fëmijësh, nipash e mbesash, që më së shumti nuk shkojnë në investime, por në depozitime, në shpenzime luksi dhe qejfesh të patatueshme!!! Mund të këtë dhe hiperbolizime për pasuritë e X apo Y politikani. Në popull flitet shumë, por pikërisht për këtë duhet zbardhur gjithçka.


 


Asnjë politikan i lartë, majtas apo djathtas, nuk ka të drejtën morale të kërkojë patriotizmin te ne, kur ata vetë as që duan t’ia dinë për këtë lloj patriotizmi.


Po si zgjidhet problemi?


Kush do ta vërë ndonjëherë në vend drejtësinë?


Kush do t’i konfiskojë pasuritë e politikanëve të fituara me postin publik?


Unë them se këtë do të duhet ta bëjmë ne vetë. Ne të kërkojmë në mënyrë plebishitare krijimin e grupeve të pavarura që të merren me deklarimet dhe krahasimet e pasurisë të pushtetarëve gjatë 25 viteve. Populli duhet të shikojë me sy, në mënyrë transparente, gjithçka ka të bëjë me këta “përthithës të pasurive publike”. Nëse nuk do ta bëjmë ne këtë, nuk duhet të presim nga drejtësia, e cila ashtu si edhe politika është e “patatueshme” në pasurinë e saj

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …