Shote Galica

Zeqir Bekolli: Aftësitë strategjike të Shotë Galicës dhe gatishmëria e saj për t’u flijuar për atdhe

Vështrim romanit të Sulejman Krasniqit, “Prisja e Komiteve”, botim i Shtypshkronjes “Mihal Duri”, Tiranë, 1975

Romani “Prisja e Komiteve”, me autor Sulejman Krasniqin, radhitet ndër veprat me vlerë të Letërsisë Shqipe dhe i  kushtohet heroines Shote Galica. Për subjekt ka ngjarjet historike të kryengritësve shqiptarë, jo vetëm në trevën e Drenicës, të prirë nga Azem Galica, kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe. Është fjala për periudhën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Në një darkë zyrtare, ku merrte pjesë kryeministri i kohës, Nikolla Pashiqi, i njohur si njëri ndër dinakët më të mëdhenj të asaj peridhe, në Beograd. Në kryeqytetin serb u thurën të gjithë skenarët dhe intrigat antishqiptare për kolonizimin e Kosovës, për shpënguljen e shqiptarëve për Turqi , për strategjitë e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe për shuarjen e kryengritjes në mbarë Kosovën,  e sidomos në Drenicë, për apetitet serbe për Trepçën e çka jo.

Autori ngjarjen e përqendron në Drenicë, aty ku ndodhnin përpjekjet e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe për shuarjen e kryengritjes, të cilat shoqëroheshin me masakra, vrasje, kidnapime dhe djegie të fshatrave shqiptare, por edhe luftën që bënë komitet, me ushtrinë e xhandarët serbë në fshatrat e kësaj treve. Ishte kjo periudha kur plagoset rëndë  dhe vdes kryekomiti, Azem Bejta, i cili do të varroset në Shpellen e Shqiponjave, në fshatin Kjevë të komunës së  Klinës, në prani të Shotës, e trupi i tij u hodh në greminën e shpellës, që të mos binte në duartë e armiqëve.

Krasniqi, duke e njohur mentalitetin e masës, me sukses prezanton karakteret e komitëve, atyre konzervativ dhe më besnikëve të prijësit të tyre, me tendencën “pro” dhe “kundër” emërimit të Shotë Galicës prijëse , që shpie deri në përçarje të komitëve. Këtu përshkruhen edhe përpjekjet e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe për të depërtuar në mesin e komitëve . Në këto rrethana, shfaqet kolonja Angja, të cilës regjimi ia kishte persekutuar familjen dhe vullnetarisht ndihmon dhe informon komitet për planet e ushtrisë serbe, por janë edhe ushtarët serbë, që kanë futë në shërbim agjentin e tyre, Mulla Tajarin, në rolin e hoxhës, për qëllimet e tyre. Krejt këto ndodhin  në periudhën e mospajtimeve të komitëve për prijësin e ri, për shkak të paragjykimeve  dhe mentalitetit patriarkal. Përballë këtyre ndodhive, Miliq Kërsta vazhdonte të digjte shtëpi e vriste gra e fëmijë.

Një përshkrim interesant i bëhet sulmeve guerile të komitëve mbi Kampin ushtarak dhe mbi postat e xhandarmërisë anë e kënd vendit nën thirrjen: “O prite, prite Azem Galicën , o hej…”, ku vërehej zëri i Shotës, që ua fuste serbëve frikën në palcë. Shota, me komitët e saj arriti t’i dëbojë nga lugina e Skenderajt dhe nga dy klinat mbi 2 mijë ushtarë e xhandarë serbë të cilët i ngujoi në Mitrovicë. Këtu e panë  fuqinë e trimëreshës, Shotë, ata të cilët ishin peng e zakoneve prapanike dhe kundërshtonin emërimin e saj për prijëse  të çetave kryengritëse.

Se Shota ishte një zëvendësim i denj i kryetrimit, Azem Bejta, dëshmon edhe rasti i sulmit në Stacionin e Xhandarmërisë në Mitrovicë, të cilin e realizoi tok me pesë komitë, ku vrau kryekomandantin e stacionit, në shenjë hakmarrjeje ndaj krimeve serbe mbi shqiptarët. Ky rast,  nxori në shesh aftësitë strategjike të Shotës, por edhe guximim dhe gatishmërinë për t’u flijuar për atdhe. Ky sukses shtoi edhe përkrahjen e madhe në mesin e komitëve dhe në popull. Autori, duke u mbështetur në të vërtetën historike, e ka portretuar heroinen tonë me të gjitha tiparet e një prisjeje që do ta kishte lakmi të kishte secili popull në radhët e veta.

Për ta prezantuar fuqinë e femrës shqiptare në një kohë, kur patriarkalizmi dominonte mentalitetin shqiptar, autori nxjerrë në sipërfaqe edhe një luftëtare të fuqishme siç ishte, Merushe Meshtekna e cila mori pjesë në likuidimin e kriminelit Miliq Kërsta, me ndihmen e Ramës, në periudhën kur ushtria serbe marshonte drejt Drenicës.

Autori aftësitë luftarake te femrës shqiptare, të Shotës dhe Merushe Mështeknës do t’i përshkruajë mirë në betejen te Lendina e Gjakut, kur vriten në pusi qindra ushtarë e oficerë serbë dhe të tjerë, që u zunë robër, në  përpjekje për t’u futur në Drenicë. Këtu del në shesh edhe roli i Ramës, të cilin një oficer serb e kishte plagosur rënd pasi kuptoi se ai i kishte nxjerrë në pritë, në bashkëpunim me Meshteknën. Rama nga plagët vdes, por rrëfimi dhe kënga kushtuar atij jetuan gjatë.

Në roman fuqishëm përshkruhet edhe aksioni luftarak për lirimin e vajzave e nuseve të komitëve të cilat i kishin rrëmbyer xhandarët të prirë nga Haso Keçi.  Shota në rolin e një diverzanteje të vërtetë, e ndihmuar nga komitet dhe e veshur si plakë, hyn në mes të plaçiktësve, i shpartallon ata, liron vajzat e nuset, rrëmben Haso Keçin dhe disa oficerë.

Një sukses për komitet ishte edhe kidnapimi që iu bë , Vlladan Bogojeviqit, zëvendëskomandantit të ekspeditës serbe, i cili dha shumë informacione për planet shkatrruese serbe për Drenicën, por edhe për infiltrimin e Tajar Bogujeviqit, në mesin e myslimanëve në Mitrovicë, i cili kishte mësuar gjuhën shqipe, qysh në vitin 1911. Nuk ishte i vetëm Mulla Tajari, si hafije, që u vra në xhami pas tradhëtisë, që i kishte bërë komitit Ukë Gunës, të cilin e kishin kidnapuar ushtarët serbë, por në një aksion spektakular të udhëhequr nga Shota, ishte liruar.

Lirimi i Ukë Gunës nga komitët, ndikoi në formimin e Komitetit Pleqnar, në ribashkimin e grupeve të komiteve dhe në emrimin e Shotës prijese të komiteve. Ky rimobilizim shtoi shpresat për qëndresë kundër ushtrisë serbe e cila po planifikonte të sulmonte komitet nga të gjitha anët, madje edhe nga Shkupi.

Serbia llogariste edhe në Cana Beg Kryeziun, që po ashtu shërbente si hafije në anën e serbëve. Autori nxjerr në shesh edhe figurën negative te Heqimit, një oficeri serb, i infiltruar në mesin e shqiptarëve. Në filim ai ishte prezantuar si xharrah, që kishte mbytur disa fëmijë shqiptarë, pas synetisë. Më vonë ishte përpjekur t’i helmonte komitët e plagosur. Zbulimi dhe asgjësimi i tij tregon qartë se komitet të prirë nga Shote Galica po korrnin suksese pikërisht edhe në saje të aftësive të tyre për zbulim.

Romani përfundon me betejat e përgjakashme për asgjësimin e Shtabit të Ushtrisë Serbe , ku bie heroikisht Merrushe Meshtekna, gjatë shpartallimit të ushtrisë serbe në fshatin Lybovec, prej ku prisja e komiteve bashkë me komitet ngjiten në bjeshkën e Çyqavicës, e  vetmja zonë, që mbahej e lirë nga komitet, sikur vargmalet e Berishës në luftën e fundit të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …